EKSKLUZIVE/ Lëvizje e papritur te Kukësi, Pero Pejiç mund të jetë i larguari i radhës nga verilindorët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 1, 2022 | 9:45

EKSKLUZIVE/ Lëvizje e papritur te Kukësi, Pero Pejiç mund të jetë i larguari i radhës nga verilindorët

Safet Gjici shquhet për deklaratat e tij të drejtpërdrejta dhe kur diçka nuk shkon, e thotë troç.

Pejic-Shameti

Në prezantimin e teknikut të ri, Skënder Gega, kryebashkiaku i Kukësit hodhi akuza të forta për ata që kanë drejtuar dhe menaxhuar klubin përgjatë dy sezoneve të fundit, kur skuadra nuk ia ka dalë të arrijë objektivat.

Madje, shkoi deri aty sa i quajti dallaveraxhinj, por pa përmendur emra. Sakaq, në rast se një trajner ikën, do të ndodhë bashkë me stafin, sepse përgjegjësia mbetet e të gjithëve.

Në një situatë të tillë, Diego Longo u largua së bashku me dy ndihmësit e tij italianë, Amdedeo di Late dhe trajnerin e portierëve, Andrea Kardinale.

Njëkohësisht pjesë e stafit, edhe pse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë me italianët, ishte edhe drejtori sportiv Pero Pejiç. Kroati nuk ishte në prezantimin e teknikut të ri, Skënder Gega, dhe gjithnjë e më shumë po shtohen dilemat nëse ish-futbollisti kampion me verilindorët do t’u bashkohet largimeve apo do të vijojë punën edhe për këtë sezon me skuadrën.

Në klub, nuk kanë njoftuar asnjë tjetër largim në staf, përveç tre italianëve dhe për aq kohë sa nuk ka një konfirmim, Pejiç vazhdon të jetë ende pjesë e verilindorëve. Megjithatë, e ardhmja e kroatit mbetet për t’u qartësuar në vazhdim, i cili vazhdon të ketë një raport të mirë me drejtuesit në Kukës, edhe për shkak të së kaluarës së tij në këtë klub.

LOJTARËT ME PUSHIME – Mbyllja e kampionatit solli edhe pushimet në kampin kuksian, teksa lojtarët janë larguar pranë familjeve të tyre dhe presin se kur do të rinisë sërish grumbullimi, tanimë me një trajner të ri.

Shumë prej tyre kanë marrë pushimet, por nuk e dinë ende nëse do të rikthehen si pjesë e Kukësit apo do ta vijojnë aventurën diku tjetër. Lojtarët e huaj të afruar gjatë merkatos vitin e kaluar mund të thuhet se janë të gjithë me “valixhe në dorë”, edhe pse disa prej tyre kanë edhe një vit kontratë me klubin.

Do të jetë tekniku i ri, Skënder Gega, së bashku me stafin, ata që do të bëjnë përzgjedhjen e atyre që janë pjesë e projektit ose jo këtë sezon.

NDIHMËSIT E GEGËS – Kukësi ka bërë vetëm prezantimin e trajnerit të parë, Skënder Gega, ndërsa mbetet ende një mister se cilët do të jenë bashkëpunëtorët e tij më të afërt.

Klubi ka nevojë për ndihmëstrajnerin dhe një trajner portierësh, të cilët në fund të këtij edicioni u larguan së bashku me Longon. Mësohet se në dorë e ka Gega nëse do t’i përzgjedhë vetë ndihmësit e tij apo do t’ia lërë klubit ta bëjë.

Situatë që mbetet të qartësohet gjatë ditëve në vijim.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"