EKSKLUZIVE/ Laçi “fërkon duart”, ylli i kurbinasve drejt shitjes te Sherif Tiraspol

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 11, 2022 | 14:43

EKSKLUZIVE/ Laçi “fërkon duart”, ylli i kurbinasve drejt shitjes te Sherif Tiraspol

Momenti i shumëpritur mbërriti, Regi Lushkja pritet të transferohet te kampionët e Moldavisë, Sherif Tiraspol.

REGI LUSHKJA

“Panorama Sport” mëson se drejtuesit kurbinas janë në negociata të avancuara me zyrtarët e klubit që mundi edhe Realin e Madridit në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve.

Pas interesimit të vazhdueshëm të moldavëve për kavajasin, presidenti i Laçit, Pashk Laska, ka kërkuar që Sherifi të bëjë ofertën zyrtare për kartonin.

Nga sa mësohet, Laçi do patjetër 350 mijë euro për shitjen e mesfushorit, i cili është pa diskutim një prej lojtarëve më të mirë të kampionatit shqiptar në rolin e tij.

Lushkja luan sezonin e tij të shtatë me fanellën kurbinase. Që prej debutimit në futbollin profesionist me Besën e Kavajës, mesfushori kaloi më pas te Laçi dhe u konfirmua shumë shpejt në elitën e futbollit shqiptar.

Sezonet e fundit kanë qenë mbresëlënëse për kavajasin, i cili është bërë protagonist edhe me golat e shënuar.

Veçanërisht Lushkja ka bërë paraqitje fantastike edhe në Kupat e Europës, teksa në edicionin e fundit bardhezinjtë shkuan deri në turin e tretë të Ligës së Konferencës, aty ku u ndalën nga Anderlehti.

Sherif Tiraspoli, përmes skautëve të tij, ka pikasur 25-vjeçarin dhe tashmë kërkon të bindë edhe drejtuesit e Laçit.

Lushkja është nën kontratë me bardhezinjtë dhe natyrisht presidenti Laska kërkon të përfitojë sa më shumë të jetë e mundur nga ky transferim.

Synohet të përsëritet rasti i Myrto Uzunit dhe pse jo shifra të jetë më e lartë.

Gjithsesi, për momentin drejtuesit e klubit kurbinas nuk e konfirmojnë akordin total me moldavët, paçka se gjërat duken në rrugë të mbarë për të konkretizuar marrëveshjen.

Në rast se mbyllet me sukses ky transferim, Laçi do të hidhet në merkato për afrimin e një lojtari me karakteristikat e Lushkjes.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"