EKSKLUZIVE/ “Lojtarë pa gjak”, shpërthen Safet Gjici dhe paralajmëron masa ekstreme: Nëse s’kapin Europën do të…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 18, 2021 | 23:55

EKSKLUZIVE/ “Lojtarë pa gjak”, shpërthen Safet Gjici dhe paralajmëron masa ekstreme: Nëse s’kapin Europën do të…

Safet Gjici priste kualifikimin në Durrës, por Kukësi i tij humbi një shans të artë për të shpresuar te pjesëmarrja në Europë përmes fitimit të Kupës së Shqipërisë. Eliminimi nga turi çerekfinal ka tronditur klubin verilindor dhe presidenti i nderit nuk e fsheh aspak zhgënjimin për këtë situatë të pazakontë në ekip, që prej debutimit në elitën e futbollit shqiptar 9 vite më parë.

safet gjici

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Gjici flet pa doreza, duke paralajmëruar masa ekstreme ndaj futbollistëve nëse tashmë nuk arrijnë përmes kampionatit kapjen e një vendi që të siguron pjesëmarrjen në Europë.

Kryetari i bashkisë nuk ka ngurruar të kritikojë edhe stafin, duke theksuar se stafi ka bërë një merkato shumë të dobët. Gjithsesi, Gjici nuk dorëzohet, pasi beson se Kukësi ka ende shpresë që të arrijë objektivin minimal, që është zona e UEFA-s. Që pas ardhjes së Josës, synimi ka qenë fitimi i Kupës së Shqipërisë, por ekipi dje u eliminua.

Zoti Gjici, jeni jashtë Kupës dhe është sërish Teuta që ju eliminon. Ju zhgënjeu ndeshja në Durrës?

Normalisht prisja reagimin e ekipit dhe kualifikimin. Është momenti që klubi duhet të bëjë urgjentisht analizën e humbjes dhe të vendosë penalitete të mëdha.

Për çfarë penalitetesh e keni fjalën?

Jam shumë i zhgënjyer, sepse disa lojtarë aty janë pa gjak dhe pa sedër dhe natyrisht klubi duhet të marrë masa urgjente.

Ky është sezoni i nëntë që Kukësi është pjesë e elitës, por rrezikoni që për herë të parë të mos merrni pjesë në Europë.  E keni menduar këtë?

Asgjë nuk ka mbaruar, kampionati është i gjatë dhe ka akoma shumë pikë në lojë. Dhe këta (i referohet lojtarëve dhe stafit) nëse janë aty për të realizuar objektivin, të fitojnë ndeshjet e mbetura dhe të kapin Europën përmes kampionat, kaq.

Kush duhet të mbajë më tepër përgjegjësi për këtë sezon zhgënjyes te Kukësi?

Përgjegjësia për mua është në radhë të parë e lojtarëve, e pastaj e stafit teknik. Mund të them pa dyshim se është bërë një merkato shumë e dobët. Por, të gjithë në ekip, nëse Kukësi nuk kap Europën këtë sezon, për mua klubi duhet të marrë masa ekstreme.

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"