EKSKLUZIVE/ Llullaku: Do i bind të gjithë që të mbetem në Itali, për mua festoi edhe Panuçi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 14, 2018 | 23:05

EKSKLUZIVE/ Llullaku: Do i bind të gjithë që të mbetem në Itali, për mua festoi edhe Panuçi

Dikur ka përdorur udhëtimin me gomone për të shkuar në Itali, ndërsa sot kërkon që të përdorë cilësitë si futbollist për të mbetur pjesë e futbollit në Itali. Azdren Llullaku është zyrtarizuar dje si pjesë e skuadrës së Entelës, që lufton mbijetesën në Serinë B. Në një intervistë për “Panorama Sport”, sulmuesi rrëfen detajet e kontratës, telefonatën që e bindi për të bërë këtë zgjedhje apo edhe synimet e tij personale.

“Patjetër që në Itali ka mbrojtje shumë të organizuara dhe shumë të mira. Mirëpo, të kujtojmë që ne shqiptarët kemi luajtur edhe përballë mbrojtjeve si ajo e Spanjës, me Serxho Ramos e Pike. Ndaj nuk trembem aspak. Futbolli nuk është për t’iu trembur kundërshtarit. Unë do të bëj maksimumin që t’i bëj ata të më tremben mua!”, tregon shqiptari, i cili është i bindur për të treguar vlerat që ka si futbollist në skuadrën ku do të bashkohet me mbrojtësin e Kombëtares, Alijin.

llullaku

Nga Kazakistani në Itali, si ishte ky vit për ty?

Ka qenë një vit pak i rëndë. Kishte shumë ndryshime për çdo gjë: për futboll, për ambient, për stadiume të ndryshme, për gjithçka. Ndoshta kam pasur nevojë për pak kohë që të ambientohem. Është normale që pas një sezoni, kur nuk bën mirë, duhet një takim me drejtuesit e klubit për të ndërprerë kontratën. Unë e mendoj në këtë mënyrë dhe kështu veprova. Kisha mundësi që të paguhesha mirë, mirëpo nuk desha të qëndroj në Kazakistan vetëm për lekë. Doja një aventurë të re dhe fatmirësisht u desh kjo mundësi shumë, shumë e mirë dhe jam shumë i gëzuar që kam ardhur në Itali.

Çfarë nuk shkoi me skuadrën e Ordabasit, pse nuk firmose?

Isha pranë firmës me të, por pata disa fjalë me Entelën dhe, kur më kontaktoi ky ekip, vendosa që të vij në Itali. Me Ordabasin ishte gjithçka në rregull, por dëshira që të rikthehem në Itali ka qenë shumë e madhe dhe sapo m’u dha mundësia, erdha menjëherë.

Kush të ka kontaktuar i pari për këtë mundësi?

Më ka kontaktuar Tramexani. Më kontaktoi duke më shpjeguar interesimin e Entelës. Ai më ka ndihmuar shumë dhe më pas menaxheri e drejtori sportiv i kësaj skuadre, të cilët ditë pas dite më bindën derisa sot (dje) firmosëm kontratën.

llullaku entela

Për çfarë kontrate bëhet fjalë?

Kam nënshkruar 6 muaj me opsion rinovimi edhe për një vit tjetër nëse të dy palët do të jemi dakord.

Udhëtimi i parë drejt Italisë me gomone është përmendur shpesh prej teje. Entela është ëndrra e plotësuar apo nisja e ëndrrës së madhe?

Me bindje them që sapo ka nisur. Tani kam ardhur për të luajtur dhe nga ky moment nis e bukura. Duhet të punoj sa më shumë dhe që të qëndroj në Itali sa më shumë. Ky është mendimi i parë që kam.

Sa larg familjes tënde është skuadra?

Janë afro katër orë me makinë. Nuk është shumë larg dhe kjo gjë e mirë mund të më ndihmojë që të kem familjen shpesh pranë meje apo edhe unë mund të shkoj tek ajo.

Si ke vendosur, do të jetosh pranë skuadrës apo do udhëtosh çdo ditë?

Jo, do të rri në qytet për ta pasur më të lehtë.

Në ekip do të gjesh Alijin. Çfarë të ka thënë?

Patjetër që më ka ndihmuar dhe kam marrë informacione prej tij sesi funksionon skuadra. Më ka thënë se është një ekip i mirë dhe që kemi shanse për të shpëtuar. Më ka shpjeguar organizimin dhe kushtet që ka klubi. Mendimi i tij ka qenë një shtysë për të vendosur.

Ecuria që ke pasur te Gaz Metan është përmendur shumë nga mediat italiane. Të vendos në presion pritshmëria e madhe që kanë për ty?

Jo, nuk më bën aspak presion, pasi ai lojtar kam qenë. Për fat të keq, për një vit kam qenë pak i humbur në Kazakistan sepse nuk më shkuan gjërat mirë. Mirëpo, unë jam i uritur për lojë dhe për gola. Uroj shumë që të jem sërish vetja ime e atyre statistikave.

llullaku-albania

Sa të përshtatet skuadra dhe çfarë ke gjetur ndryshe?

Kam folur me trajnerin dhe përputhet dëshira ime me këshillën e tij: Që të qëndroj sa më shumë pranë portës kundërshtare. Për veçoritë që kam, shpresoj që gjithçka të shkojë mirë. Patjetër që gjithçka do të shkojë mirë!

A të tremb filozofia e mbrojtjes italiane?

Patjetër që në Itali ka mbrojtje shumë të organizuara dhe shumë të mira. Mirëpo, të kujtojmë që ne shqiptarët kemi luajtur edhe përballë mbrojtjeve si ajo e Spanjës, me Serxho Ramos e Pike. Ndaj nuk trembem aspak. Futbolli nuk është për t’iu trembur kundërshtarit. Unë do të bëj maksimumin që t’i bëj ata të më tremben mua!

A do ta përdorësh këtë skuadër dhe pjesë të mbetur të sezonit si trampolinë për t’u futur në elitën e futbollit italian?

Uroj shumë që po! Ky është objektivi që kam.

Si është Kombëtarja tashmë me Panuçin?

Shumë mirë. Është trajner që ka shumë vullnet, ka shumë dëshirë për të bërë rezultate dhe është diçka pozitive për ne. Na shërben sepse kemi nevojë për një trajner të mirë dhe kemi mundësi. Kemi kualitete dhe shpresoj që në shtator ta nisim mirë.

Hyka dhe Llullaku

A ke pasur komunikim me të në këtë periudhë për transferimin?

Po, kam folur dhe ai gjithashtu ishte i kënaqur që do të jem pjesë e Entelës, pasi edhe dëshira e tij ishte që të qëndroj në një skuadër në Europë. Kam folur edhe me të dhe duke qenë i zonës afër këtij qyteti, edhe vetë drejtuesit e klubit kanë biseduar me të dhe e kanë pyetur për mua. Kanë qenë shumë gjëra pozitive që më kanë sjellë te kjo skuadër.

Cila është gjëja që të ka bërë më së shumti përshtypje?

Vendi është shumë special. Një qytet pranë hotelit dhe hoteli ku më kanë sjellë është vetëm 20 metra larg detit. Në momentin që njeriu është i qetë dhe në një vend të tillë është shumë mirë dhe mund të punosh si duhet dhe të kesh produktivitet në punë.

Cili është objektivi personal që i ke vënë vetes?

Po që të tregoj veten se mund të qëndroj në Itali. Kam vuajtur shumë për të ardhur këtu dhe tashmë do të bëj gjithçka duhet me punë që të qëndroj këtu.

Një shpagim kjo kontratë për gjithçka ke kaluar?

Nisur nga udhëtimi me gomone apo gjithçka tjetër, inshallah po shërben si shpagim. Duhet me patjetër që të jetë kështu (qesh…).

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"