EKSKLUZIVE/ “Largimi i Egbosë, gabim i madh”, ish-trajneri Gëzdari: Tirana humbi një shans, Emanuelin e fajësoj sepse… (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2020 | 22:17

EKSKLUZIVE/ “Largimi i Egbosë, gabim i madh”, ish-trajneri Gëzdari: Tirana humbi një shans, Emanuelin e fajësoj sepse… (E PLOTË)

Vetëm pak ditë më parë ish-sulmuesi i njohur i Tiranës, Edmond Gëzdari mori titullin “Mjeshtër i madh”. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Mondi siç e thërrasin të gjithë, flet për vlerësimin, por edhe Tiranën. Pohon se çmimet nuk duhet të jenë veçse morale, ndërsa qorton bardheblutë për largimin e Emanuel Egbosë që sipas tij nuk duhet të ndodhte.
edmond-gezdari-640x430

Si është të merrni një titull “Mjeshtër i madh”, pas një karriere të gjatë në sport?

Është një vlerësim që të jep shteti për ata që kanë kontribuar për sportin. Nuk e kam fjalën vetëm për Mondin, por të gjithë shokët e mi. Të gjithë ata që kanë dhënë për sportin ku kanë luajtur, por sidomos për ne që e nisëm jetën me topin dhe e mbyllëm karrierën po në të njëjtin profesion.

Personalisht dola në pension po me topin. Pra veç futbollit që luajta, trajningut, angazhimit në federatë e me radhë nuk i jam shkëputur. E thënë më qartë: i bie që prej ditës që kam ecur e deri më sot unë jam lidhur me këtë sport, kam kontribuar për këtë sport. Sigurisht, unë jam një prej të shumtëve që kanë dhënë gjithçka për sportin.

Shteti mund të kishte bërë më shumë për këta sportistë që kanë marrë titull?

Sigurisht që po. Për shumë nga ne nuk mjafton që të marrë një titull, një dekoratë, letër falënderimi. Koha ka ndryshuar. Të gjitha këto shpërblime morale nëse mund t’i quajmë kështu duhet të shoqërohen edhe me një bonus për këta njerëz kanë kontribuar.

Sigurisht nëse e mendon kështu edhe shteti, brenda mundësive mund të bëjë gjëra të tilla realitet. Pra dekorata të mos jetë vetëm një stimul moral, por të gjithë të marrin edhe një shpërblim financiar.

Keni një opinion për Tiranën, pas titullit që erdhi në 100-vjetor dhe ndeshjeve të Europës?

Isha i sigurt që mund të bënte mirë pas ndeshjeve në Europë. Mund të kishte ulje në momente të caktuara sepse nuk kishte pushim. Gjithsesi, duke mos pasur pushim dhe duke qenë në aktivitet Tirana në fund duhet të ishte pak më mirë se të gjithë skuadrat e tjera. Dihet që skuadra kishte luajtur më shumë se ekipet e tjera.

Si mendoni për eliminimin nga turi i dytë i Kupës nga ana e Korabit?

Unë nuk e quaj gabim eliminimin e skuadrës nga Kupa dhe nga Korabi. Atë ndeshje e humb çdo skuadër në botë sepse shkon me mendjen që je i kualifikuar dhe merr surprizën. Ndeshja është 90 minuta dhe nuk ke mundësi të rregullosh ndonjë gjë në ndeshjen e dytë. E njëjta gjë i ndodhi vjet Partizanit me Besëlidhjen. Çdo skuadër gabon një takim. Tani 100 herë të luajë me Korabin do të fitojë Tirana.

Korabi

Gjithashtu, kjo nuk ishte ndeshja për t’u bërë shembull. Dhe më e rëndësishme, kjo nuk është ndeshja ku duhet të bëhej fajtor trajneri sepse skuadra një ndeshje e fiton edhe vet. E kam thënë, që gjithmonë ka ndeshje që skuadra e fiton pa skemat e trajnerit, pa idetë apo taktikën e trajnerit. Ja që ndodhi dhe pastaj nuk më pëlqeu largimi i trajnerit.

Ju jeni kundër largimit të Egbosë?

Sigurisht. Jam kundër largimit të trajnerit. Çdo trajner duhet të jetë atje. Ai e ka marrë nga vendi i dhjetë Tiranën dhe e çoi në vendin e parë. Çfarë ndodhi se u largua nga Kupa. Nuk është një qamet. U mund nga Teuta? Jemi në javën e dytë. Ishte një ndeshje që duhej harruar.

Egbo Tirana

Si iu është dukur zëvendësimi i lojtarëve të larguar sezonin e kaluar me atë të tanishmin? Nëse unë do ta kritikoja Egbonë është fakti që ai nuk e ka pasur fuqinë për të mbajtur ata që ka dashur dhe hequr e afruar ata që ka dashur. Skuadra është bërë nga të tjerë dhe jo nga ai. Atij i kanë dhënë atë brumë. Me atë ka punuar.

Si iu është dukur zëvendësimi i lojtarëve të larguar sezonin e kaluar me atë të tanishmin?

Nëse unë do ta kritikoja Egbonë është fakti që ai nuk e ka pasur fuqinë për të mbajtur ata që ka dashur dhe hequr e afruar ata që ka dashur. Skuadra është bërë nga të tjerë dhe jo nga ai. Atij i kanë dhënë atë brumë. Me atë ka punuar.

Tirana mund ta mbrojë sërish titullin?

Skuadra është. Skuadra ka probleme në sulm, jo me lojtarët, por me mënyrën sesi sulmon. Për më tepër që largimi i Ngosë e ndonjë tjetri si Doka ishin 40 për qind e skuadrës. Është e vështirë që Tirana të përsëritet këtë vit, por dua që Tirana të dalë kampione. Jam tifoz i saj dhe nuk e mohoj, por nuk e shoh deri në finish.

Cilën skuadër shihni për titull kampion?

Personalisht shoh Teutën për lojën dhe organikën që ka. Partizanin nuk e kam parë një 90 minutësh. Shoh Laçin. Kukësi edhe është edhe nuk është prezent. Gabimi i Tiranës është fakti që nuk mbajti skuadrën fituese. Nëse do të mbante grupin e vitit të shkuar do ta kishte më të thjeshtë të përsëriste veten dhe do ta merrte kampionatin. Tani do ta ketë më të vështirë.

Futbolli juaj apo ky i tanishmi?

Ju dhe shumë të tjerë nuk keni bërë materializëm dialektik. Dialektika është shkencë dhe thotë që kurba e zhvillimit shkon gjithmonë lart. Ka momente që ecën drejt, por më pas vazhdon ngjitjen. Shkoni kohën tonë dhe këtë aktualen. Shihnin pamjet televizive dekadë pas dekade. Shihni lojtarët që ecin përpara.

edmond-gezdari

Në kualitetin teknik ne ishim më të kompletuar. Tani lojtarët kanë më pak bagazh teknik, por futbolli i tillë është. Futbollistët atëherë e qanin lojën me top. Tani luhet me pasa të shpejtë, por nuk është faji i lojtarëve të tanishëm. Kanë ndryshuar skemat. Për mua, futbolli i sotëm është në avantazh nga futbolli ynë.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"