EKSKLUZIVE/ “Largimi i Troisit ka qenë i nevojshëm”, Mezani: Duhet të ngjitet patjetër, Longo e ka detyrim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 15, 2023 | 12:15

EKSKLUZIVE/ “Largimi i Troisit ka qenë i nevojshëm”, Mezani: Duhet të ngjitet patjetër, Longo e ka detyrim

Gentjan Mezani e sheh Flamurtarin të ngjitur, ndonëse rruga tashmë do të jetë e gjatë dhe e vështirë. Dhe këtë e quan një detyrim të Diego Longos, që e pranoi këtë sfidë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-trajneri komenton edhe largimin e Marcelo Troisit. Mendon se ishte një lëvizje e domosdoshëm për vetë rrjedhën që mori situata.

Gentian-Mezani

Tekniku që ka drejtuar edhe Luftëtarin, Laçin e Gjilanin gjatë karrierës së tij, thotë se vlonjatët duhet të tregoheshin më të kujdesshëm në ndeshjet me rivalët direkt. E megjithatë, ka një porosi për “play off”-in. Beson se do t’i kalojnë tri ndeshjet shtesë, por duhet të jenë të kujdesshëm.

Mezani, a e keni ndjekur Flamurtarin?
Po, po, sigurisht që po e ndjek. Është skuadra ime, që më bëri trajner dhe ka një vend të padiskutueshëm tek unë dhe në karrierën time. Skuadra humbi shansin për ngjitjen direkte.

Dështim?
Realisht më erdhi keq që nuk arriti të ngjitej direkt në Superiore. Duhet të ishin treguar pak më të kujdesshëm në ndeshjet direkt, pasi ato rezultuan vendimtare.

Çfarë duhet të bëjnë për të kaluar “play off”-et?
Mendoj se gjëja kryesore në këto momente është mbështetja maksimale e drejtuesve dhe tifozërisë kundrejt skuadrës, që duhet të mendoj vetëm për ndeshjet e radhës. Kjo është një fazë shumë delikate, pasi në pak javë do të luhet gjithë sezoni dhe skuadra duhet të ketë qetësinë dhe motivimin e duhur, sepse mendoj që kualiteti dhe cilësia nuk i mungon.

A do të ngjitet Flamurtari në Superiore?
Personalisht shpresoj dhe uroj që të ngjitet në elitë, pasi Flamurtari po i mungon këtij kampionati. Ju e ndoqët ndeshjen me Dinamon, si ju duk skuadra? Po, e ndoqa dhe mendoj që në skuadër ka cilësi dhe mundësitë për të arritur objektivin i kanë.

Si i vlerësoni akuzat e Idrizit për ndeshje të shitur dhe për faktin që do ta çojë në Prokurori, duke akuzuar gjykimin?
Duke mos qenë në klub, nuk mund të jap një mendim, pasi nuk i njoh situatat për të cilat më pyesni. Shpresoj shumë që skuadra të arrijë objektivin Superiore, pasi investimi i presidentit duhet shpërblyer. Është detyrim i lojtarëve dhe i stafit që të fokusohen në këto ndeshje dhe të japin maksimumin.

Troisi u largua dhe në stol është Longo. E vlerësoni lëvizje të drejtë?
Mendoj që nëse u mor ai vendim, do të thotë që ka qenë i nevojshëm. Tani është detyrim i trajnerit Longo që këtë skuadër ta rikthejë në Superiore. Ja uroj shumë këtë gjë. Me çfarë po merreni aktualisht, keni oferta për sezonin e ri? Momentalisht po ndjek të gjitha ndeshjet e kampionatit dhe sigurisht që do të merrja parasysh çdo ofertë për sezonin që vjen.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"