EKSKLUZIVE/ Largimi nga Lushnja, flet Tetova: Kam folur me kryebashkiaken, vendim personal

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 1, 2022 | 15:49

EKSKLUZIVE/ Largimi nga Lushnja, flet Tetova: Kam folur me kryebashkiaken, vendim personal

Lushnja nuk po gjen qetësi, mbetet sërish pa trajner. Vendim surprizë i Edlir Tetovës, dorëzon pankinën e verdhejeshilëve. E drejtoi vet ekipin në miqësoren me Besën (që e fituan në shifrat 4- 2), por më pas u dha dorën lojtarëve. Një veprim që u duk i çuditshëm fillimisht, por në fund u kuptua. Ishte një takim lamtumire, pasi nga sot nuk do të kthehet më në qytet. Vendimin e tij ai e komunikoi enkas për “Panorama Sport”, gjatë intervistës së dhënë pas ndeshjes. Pasi analizoi atë çka pa në fushë, në fund shpalli “divorcin”.

EDLIR TETOVA 1 (1)

Fituat 4-2 kundër Besës. I kënaqur me paraqitjen?
Jam shumë i kënaqur nga ajo që skuadra dha në fushë. Ka treguar rritje nga ndeshja e kaluar miqësore. Kurba e ngarkesave fillon e bie, ndaj edhe kjo jep efekt. Rëndësi ka që grupi ka qenë i bashkuar.

Kishit edhe mungesa, që po kthehen në “gangrenë…
Nuk ishin Ruço dhe Pepa, gjithashtu edhe Gjyla. Më vjen keq që ky i fundit nuk ka pasur minutazh… Ekipi po merr formë sidoqoftë. Tani të shikojmë se si do të zgjidhet në kampionat.

Erdhën edhe golat e ekipit. Çfarë ka ndryshuar në sulm?
Më tepër më pëlqeu freskia dhe ekuilibri i ekipit, edhe pse Besa kishte momentet e veta të mira. Megjithatë, ne flasim për ekipin që drejtojmë. Unë jam shumë i kënaqur nga ajo që dhanë lojtarët në fushën e lojës si në pjesën e parë edhe në të dytën. Ishte për t’u veçuar goli i Cankës. Nga interpretimi ishte një gol i pjekur. Ai pa daljen e portierit dhe e ngriti topin sipër portierit. Edhe ai i të riut Sadiku. Janë për t’u përgëzuar të gjithë. Nga i pari tek i fundit. Më ka pëlqyer stërvitja që kanë bërë gjatë kësaj kohe. Kanë qenë shumë të impenjuar. Por rikthimet e Pepës dhe Ruços janë të domosdoshme.

Në fund të miqësores u përshëndetët me lojtarët. Cila ishte arsyeja?
Arsyeja: po largohem nga Lushnja. Është vendim totalisht personal. Kam biseduar me presidenten Eriselda Sefa dhe kemi lënë një bashkëpunim të hapur për të ardhmen. Ndoshta në një moment tjetër, sepse tani po iki për arsye personale. Asgjë më tepër.

Keni lënë një opsion?!
Për një rikthim ndoshta, por në një moment tjetër, në një moment të dytë. Sot (dje) po largohem për arsye personale. Asgjë më tepër. Një falënderim për të gjithë tifozët për mbështetjen që më kanë afruar. Pavarësisht se rezultatet nuk kanë qenë të mira.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"