EKSKLUZIVE/ Lamtumira e Duros nga Laçi: Kam lënë ekip për titull, do pranoj ofertë nga klub me ambicie të larta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 17, 2021 | 0:09

EKSKLUZIVE/ Lamtumira e Duros nga Laçi: Kam lënë ekip për titull, do pranoj ofertë nga klub me ambicie të larta

Shpëtim Duro shkroi historinë me Laçin, duke kaluar dy ture në Ligën e Konferencës, por nga dje ai mund të quhet ish-trajner i kurbinasve, pasi kontrata me klubin bardhezi nuk u rinovua edhe për një sezon tjetër.

Shpetim Duro logo

Ekskluzivisht për “Panorama Sport”, Duro ka bërë të ditur në orët e vona të mbrëmjes së të dielës arsyet e këtij largimi.

“Mund t’ju konfirmoj se nuk jam më trajner i Laçit, duke mbyllur këtu një cikël të suksesshëm dhe historik për klubin kurbinas. Jam krenar që hyra në historinë e këtij klubi.

Mendoj se kam arritur maksimumin me këtë skuadër dhe tashmë sigurisht do të shikoj për sfida të reja. Ishte një ndarje me mirëkuptim me drejtuesit. Falënderoj të gjithë skuadrën për çfarë kanë arritur, duke hyrë në historinë e klubit. Gjithashtu, falënderoj drejtuesit dhe gjithë bashkëpunëtorët e mi që kanë punuar me profesionalizëm. Falënderoj tifozët laçianë që më kanë mbështetur gjithmonë. Ka qenë një verë e lodhshme, por shumë e bukur. Kam nevojë për pak pushim”, deklaroi fillimisht Duro, ndërsa theksoi se në vijim mund të marrë një skuadër me ambicie të mëdha.

“Patjetër që do të pranoj bashkëpunimin me një klub që ka ambicie të larta. Besoj aty do të më shikoni në vijim. Sa i përket Laçit, dua të theksoj se kam lënë një ekip të fortë dhe ashtu si në sezonin e fundit, jam i bindur që do të jetë pretendente për titull edhe këtë kampionat me një produkt pothuajse timin. Çdo trajner që do të vijë, e ka gati skuadrën dhe e nisi kampionatin nga fillimi, ndërsa unë e mora Laçin me minus 9 pikë nga kreu në sezonin e kaluar”, përfundoi trajneri 61-vjeçar.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"