EKSKLUZIVE/ Laçi pa trajner pas javës së dytë të kampionatit, zbulohen dy kandidatët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 10, 2020 | 11:45

EKSKLUZIVE/ Laçi pa trajner pas javës së dytë të kampionatit, zbulohen dy kandidatët

Largimi i Armando Cungut nga Laçi është tashmë fakt i kryer, edhe pse klubi kurbinas përmes kanaleve zyrtare në rrjetet sociale nuk doli me një komunikatë pas ngjarjeve në postndeshjen ndaj Kastriotit. Barazimi 1-1 me krutanët dogji shumë te bardhezinjtë, duke e detyruar kësisoj presidentin Pashk Laska të marrë vendimin ekstrem. Për Cungun ishte hera e dytë që bashkëpunonte me Laçin, ku kishte fituar Kupën e Shqipërisë dhe Superkupën më parë. Ky sezon nisi me një kualifikim në Ligën e Europës dhe dy barazime në javët e para, por pritshmëritë e mëdha që ka klubi për kampionatin që ka startuar, bënë që palët të ndaheshin që tani. Dje skuadra kurbinase nuk është stërvitur, pasi në fushë ka dalë vetëm ajo U-21 e drejtuar nga Stavri Nica, që nis zyrtarisht sot kampionatin me një ndeshje kundër Dinamos në kompleksin “Internacional” në Pezë.
pjimage
“Panorama Sport” mëson se presidenti Laska nuk kërkon të nxitohet për emrin e ri të pankinës. Por, dje në ambientin kurbinas është folur jo pak për një gradim të trajnerit legjendar të klubit, pikërisht Stavri Nicës. Fakti që ai prej disa javësh drejton ekipin U-21 të klubit, e bën edhe më të besueshëm një rikthim të tillë. Megjithatë, nuk ka ende një konfirmim nga drejtuesit.

Në orët e fundit ka qarkulluar gjithashtu edhe emri i trajnerit Orges Shehu, i cili përveçse e njeh mirë ekipin kurbinas, do të gjente aty edhe lojtarë që i ka stërvitur te Kukësi, si Obanor, Musta etj.

Çdo gjë do të shikohet në ditët në vijim, ndërsa ndeshja e radhës e kurbinasve është ajo e vlefshme për turin e dytë të Kupës së Shqipërisë ndaj Egnatias, e cila do të luhet të shtunën në orën 13:30 në Laç. Duke qenë se bëhet fjalë vetëm për një ndeshje me eliminim direkt, bardhezinjtë janë të fokusuar për të arritur kualifikimin në çerekfinale, pasi Kupa është një objektiv madhor për klubin.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"