EKSKLUZIVE/ Lacio e shet për 40 milionë euro, Foto: Ja kush vendos për Thomasin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 17, 2018 | 23:55

EKSKLUZIVE/ Lacio e shet për 40 milionë euro, Foto: Ja kush vendos për Thomasin

Thomas Strakosha është bërë çështje e ditëve të fundit në merkaton italiane. Portieri i Kombëtares është në listën e dëshirave të Liverpulit, por edhe të Bajer Leverkusenit. Madje, kjo e fundit bëri edhe një ofertë në adresë të skuadrës kryeqytetase në Itali. Mediat italiane kanë zbardhur edhe kushtet që kërkon klubi italian për të lënë të lirë gardianin kuqezi. Lidhur me këtë situatë ka folur edhe i ati i tij, Foto.

fototomasstrakosha

Ekskluzivisht për “Panorama Sport”, ishkapiteni dhe legjenda e Kombëtares shqiptare të futbollit prononcohet rreth ofertës dhe interesimeve që ka në adresë të të birit.

ÇMIMI – Disa vite më parë, Strakosha ishte një portier i huazuar te Salernitana, një skuadër satelit e Lacios në seritë e ulëta italiane. Mirëpo, drejtori sportiv Tare, siç i besoi në start për ta transferuar në Itali nga Greqia, e thirri shqiptarin në skuadrën kryeqytetase.

Një sezon në hije të Marketit dhe Etrit Berishës, i shërbyen Thomasit që të fitonte besim dhe maturi. Një vit më parë, dëmtimi i Marketit bëri që gardiani shqiptar të gradohet titullar. Nisur nga interesimet e shumta aktuale për shërbimet e portierit, presidenti Lotito ka caktuar një çmim. Mediat italiane bëjnë me dije se Lacio nuk do të heqë dorë nga gardiani, pa të paktën 40 milionë euro. Deri më tani, Liverpul apo edhe Bajer Leverkusen, janë përfolur për oferta deri në 30 milionë euro.

strakosha hysaj

Nisur nga eksperienca e viteve të fundit me talentet, drejtuesit bardhekaltër kanë bërë rezistencë për largimin e tyre, duke përfituar maksimalisht. Mjaft të kujtohet që Thomas Strakosha i ka kushtuar Lacios vetëm 75.000 euro.

BABAI – Legjenda e portës së Kombëtares shqiptare është tashmë në rolin e admiruesit të të birit, por edhe të këshilluesit të tij, për çfarë duhet të korrigjojë apo çfarë duhet të bëjë që të ketë një karrierë në ngjitje. Në rolin edhe të një menaxheri në ditët e sotme, një fjalë e thënë nga Foto Strakosha është më shumë se këshillë për të birin Thomas. I kontaktuar nga gazeta, ishkapiteni i Kombëtares shqiptare është i rezervuar në fjalët rreth situatës së të birit.

Foto dhe Thomas Strakosha

“Oferta për Tomin? Nuk kam shumë komente për të bërë”, përgjigjet prerazi, por me shumë mirësjellje legjenda e portës shqiptare. Duke insistuar për një përgjigje prej tij, Foto Strakosha tregon ekskluzivisht për “Panorama Sport” se cili do të vendosë të ardhmen e portierit. “Ai është i lumtur te Lacio. Do të jetë pikërisht klubi që do të vendosë të ardhmen e tij”, deklaron gardiani legjendar i Kombëtares, që tashmë sheh të realizohen ëndrrat e tij tek i biri, i cili po ngjit shpejt shkallët e karrierës drejt suksesit.

LIVERPULI – Lacio ka gjetur një zëvendësues për Thomas Strakoshën dhe interesimet e shumta për gardianin kuqezi mund të bëjnë klubin kryeqytetas që të heqë dorë nga shërbimet e shqiptarit. Mediat italiane dhe ato britanike bëjnë me dije se Liverpul do të insistojë për shërbimet e Strakoshës, ndaj pritet një ofertë zyrtare prej tyre.

OLSI TUJAN

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"