EKSKLUZIVE / Legjenda Boniek rrëfen 24 orët nga tragjedia e Hejsel te nata e Tiranës: Shqiptarët më mbajtën 1 orë në ajër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 12, 2021 | 15:30

EKSKLUZIVE / Legjenda Boniek rrëfen 24 orët nga tragjedia e Hejsel te nata e Tiranës: Shqiptarët më mbajtën 1 orë në ajër

“Ke vetëm 5 minuta kohë. Shfrytëzoji mirë se jam me miqtë duke parë ndeshjet. Pranova të flas kaq vonë vetëm se ta kisha premtuar…”. Kështu nis intervista me Zibi Boniekun, legjendën e futbollit polak, që pranon të flasë ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ishte ora 21:23 e së premtes kur ai telefonoi dhe nuk e “mbajti fjalën” sepse intervista zgjati në të vërtetë 7 minuta e 49 sekonda. Na ishte dashur më shumë se një javë të negocionim me ish-futbollistin e famshëm të Juventusit dhe të Romës, pasi kolegu ynë Ermal Kuka na siguroi numrin e tij të telefonit. “Me Shqipërinë do të jetë ndeshje e vështirë, por ne kemi Levandovskin. Kam shumë respekt për ju dhe për skuadrën tuaj, por Polonia në këtë ndeshje niset si favorite”, vazhdon Boniek.

boniek

Z.Boniek, çfarë ju vjen ndërmend kur dëgjoni fjalën “Shqipëri”?
Doni t’ju përgjigjem ndershmërisht?

Po, sigurisht.
Një popull shumë krenar, por më duhet të them se vendi juaj më ka bërë përshtypje edhe për diçka tjetër, kur unë erdha aty në vitin 1985.

Çfarë ju ka bërë përshtypje?
Më bëri përshtypje si i vetmi kryeqytet ku pashë vetëm biçikleta dhe asnjë makinë. Zero, asnjë makinë. Kjo më ka ngelur në mendje…

Besoj e dini se në ato vite Shqipëria ishte një vend komunist dhe praktikisht i izoluar…
Po, po, e di.

A e mbani mend udhëtimin tuaj në Shqipëri më 30 maj të vitit 1985?
Po, natyrisht që po. Ka qenë me shumë peripeci, sepse unë nuk erdha me skuadrën kombëtare. Në Tiranë kam ardhur ditën e ndeshjes, më 30 maj, ndërkohë që një ditë më parë kisha luajtur finalen e Kupës së Kampioneve që Juventusi fitoi kundër Liverpulit në Hejsel.

Si ka mundësi që luhej një ndeshje kombëtaresh një ditë pas finales së Ligës së Kampioneve?
Eh, sot duket e çuditshme, por atëherë ishte normale. UEFA dhe FIFA ende nuk kishin vendosur orarin europian të ndeshjeve ndërkombëtare. Mua m’u desh të luaja dy ndeshje në harkun e 20 orëve. Dhe nuk ishin pak, por një finale e Ligës së Kampioneve dhe një ndeshje e rëndësishme me kombëtaren, sepse luhej kualifikimi ynë në Botëror.

Dhe ju shënuat gol…
Po, për fat shënova. Ishte një ndeshje e vështirë, por mendoj që e merituam.

Boniek gjatë ndeshjes kundër Shqipërisë

Boniek gjatë ndeshjes kundër Shqipërisë

Le të kthehemi pak te ndeshja e vitit 1985, si është e vërteta e udhëtimit tuaj në Tiranë?
Unë kisha luajtur me Juventusin më 29 maj në finalen e Kupës së Kampioneve kundër Liverpulit. Më 30 maj, pra një ditë më pas, luante edhe Polonia kundër Shqipërisë. E pata njoftuar klubin e Juventusit se çfarëdo që të ndodhte dhe sido që të shkonte ndeshja e Hejselit, unë do të isha në Shqipëri për ndeshjen. Ata e kishin miratuar kërkesën time.

Për më tepër që ishte një finale me incidente tragjike…
Po, për fat të keq…

Dhe çfarë ndodhi pas finales me Liverpulin?
Një ditë më pas, diku nga dreka u nisa me çarterin që kishte siguruar klubi i Juves drejt Tiranës. Por, udhëtimi i parë shkoi huq. Nuk zbarkova dot.

Pse?
Sepse avioni nuk mori leje nga autoritetet e Tiranës për t’u ulur. Mbaj mend kemi qëndruar rreth një orë mbi qiellin shqiptar dhe nuk uleshim dot në pistë.

Më pas çfarë ndodhi?
Piloti u detyrua ta ulte avionin në Bari. Pritëm aty për rreth dy orë, deri sa erdhi konfirmimi dhe më pas u nisëm sërish. Arrita në Tiranë rreth orës 14:15 pasdite.

Po më pas?
Më pas bëra pak nxehmje me skuadrën dhe luajtëm. Unë shënova golin e fitores në një ndeshje që ishte vërtet shumë e luftuar.

Çfarë përshtypjesh ju la Shqipëria e asaj kohe?
Më pritën mirë dhe përfitoj nga rasti që ta përshëndes gjithë popullin shqiptar. Një falënderim zemre nga unë.

A njihni ndonjë futbollist shqiptar që luan në Poloni?
Po, Ernest Muçi që luan te Legia e Varshavës. Dhe më pëlqen shumë. Është një futbollist i zoti, për të cilin kam folur edhe me mikun tim, Armand Duka. Gjatë një bisede telefonike që pata me të, i thashë se Muçi është vërtet një lojtar i mirë.

JETMIR HALILAJ – PANORAMA SPORT

*Ky artikull është ekskluzivisht për “PanoramaSport.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pa vendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"