Legjenda e 17 Nëntorit, Nuri Bylyku: Më zbritën nga avioni se refuzova Partizanin, ja si e “provokoja” Panajot Panon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 17, 2020 | 0:15

Legjenda e 17 Nëntorit, Nuri Bylyku: Më zbritën nga avioni se refuzova Partizanin, ja si e “provokoja” Panajot Panon

Ka qenë futbollisti dhe kapiteni dy gjeneratave. Nuri Bylyku sapo ka festuar datëlindjen, por nuk tregon sa vjeç është, vetëm thotë se ka lindur më 10 prill të vitit 1937. Protagonist i dy brezave, në të parën si futbollist, në tjetrën si kapiten i 17 Nëntorit nga viti 1959 deri më 1967.

Bylyku sot logo

“Tirana të bënte futbollist, edhe kolektiviteti, fryma e mirëkuptimit, ishin disa aspekte që i bashkonte futbollistët me njëri-tjetrin rreth trajnerit e drejtuesve. Pa harruar tifozët e pandarë kudo, në shi, dimër e verë. Të pazevendësueshëm kanë qenë”, – shprehet Bylyku për panoramasport.al.

Z.Bylyku, ju kujtohet fillimi?

Edhe unë jam zbulim i Demnerit. Ka qenë viti 1954, 17-vjeç aktivizohem me skuadrën e futbolllit të Ndërmarrjes Mekanike ku punoja, që luan në Kategorinë e Dytë. I mirënjohuri Xhavit Demneri më sheh dhe më afron me të rinjtë. Dalim kampione, unë golashënues.

tirana foto logo

N. Bylyku me të rinjtë, në krah të djathtë me trajnerin Xhavit Demneri

Trajnerët E. Rada dhe B. Jakova më kërkojnë të shkoj te Puna, por Demneri me merr te Spartaku që përfaqëson Ndërmarrjen e Artizanatit, që e drejton ai vetë.

Dalloheni edhe si shënues…

Në ato fillime luaja në sulm, por në mesfushë vendosesha mirë, isha i saktë në lëvizje dhe fanatik në zbatimin e detyrave që jepte trajneri. Ishin vitet kur shfaqen futbollistë si R. Vathi; F. Radheshi, T. Toto, F. Vishka, I. Llanga, R. Kraja, I. Borova, S. Ohri, K. Buza, V. File, S. Guze, N. Brahja, P. File F. Vishka, M. Kosturi, T. Tafmizi, Sh. Beja, Z. Shehu, P. Dede, E. Demneri, A. Ruco,  R. Jashari, F. Vorpsi, H. Duçollari, me trajnerin e palodhur Xha Demneri.

Përballjet me marinarët e huaj në Currila, aty nisi karriera juaj, apo jo?

Në vitin 1956 më thirrën të kryeja shërbimin e detyruar ushtarak në Shkollën e Marinës në Durrës. Në fushën e Currilave zhvilloheshin ndeshje të forta, midis Shkollës tonë dhe marinarëve të huaj që me vaporë vinin në Durrës, takime që ndiqeshin nga shumë spektatorë. Pas një sfide të tillë, që u mbyll 7-0 për ne, ku unë realizova dy gola, Adem Karapici, trajner i Punës së Durrësit, kërkoi të më marrë në skuadrën e parë.

Por, ndërhyu Petrit Dumja dhe ju kërkoi te Partizani… E vërtetë?

Po, dikush e pat njoftuar Petrit Dumen, ndonëse ndeshjen nuk e kishte parë. Interesohet duke urdhëruar trasferimin si ushtar te Partziani. Takimin e parë me Partizanin e kujtoj, ka qenë një miqësore ndaj Besës, në “Qemla Stafa”, duke zevedësuar Simon Dedën me temepraturë. Pas takimit Dumja, zbriti në fushë e më thotë, do bëhesh lojtar i mirë, dhe do qëndrosh me Partizanin.

NDESHJA BYLYKU LOGO

Me Tiranën i treti nga e djathta në krah të Panajot Panos

Kur debutuat me të kuqtë?

Janë dy ndeshjet e para në kampionat, në mars të 57, Partizani-Spartak 0-0. Në këtë sezon Partizani u shpall kampion unë isha rezerva e parë për sulm. Skuadra drejtohej nga Spahiu dhe kishte në përbërje lojtarë kalibri, nga Maliqati, Topi, Deliallisi, Fagu, Papadhopulli, Baçi, Merja, Karja, Ndini, Haxhiu R., Resmja, Deda, Shllaku, Caushi, Karanxha, Vogli, Jashari.

Si është historia me trajnerin sovjetik Lukshimov?  

Në Shqipëri ndodhej trajneri sovjetik Leonid Lukshinov, që ndihmonte kombëtaren dhe Partizanin për Spartakiadën e Lajpcigut. Ai kishte luajtur me Zenitin e Leningradit, ndiqte ndeshjet dhe i pëlqeja. Në një takim ndërkombëtar Partizani-Admiral Tejec në “Qemal Stafa”, ishte ai që e nxiste Spahiun duke i thënë: “mallodoi cellovek”, “mallodoi cellovek” (fut të rinjtë). Kështu, unë u aktivizova në pjesën e dytë në vend të Krajës.

Donin t’ju “federonin” me një truk…

Duke e patur të vështirë të aktivizohem, i kërkova trajnerit të më kalonte te “Rezervat” apo “Shpresat” e Partizanit, edhe për faktin se fitorja shpërblehej me 300 lekë. Isha i porsafejuar dhe ajo shumë ishte ndihmë e madhe. Ata donin të më mbanin, por unë refuzoja, “nuk jam futbollist për Partizanin”, – i thoja. Tre ditë para se të shkonim në Lajpcig, mua dhe Bert Jasharin na thërret trajneri ynë, në Shtëpinë e Oficerave. Na jep një letër. Firmosni pak se me t’u kthyer nga Lajpcigu do shkojmë në Bullgari për një ndeshje. E marr dhe lexoj “jam dakord të rri kapter me Partizanin”. Reagova… “Është federim, – i them, – ndoshta e keni bërë gabim” dhe nuk firmosa. Ata shkuan të gjithë në Lajpcig, unë jo.

Ishte firma si ndëshkim që ju zbritën nga avioni?

Ndodhesha në pistën e fushës së aviacionit në Laprakë. Kujtoj pas I. Bellovës, Nj. Lleshit ndërsa po ngjisnin shkallët avionit, një motor ushtarak me shefin e klubit ndaloi. “Ku shkon ti” – më tha? “Aty ku po shkojnë të gjithë”, – iu përgjigja. “Jo, ti jo. Me lujt me Tiranën, ti të nxjerr sytë”. Zbriti Gani Merja, ndërhyri Sllavja, “çfarë po bëni më këtë”?, – i thoshin. “Është urdhër”, u përgjigjën ushtarakët. Zbrita nga shkallët, më dolën lot prej syve dhe me çantën në krah, hipur në një motor, u ktheva në shtëpi. “Po ti-  më tha baba”… dhe unë i tregova. Më thonë se do nisem në një repart ushtarak në Sarandë për të ndihmuar Butrintin. Gjithçka ishte e kombinuar. Pastaj me ndërhyrje deri sa u çmobilizova.

Ju mori Lym Alla dhe ju shënuat gol nga inati… Kështu është, apo jo?

Ishte fund tetori i 58-tës, Tirana sapo ishte kthyer nga një turne në Bashkimin Sovjetik. Me vëllanë, Tasin, takuam Lym Allën. “Eja në stërvitje”, – më tha ai. Trajnerët i ndiqnin kampionatet e ndryshme, merrnin informacion dhe për mua Bik Jakova, që më kishte parë e kishte thënë që ky mund të bëhet futbollist. Dola në stërvitje te fusha e Xhafajve, ose e Punës, ku ka qenë “Shqipëria e Re”. Në kushte jo të mira, por ka qenë e rëndësishme për kohën. Pastaj takimi i parë, i ri, sapo isha liruar, në një miqësore në “Qemal Stafa”, ku dolëm 2-2 dhe unë realizova një gol të paharruar. Nga inati…

bYLYKU5 LOGO

Kapiten me 17 Nëntorin e Allës e Shehut.

Çfarë mbani mend nga largimi i Panos nga Tirana?

Ka qenë viti 1959, kur Pano shkon te Partizani. Mendoni çfarë 17 Nëntori do të ishte me Panon në ato vite. Por, trajneri Alla, afroi lojtarë të talentuar nga Ç. Hysi, Hyka, Ishka, A. Mema, Dhales, Xhaçka, Kasmi, Kazanxhi, Bathorja, Elini, Tafajn, Cela, Habibi, Nurishmi, që i japin energji të reja, vrull, entuziazëm shpresë dhe dëshirë për të fituar, formacionit e tifozerisë.

A ishte ai fillimi i ciklit të madh epokal të 17Nëntorit?

Po, i tillë ka qenë ai 63-70-të. Tjetër filozofi e psikologji. Futboll shpërthyes, argëtues dhe me ambicje. Ajo ishte një dekadë me sfida të paharruara me protagonistë absolut, 17 Nëntor, që do të fitonte katër tituj kampionë dhe një të mohuar padrejtëisht në vitin 1967.

Si e përjetuat arrestimin e Skënder Halilit?

Qëndronim në dhomën nr 2 të Hotel Durrësit, në qendër të Tiranës, në krye të bulevardit. Ishim të grumbulluar, do luanin në Kupën e Kampioneve me një ekip norvegjez. Skënderi qëndronte me një tutë të kuqe që ja kishte dhënë Gani Merja, daja e tij, dhe çdo mengjes nga ballkoni përshendeste njerëzit që shkonin në punë. Tre ditë para se të shkonim në Norvegji, ka qenë ora 6 e 15 minuta e mëngjesit, kur ndaloi një “Gaz”, e lajmërojnë të zbresë dhe papritur e marrin me vete.

BYLYKU9LOGO

17 Nëntori (arkiv i N. Hykes). Nga e majta në këmbë, Mema, Frashëri, Halili, Bytyci, Bylyku (kap), Kasmi. Ulur nga e majta: Gjoka, Elini, Bukoviku, Xhacka, Verria

Çfarë, bëtë ju si reaguat?

Të gjithë po flinin, unë i hutuar, njoftova Lymin në shtëpi, pasi ai nuk qëndronte në hotel. Bashkë shkuam te zyrtat e federates, ku është sot shetitorja Toptani. Takuam drejtues të Komitetit Shtetror e atij Ekzekutiv. Lymi ishte i nxirrë në fytyrë nga dëshpërimi. Nuk do të shkoni as në Norvegji na thanë, se është arrestuar Skendër Halili. Në stërvitjen e asaj ditë erdhi Lame Konomi dhe na njoftoi zyrtarisht se nuk të luhej ndaj norvegjezëve.

Kapiten në pesë edicione dhe ndarja tek titulli i mohuar. Çfarë ju ka mbetur peng?

Kur Frashëri shkoi te Partizani të kryente shërbimin ushtarak, Lym Alla vendosi që shirtin e kapitenit të ma japë mua, kjo edhe nga dëshira e futbollistëve, por edhe e opinionit. Dhe po Frashërit ja kam dorëzuar, kur unë u largova. Nga dita që e mora kaluan pesë sezone dhe në kampionatin e vitit 1966-67, luajta fazën e parë në të dytën, qëndrova në stol. Isha 30 vjeç, kishte ardhur koha të ndahesha me futbollin, madje në mbyllje të atij edicioni. Në vendin tim luante Osman Mema, i ri dhe energjik. Por, ju e dini si u mbyll ai sezon, apo jo?

BYLYKU TIRANA LOGO

17 Nëntori kampion , 65-66

Mund të na e rifreskoni ju memorien?

Ka qenë 17 Nëntori-Partizani 2-1, e njohur me incidentin në korridoret e “Qemal Stafës” dhe vendimit absurd të FSHF-së për përjashtimin e të dyja skuadrave, tre javë para përfundimit, duke na i mohuar titullin kampion kur komandonim me diferencë pikësh dhe atë e mori Dinamo.  Ishte një zënkë në koridor midis Osman Memës me Agim Dizdarin që kishin fjetur bashkë te klubi i Partzianit. Unë isha mbrapa dhe e pashë çfarë ndodhi. Kishim një sinjal “bëni kujdes se duan shkak për t’ju përjashtuar”. 17 Nëntorin e dënuan pa asnjë motiv.

Si kanë qenë sfidat derbi për ju ndaj Partizanit?

17 Nëntori-Partizani i atyre viteve kanë qenë dhe mbeten ndër derbit e rrallë, të papërsëritshme, përballje sa sportive, aq politike brenda e jashtë fushës, sa të tensonuara, aq spektakolare, agresive, me finale të jashtëzakonshme për titull. Gjithmonë të shoqëruara me një interesim e tifozeri me thirrjet “Tirona, Tirona” për çdo vendim të arbitrarve e konsideruar padrejtësi. “Unë kam patur fatin t’i luaj ato takime në kulmin e tyre duke qenë kapiten e 17 Nëntorit.

Ka qenë edhe dueli i famshëm Pano-Bylyky…

Ka qenë një derbi brenda derbit… Me Panon u njoha kur shkova te Tirana e Lym Allës në vitin 1958. Pastaj përballë, kur ai ishte në majën e shkëlqimit, por luante me Partizanin. Për disa sezone dueli midis meje e Panos ishte një pjesë e rëndëshme e kësaj ndeshjeje. Pano nuk duhej nënvlerësuar në asnjë moment dhe unë e dija mirë, e njihja potencialin, psikologjinë dhe afëtsitë e tij. Por, edhe atmosferën, si e prisnin spektatorët.

I krijoja vështirësi, nuk e lija të luante me topin, sepse aty fillonte rrezikshmëria e tij, i qëndroja afër, ai nervozohej, e ngacmoja e bezdisja sistematikisht, shpesh edhe jo korrekt, duke përdorur të gjitha “mënyrat” për ta ndalur. Duhet të kryeja veprime të zgjuara me të, të ishe gjakftohtë, të mos shfaqje shenja nervozizmi. Ishte ide e Lym Allës tij që unë të luaja që në fillim kundër tij, pasi na njihte mirë të dyve.

foto bylyky logo

17 Nëntori kampion , 65-66

Shkojmë në turnetë ndërkombëtarë, çfarë ndodhte në ato kohë?

Sezonin 1964, 17 Nëntorin e caktuan në në Kupën Ballkanike. Në Varna ndaj Cerno Mores, Skënder Halilin e dëmtuan në kokë. As ndihma mjeksore e Todi Jankut, i marrë si masazhator, nuk mundi ta ndalë gjakun dhe nga minuta e katër ai ka luajtur me kokë të çarë. Në pushim i ra të fikët. Pastaj në Stamboll, 1-0 për 17 Nëntorin me një gol të shkëlqyer të Bukovikut në pjesën e parë, dhe në fund barazim 1-1 pas një gabimi të portjerit tonë. Një ndeshje betejë, kur tifozët vendës të acaruar i thyen xhamat e autobuzit pas takimit.

Çfarë kujtimesh keni nga ndeshja në Skoci ndaj Kilmarnok?

Turi i parë, në të parin përfaqësim në Kupën e Kampioneve ka qenë 17 Nëntori-Kilmarnok, 0-0 në “Qemal Stafa”. Pastaj kthimi. Në aeroportin e Londrës na priti vetë presidenti i klubit, i kënaqur nga mikpritja e Tiranës. Me një tren special, paguar prej tij, Londër-Gallzgou, disa orë udhëtim, na sistemuan në hotel “Marine”. Në dhomë flija me Kasmin e Halilin. Kilmarnoku ishte një qytet i vogël, me 40 mijë banorë, 36 km larg Gllazgout.

Bylyku golf logo

Skoci, Kilmarnos, Bylyku, Bytyçi, A. Mema, Kasmi duke luajtur golf

A ishte Madridi një shans i humbur?

Takimi u zhvillua në mbrëmje, rreth orës 20.00, në një stadium me tribuna karakteristike. Ka qenë një ndeshje ku topi ka dalë 2-3 herë nga fusha. Luajtëm me një uniformë të bardhë deveje që presidenti i klubit na bleu. Mikel Janku, i marrë si përforcim, ka qenë i jashtëzakonshëm, sidomos në pjesën e parë. Goli i tyre u shënua në minutën e 76-të, pas ekzekutimit të një faulli. E kujoj atë takim, se nëse barazonim, do të zhvillohej një i tretë në Madrid.

Si një ish-kapiten i 17 Nëntorit legjendar, çfarë nuk do të donit të kujtonit sot?

Ndeshjen e anuluar 17 Nëntori-Elbasani, kur arbitri akordoi një gol kundërshtarit, pasi ngatarroi kapelen e portjetit Met Metanit, sikur ajo kishte kaluar vijën e portës dhe jo topi. Finalet me Besën për Kupën e Shqipërisë, 2-3 në Tiranë dhe 1-0, në Kavajë dhe ne që morëm kupën me penalltitë që priiti Ali Mema. Ka qenë prill 1963, dhe ky është trofeu i parë, për të ardhur te 65, në Lushnje kur 17 Nëntori mori titullin e parë historik kampion. Pastaj në tjetër të atij viti, kur në “Qemal Stafa”, 17 Nëntori Partizani 0-1, gol i Qolljes, që pas atij takimi nuk e kam parë më, ndodh “shembja”. Pa ditur se çfarë ka ndodhur bashkë me Lin Shllakun si kapitenë, i thamë arbitrit ta mbyllë ndeshjen. Pastaj me Dinamon, sapo ishte arrestuar Skënder Halili, e djelë në “Qemal Stafa”, 3-0 me tre gola të Xhaçkës.

Bylyku Baci logo

Nuri Bylyku, drejtues në klubin 17 Nëntori, duke i dhënë kupën e Spartakiadës, futbollistit M. Baçi.

Ajo është ndeshja e parë që Perikli Dhales luajti me 17 Nëntorin, duke zëvendësuar Halilin. Dhe 1966, në një finale spektakolare, me Partizanin, kur kampionati u mbyll me pikë të barabarta, sipas rregullores do të luhej takimi final: Në “Qemal Stafa”, të mbushur 2-1 për ne me gola të Kazanxhiut, Ishkës. Për mua si kapiten ishte trofeu i tretë radhazi, bashkë me kupën. Dhjetorin 68-tës, 14 ditë rrugëve vetëm për një mqiësore në Algjeri, një takim që u dominua nga 17 Nëntori me dy gola të Bukovikut dhe Ishkës, aq sa tifozët bërtisnin në frengjisht “Äncora fua” (edhe një edhe një tjetër). Aty erdhi ambasadori shqiptar Musin Kroji i entuziazmuar na tha: Atë që bëtë ju si 17 Nëntori në 90-të minuta, nuk e kam bërë unë si ambasador në katër vite.

Nuk harroj futbollistët E. Shehun,  E. Radën, O. Recin, M. Metanin, S. Strugën, N. Ballën, G. Caushin, T. Bacin, B. Stermasin, A.Verrinë, Babocin, P. Panon, Beliu, Elini, G. Saraçi, P. Ikonomi, Halili, Kasmi, Frashëri, Baboçi, A. Mema, P. Bukoviku, Ç. Hysi, B. Ishka, T. Gjoka, Bytyci, S. Hyka, Xhaçka, trajnerët Alla e Shehu. Pastaj aktiviteti në klub si zyrtar, fitimi I Spartakiadës. Edhe të fundit, që nuk kam luajtur asnjë ndeshje me ekipin kombëtar…

TIRANA BAMIR TOPI BYLYKU LOGO

Foto e ish-lojtarëve të 17 Nëntorit në një takim festiv

Z Bylyku si e kaluat përvjetorin e lindjes?

Sigurisht do të doja ta festoja me miq e shokë, por në të tillë situatë është e pamundur të organizoja diçka festive. Vetëm me familjen, mbesa e nipër, e masa mbrojtëse. Pastaj telefonatat nuk më kanë munguar.

BYLYKU PANO LOGO

Futbollistë të njohur të viteve 60-70 me ish-Presidentin e Republikës, B. Topi

UVIL ZAJMI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"