EKSKLUZIVE/ Legjenda Nuri Bylyku: Partizani ishte fëmija plangprishës i Tiranës, na persekutonin (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Maj 24, 2020 | 0:19


EKSKLUZIVE/ Legjenda Nuri Bylyku: Partizani ishte fëmija plangprishës i Tiranës, na persekutonin (E PLOTË)

Nuri Bylyku, njeriu që ka kaluar 38 vite të jetës së tij te klubi i Tiranës, e cilëson Partizanin si djalin plëngprishës të bardhebluve. Duke marrë në konsideratë edhe deklaratat e disa personazheve të shquara të klubit të kuq, ai i kundërshton ato duke rreshtuar një sërë faktesh dhe është i bindur se Tirana ka qenë e persekutuar në sistemin monist.

Bylyku-sot-logo

Në një intervistë për “Panorama Sport”, ishkapiteni dhe më pas zyrtari i klubit thotë se shpeshherë bardheblutë e kanë pësuar pa të drejtë nga zyrtarët e klubit të Partizanit, të cilët asokohe, sipas tij, bënin ligjin. “Partizani lindi si fëmija plëngprishës i Tiranës. U ndërtua nga tetë lojtarë të Tiranës që dolën kampionë të Shqipërisë më 1942, kampionat që nuk njihet nga federata, dhe dy të Vllaznisë. Një histori e gjatë, me Partizanin, plëngprishësin e Tiranës”, thotë ai.

Zoti Bylyku, ju keni qenë lojtar, trajner dhe drejtues i Tiranës për 38 vite. Së fundmi, disa diskutime në distancë për titullin e vitit 1989 janë shndërruar edhe në një debat për mënyrën se si trajtoheshin Tirana dhe Partizani në monizëm. Ju ç’mendim keni?

Si fillim, ju falënderoj. E vërteta është ndryshe, por po ju them që në fillim se gjatë intervistës sime nuk do të flas me emra të përveçëm. Shumica e njerëzve nuk jetojnë dhe nuk mund të flasim për ata apo të gjykojmë të shkuarën. Nuk dua të trazoj askënd.

E vërteta është që Tirana ka qenë e persekutuar nga sistemi, veçanërisht në çdo sport. Unë kam qenë lojtar i Partizanit, kam debutuar me atë fanellë, kam dy kampionate me atë klub, por dua që gjërat të thuhen ashtu siç janë. Edhe im vëlla ka luajtur me dy klubet dhe është themelues i Partizanit. Tirana është luftuar dhe persekutuar gjithmonë, ndërsa Partizani ka pasur fuqi në atë kohë.

Si u lidhët me Partizanin?

Kisha luajtur më parë me moshat. Me Partizanin u lidha kur isha ushtar në marinë. Në një ndeshje në Durrës shënova disa gola. Ishte fundviti i 1956-ës. Në Durrës ndodhej një delegacion i huaj ushtarakësh dhe luanin me qejf. Zhvilluam një ndeshje me ta dhe jo vetëm fituam, por unë spikata në atë takim.

-640-0-5e2d344ab381b

Petrit Dumja më thotë: “Do të shkosh te Partizani”. Shkova, por nuk kisha vend në ekip, pasi ata ishin inxhinierët e futbollit. Emra të mëdhenj. Kam luajtur me Panajotin në një skuadër me të rinjtë, te Tirana. Më pas Pano kaloi te Partizani, unë qëndrova te Tirana. Më pas u bëra drejtues dhe në 1984-ën fituam spartakiadën e 40-vjetorit, ku fituam 160 nga 180 medaljet.

Pse u ndatë me Partizanin?

E thashë, sepse s’kisha vend në skuadër. Po kështu tri ditë para se të shkonim në Lajpcig, mua dhe Bert Jasharin na thërret trajneri ynë, në Shtëpinë e Oficerëve. Na jep një letër. “Firmosni pak se me t’u kthyer nga Lajpcigu do shkojmë në Bullgari për një ndeshje”. E marr dhe lexoj: “Jam dakord të rri kapter me Partizanin”. Nuk pranova. Kur po hipja në avion në Laprakë, më zbresin nga avioni. Më pas kalova te Tirana, pasi u çmobilizova.

Si e keni parë rivalitetin Tirana-Partizani në ato vite?

Partizani lindi si fëmija planprishës i Tiranës. U ndërtua nga tetë lojtarë të Tiranës që dolën kampionë të Shqipërisë më 1942, kampionat që nuk njihet nga federata, dhe dy të Vllaznisë. Një histori e gjatë, me Partizanin, plangprishësin e Tiranës. Ne, Tiranën, na mbronte populli, jo vetëm tifozët e Tiranës, por edhe ata të Partizanit e më pas Dinamos. Na respektonte çdo kundërshtar, por sistemi na ka dëmtuar. Shtëpitë dhe favorizimet nuk kanë ekzistuar dhe çdo gjë ka qenë individuale. Ah, se harrova, trajnerët që të gjithë ishin të Tiranës. Madje, po ju them se Tirana u prish që në fillim me plan.

Mund të na thoni ndonjë shembull?

Po ju marr një ndeshje të kampionatit të ‘59-ës. E anuluan ndeshjen me Elbasanin për arsye qesharake. E gjithë kjo sepse u ankua një zyrtar i Partizanit në federatë.

Mund të jeni pak më i qartë?

Historia ishte e tillë: Met Metanit i ra kapela brenda vijës fatale dhe Tirana, paçka se kishte fituar, u detyrua që të shihte se si iu anulua ndeshja. Dhe më pas Partizani fitoi kampionatin. Për të mos folur për marrjen ushtarë të lojtarëve të mëdhenj si Fatmir Frashëri dhe Ali Mema. Duhet të kishim luajtur në Kupë me ata në skuadër. Po ju kujtoj se Tirana ka fituar Kupën e parë të Republikës pas luftës dhe më pas kthyem titullin kampion te Tirana në vitet ‘60. Por, ka edhe të tjera…

BYLYKU-TIRANA-LOGO

Cilat janë?

Humbëm kampionatin e ‘67-ës për një sherr në derbi (historia dihet), që nuk ishte fare sherr. Për herë të parë në jetën time kam parë policë në dhomat e zhveshjes. Ne ishim njoftuar më para që do të përjashtoheshim. Një lojtar i Partizanit, që është këtej nga mëhalla jonë, një ditë më tha:

“Kujdes në ndeshje se do t’ju dënojnë…”. Më pas një miku ynë e përforcoi këtë situatë. Lymit (Allës) nuk ia thamë, se do të shkonte të zihej në federatë. Dhe më pas ndodhi sherri i madh dhe dënimi. Më pas një lojtarin tonë e morën në prokurori për deponim. Vulën e vuri shefi i zonës nga i cili vareshim ne, edhe ai tifoz i Partizanit. Na thirri dhe tha: “Na keni turpëruar para delegacionit kinez në tribunë”. Ky ishte motivacioni.

Fjalë qesharake e të rënda për atë kohë…

Më kujtohet një drejtor shkolle këtu në Tiranë bënte mbledhjen e këshillit pedagogjik ditën e enjte, që Bahri Ishka të mos vinte në ndeshjen e kontrollit. Dhe më e bukura është se shkolla ishte shumë pranë fushës sonë… Të mos flasim për Gëzim Kasmin që shkoi në Skrapar, Niko Xhaçkën në Pukë e më pas në Burrel, Skënder Hykën në Durrës, Ali Memën në Shkodër. Kishte edhe nga këto fjalë: “Me Gjermaninë Perëndimore bënin, këtu jo. Nuk i dua ata rrugaçë”.

Ndonjë rast tjetër?

Partizani do të nisej në Suedi për të luajtur në Europë dhe morën Tomorr Gjokën që ishte ushtar. Ne më pas fituam Kupën e Republikës me Besën dhe shkuam në Kupën Ballkanike. Do të luhej në Varna, Stamboll, Bukuresht, vajtjeardhje. Ama Tomorrin e hoqën drejtuesit e skuadrës tonë, me arsyen se kishte gjyshin armik. Ishin ata drejtues që kishin ardhur për të shkatërruar klubin. I thashë drejtuesit të klubit të asaj kohe se gjyshi i Tomorrit nuk ka lindur pas Tomorrit, por para tij… Nuk është faji i tij. E lanë në Tiranë. Në 1958-ën Tirana shkoi në një turne sindikatash në Bashkimin Sovjetik. Nipi i Qazim Mulletit, Bedri Stërmasi, ishte komshi me Telo Mezinin, këtu te “Fan Noli” ku ka jetuar edhe Todi Lubonja. Teloja ishte sekretari i Partisë i Tiranës, por firmosi që të dilte jashtë vendit. Shkuan me një avion “Tu-104” që nuk zbriti më në Tiranë. Sapo erdhi në Tiranë skuadra, Telo Mezinin e çuan në Sarandë.

Pse?

Sepse zbuti luftën e klasave… Rrapo Dervishi kohë më pas bëri një mbledhje për kalimin e Panajot Panos te Partizani. U mblodhën të gjithë drejtorët e Tiranës dhe më pyetën edhe mua. Nuk pranova dhe m’u kthye. Por pas pak ditësh vetë Rrapo vjen në stërvitje dhe me gazetë në dorë thotë para gjithë skuadrës: “Këtë kapitenin tuaj e kam kritikuar padrejtësisht”. Ja çfarë thotë organi i specializuar për këtë çështje. Që ai dhe Pano janë golashënuesit. Zyrtari duhet të pranojë gabimin. Në këtë moment ngrihet një nga lojtarët e ekipit, Enver Rada, dhe thotë që Bylyku ka gruan pa punë. Të nesërmen gruan time e futën në punë te dyqani i valutës, por Rrapo Dervishin pas kësaj ngjarjeje e çuan drejtor ndërmarrjeje në Laç. Pra, kush e ndihmonte Tiranën ndëshkohej rëndë. Raste të tilla ka sa të duash, me njerëz që na ndihmonin dhe sapo e bënin këtë, e pësonin dhe largoheshin nga kryeqyteti. Të vishje fanellën e Tiranës duhet të pranoje risqe.

Është folur që Tirana është favorizuar, duke marrë shtëpi, privilegje, bursa studimi…

Enver Shehut, që thonë se mbeti në komitet për një shtëpi, po ju them se këtë të fundit ia kam dhënë unë. Duhet ta pranoj se çdo njeri, tifoz i Partizanit, Tiranës, Skënderbeut, Dinamos e Vllaznisë na respektonte dhe ndihmonte me çfarë të mundej. E shihnin persekutimin që i bëhej skuadrës. Nuk e ke idenë se çfarë bënim që t’u merrnim sportistëve pesorëshin. Nuk e ke idenë se sa herë më thërrisnin në Komitetin e Partisë dhe thoshin që klubi është i të tërëve. U thosha se është i Tiranës.

A është e vërtetë që Xhelil Gjoni që ju ndihmonte?

Po, dy vjet ka qëndruar Xhelil Gjoni në krye të Tiranës. Përse e përmendin të shkretin?! Cila ka pasur më shumë fuqi, Byroja Politike apo Xhelili? Gjykojeni vetë…! Të mos i shqetësojmë ata që nuk janë më. Adil Çarçani, Ramiz Alia ishin tifozë të Partizanit, për të mos thënë të tjerë.

Federata ju ka përkrahur ndonjëherë?

FSHF-ja ose de fakto për një kohë të gjatë ka qenë Partizani. Shumë anëtarë të kryesisë ishin tifozë të Partizanit. Mund t’i them me emra, por nuk jetojnë edhe nuk është etike. Shumë prej tyre, zyrtarë të aparatit të Komitetit Qendror, pa folur për Beqir Ballukun. Dinamoja për Tiranën ka vetëm mëkatin e Skënder Halilit. Është edhe trofeu kur Dinamo e mori titullin me tetë penallti. Foto Çami më takon rastësisht dhe thotë: “Shko në federatë dhe thuaj t’ia japin Dinamos titullin”. Ia dhanë kampionatin me zor.

Po bazë materiale?

Para Ajaksit do të shkonim në Rumani të luanim një turne. Nuk kishim tuta. Shkova në klubin Partizani dhe kërkova të më bënin nder. Tek ata magazinat plasnin nga malli kinez. Kishte çdo gjë. Zyrtarët e Partizanit na bënë nder, por ata ishin plot. Partizani kishte konvaleshencën, hotelin, kurse ne asgjë. Bujar Shehu me basketbollin shkoi e luajti me Zardarin. Tetë topa morëm nga Partizani. Ishin kinezë. Kampionati ynë nuk kishte topa të tillë.

Ju po thoni që keni qenë një nga skuadrat më të goditura edhe për sa u përket kushteve?

Kur luanim, vinim nga Lushnja dhe ndalonim tek ish-shkolla e Riedukimit, pa hyrë në Kombinat. Shtriheshim dhe prisnim që të kalonte ora, derisa të shkonte mesnatë, sepse humbisnim dietën. Nga Rruga e Elbasanit ndalonim te karburanti. Për të ngrënë bukë, duhet të fitonte dikush në bilardo, sepse nuk kishte ushqim. Këto nuk guxonte t’i bënte kush te klubet ushtarake. Ne nuk kishim hotel si Partizani.

Ju akuzojnë se në ‘89-ën u shpikën norma për të dëmtuar Partizanin që të mos fitonte titullin?

Po çfarë normash! Një ish-lojtar dhe drejtues i Partizanit i shpiku normat. E thotë edhe vetë Neptuni.

Tirana ka pasur organizatë Partie?

Vetëm në vitin ‘69 dhe ai që e drejtonte kishte në dorë pjatalarësit, punëtorët e fushës e me radhë. Zyrtarët, sportistët nuk bëhet fjalë.

Është folur për një ndryshim të fundit emri nga Tirana, si qëndron e vërteta?

Po, është e vërtetë. Një propozim që është hedhur nga brenda klubit prej disa drejtuesve që nuk e kuptonin Tiranën. Thoshin: “Tirana e të tërëve”. Dhe meqenëse është e të tërëve, të quhet “Kongresi i Përmetit”. Një ide që e përkrahte edhe kryeredaktori i një gazete të madhe, josportive, si “Bashkimi”.

Çfarë nuk ju pëlqente tjetër në atë kohë sa u përket sjelljeve që kishin kundrejt Tiranës?

Më mërziste pa masë kur na quanin skuadra e rrugaçëve, burgaxhinjve apo e vagabondëve. Ne nuk jemi favorizuar nga askush. Si dolëm të përkëdhelurit e rrëgjimit? Për atë vit që flasin te Partizani, ne kishim nëntë lojtarë nga ekipi kombëtar. Por, tani vazhdojnë akoma, Partizani dhe kudo Partizani… Po ju kujtoj analizën e fundit të Lym Allës. Na mundi Partizani 4-0. Golin e fundit e shënoi Tomorr Shehu me gjoks. Ishte një analizë e gjatë me shumë figura të njohura. Manush Myftiu kishte dërguar disa zyrtarë që i njoftuan Lymit të rinovonte skuadrën. Dhe ai ua ktheu: “S’më ka pyetur Manush Myftiu cilin ka bërë drejtues ndërmarrjeje, drejtor apo kujt i jep shtëpi…”. Si kapiten më çoi dhe skuadra nuk bëri analizë. Në një analizë tjetër, Lym Alla tha: “Sot do të luftojmë kundër gjeneralëve, nëpunësve (ministrave), federatës, se na ndërronin arbitrin në sekondën e fundit. 11 me 11 le të fitojë më i miri”.

Neptun Bajko

Për fjalët e Perlatit apo Bajkos keni një reagim?

Asgjë. Thjesht që Perlati ishte një lojtar i jashtëzakonshëm. Ka bërë gjëra të mëdha në fushë, atdhetar e me radhë. Ama për këto gjëra nuk është i informuar. Për Neptunin, që e dua fort, mendoj se është nxituar. Do të ulem dhe të diskutoj me të. Tani të gjitha këto fjalë që thashë nuk janë urrejtje për Partizanin. Familjarisht kam kontribut për Partizanin. E kam veshur atë fanellë për herë të parë në Kategorinë e Parë. Kam dy tituj kampion dhe një Kupë. Beqir Balluku më mori pa më parë fare dhe më futi në ekip dhe nuk dua të dal kundër. Ama e pavërteta nuk duhet të triumfojë. Tirana nuk kishte mensë, hotel e me radhë. Te klubet ushtarake, po. Ne kishim vetëm dietat. Jashar Mezenxhiu, tifoz i Tiranës që drejtonte kryeqytetin, thoshte se unë kam qenë kryetar bashkie në Sarandë, Peshkopi, por jo në Tiranë. Ne edhe një motor për çiklizmin që morëm, na e dhanë pas një aksidenti. Më pas e përdornim ne të futbollit në mënyrë të parregullt për të bërë ndonjë udhëtim. Madje, njëherë shkova në Shkodër me të.

Pse shkuat në Shkodër?

Ka qenë dita e emërimit të Astrit Hafizit trajner i parë dhe u takova me drejtuesit e skuadrës. I pyeta si e mbanin skuadrën. Më thanë që ka marrë iniciativë Uzina e Telave që hiqte ushqim nga vetja për ekipin. Klubit i jepnin para, ndërsa Uzina e Telave hiqte diçka nga vetja. Gozhdë-Bulonat në Kavajë, Konservimi në Vlorë. Këtë bënte Trikotazhi në Korçë. Ne kishim dy ndërmarrje, llamarinat dhe karbitin, por ishin të këputura fare. Më pas kushtet u rregulluan, por nuk po tregoj menynë. Edhe për udhëtimet jashtë vendit kishim probleme të njëjta, madje edhe më shumë.

Që do të thotë?

Pas ndeshjes në Skoci, në Londër ne qëndruam nga ora 7 e mëngjesit deri në 11 të mbrëmjes. Pritej të shkonte kromi në Çeki që të paguheshin biletat. Partizani jo. Ne nuk ishim as si Vllaznia. Pesorëshi i famshëm nuk i jepej nga Nisharaku Ben Bukovikut. E kuptoni. Ben Bukoviku, lojtar i ekipit kombëtar. M’u desh që ta zgjidhja në prokurori çështjen, me dashamirësinë e tifozëve të Partizanit, Dinamos e Tiranës.

Shumë ankesa ka edhe për titujt pas karriere nga ana e lojtarëve të Tiranës?

Ne të Tiranës nuk marrim tituj, sepse jemi bardheblu. Të marrësh një titull duhet të kesh dy kampionate dhe një Kupë apo e kundërta si dhe tetëdhjetë për qind të ndeshjeve titullar.

Ama deklaratat në gazetë kanë qenë të forta?

Po kujt i vlejnë? Na përçajnë. Tirana, Partizani, Dinamo kanë bërë historinë e sportit dhe të Shqipërisë. Jemi miq. Dua të këshilloj çdokënd që merret me Tiranën, si fillim të merret me klubin e tij.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

 




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com