EKSKLUZIVE/ Largim misterioz te Kukësi, afrimi i verës kërkon letrat. Klubi i bën gati… gjobën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2020 | 8:18

EKSKLUZIVE/ Largim misterioz te Kukësi, afrimi i verës kërkon letrat. Klubi i bën gati… gjobën

Mbrojtësi i djathtë, Sadik Vitija, u afrua me bujë te Kukësi në merkaton e verës, por në këto javë të para, atë nuk e kemi parë në asnjë ndeshje të luajë me verilindorët në fushë, në këto dy javë të para të kampionatit.

vitija

Që para ndeshjes me Partizanin, mbrojtësi kosovar nuk është parë në stërvitje me skuadrën verilindore, duke ngritur dyshime për të ardhmen e tij. Një mungesë misterioze kjo, për të cilin nuk ka një sqarim nga vetë klubi i Kukësit dhe nuk dihet. Gazeta ka kërkuar një reagim zyrtar në klub, pasi lojtari nuk është paraqitur në stërvitje dhe ka pasur dyshime për “COVID” si rasti Gega, por deri më tani s’ka një sqarim. Lojtari ka qenë i pakënaqur nga fakti se nuk është aktivizuar aspak në kampionat dhe në ndeshjet e Kupës, plus nuk i ka pëlqyer ambienti dhe mënyra e jetesës në Shqipëri.

Ai ka mbetur i zhgënjyer me drejtuesit e klubit pasi ato çka i ishin thënë para se të firmoste me ato që pa realisht, ishin larg, prandaj është larguar në mënyrë të njëanshme drejt Zvicrës ku ka dhe familjen. Mbetet për t’u parë se si do zgjidhet, pasi lojtari ka kërkuar letrat. Vitija ka firmosur për 2 vjet dhe gjasat janë që klubi të gjobisë lojtarin për mungesën në stërvitje dhe ta paralajmërojë atë për masë drastike, nëse vazhdon të mos paraqitet.

Gjithsesi, “Panorama Sport” mëson se palët aktualisht po negociojnë që lojtari të rikthehet. Që mbas humbjes me Tiranën drejtuesit e Kukësit kanë mbyllur çdo kanal komunikimi me ekipin, pasi është vendosur heshtje për shtyp. Sakaq, Vitija ka luajtur me ekipet zinxhir të moshave të Zvicrës U15, U16, U17, U18, U19, U20.

Në kampionatin zviceran, Vitija ka luajtur me Zurich, Vaduz e Schaffhausen. Mbrojtësi i djathtë erdhi te Kukësi në limitin e merkatos dhe në klub ishin të bindur se kishin marrë zëvendësuesin ideal të Edis Maliqit, që u largua në Kroaci pas përfundimit të sezonit. Megjithatë, duket se gjërat nuk po shkojnë sipas parashikimeve. Për pozicionin e mbrojtësit të krahut, Gega ka përdorur këtë periudhë Lulajn, Dragoshin dhe Bytyçin.

SKERDILAID SULOZEQI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"