EKSKLUZIVE/ “Laçi do ngrihet”, rrëfehet malazezi Vukiçeviç: Shtatë ekipe për titull, ne do të luftojmë deri në fund

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 17, 2021 | 12:35

EKSKLUZIVE/ “Laçi do ngrihet”, rrëfehet malazezi Vukiçeviç: Shtatë ekipe për titull, ne do të luftojmë deri në fund

Trajneri malazez, Dejan Vukiçeviç, e nisi me humbje aventurën në futbollin shqiptar. Si trajner i Laçit, 53-vjeçari debutoi me humbje ndaj Vllaznisë, por kjo gjë nuk e step Vukiçeviçin.

Dejan Vukicevic

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, trajneri tregon arsyet e humbjes me Vllazninë, ku kërkon që si në jetë edhe në futboll duhet të shikosh përpara dhe gjithë vëmendja është te Dinamoja, ku pritet edhe kthesa. Vukiçeviç pohoi se i kanë analizuar gabimet e ndeshjes së parë, si dhe është i kënaqur nga puna me ekipin dhe sot pret më shumë nga lojtarët.

Sipas trajnerit malazez, Laçi i tij do të hyjë në fushë për të fituar çdo ndeshje dhe ai ka bindjen se skuadra e ka forcën për të luftuar edhe për titullin kampion. Ai pohoi se e njeh Dinamon, si dhe tregon edhe pikat e tyre të forta. Dejan Vukiçeviç tregoi edhe përshtypjet e tij për futbollin shqiptar dhe rivalitetin në Superiore, ku 7 ekipe mendohet se do të luftojnë për kampion.

Laçi e nisi sezonin me humbje. Çfarë nuk funksionoi tek ekipi juaj ndaj Vllaznisë?

Zakonisht kur humbet, ashtu siç humbëm ne ndaj Vllaznisë, është shumë e vështirë të flitet për një lojë të mirë. Por duke parë dhe analizuar gjithçka që ka ndodhur, mund të them se gabimet individuale na kushtuan shtrenjtë.

Ne kishim zotërimin e lojës për një kohë të gjatë. Ne u përpoqëm me lojë të mirë të arrinim golin. Arritëm të ktheheshim pas 0- 2, por në fillim të pjesës së dytë ata shënuan të katërtin pas një tjetër gabimi nga ana jonë. Por kjo ndeshje ka mbaruar dhe duhet të ngrihemi, sepse në futboll, si në jetë, nuk mund të shikojmë prapa, nesër (sot) na pret sfida tjetër.

Për momentin, a është mbrojtja problemi më i madh te Laçi, pasi në javën e parë ky repart çaloi?

Mbrojtja nuk përbëhet vetëm nga 4 lojtarët që rreshtohen prapa. Si ekip duhet të luajmë gjithçka, nëse e bëjmë, gjërat nuk do të na ndodhin siç na ndodhën në javën e shkuar. E vërteta është se unë kujdesem shumë për gabimet që ne po bëjmë. Ne punojmë shumë, në mënyrë që ata të mos përsëriten. Unë pres shumë më tepër nga lojtarët me paraqitjet e tyre të shkëlqyera.

Çfarë u thatë lojtarëve pas humbjes me Vllazninë?

Lojtarët dinë gjithçka që kanë bërë gabim. Ne i kemi analizuar të gjitha detajet, por unë nuk e ndryshoj mendimin se është një ekip shumë i mirë dhe jam i lumtur për punën që bëj me ta. Shpresoj që ata të ngrihen sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse e vetmja mënyrë është puna e vështirë. Ata punojnë shumë mirë, jam i sigurt se rezultatet do të vijnë.

Trajneri i Laçit, Vukiçeviç logo

FOTO: F.Hazisllari

Gjëja më e bukur është të punosh kur të të pëlqejë, por puna jonë është gjithashtu të punojmë psikologjikisht pas humbjeve. Unë kam qenë në këtë botë të ashpër të futbollit për një kohë të gjatë, kështu që jam i sigurt se gjërat do të rregullohen shumë shpejt.

Sot luani ndaj Dinamos. Çfarë pret trajneri Vukiçeviç nga ky takim?

Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për të treguar cilësinë që kemi, duke e ditur se ne luajmë me një ekip të mirë që e fitoi sfidën e saj të parë. Moralisht, Dinamo mund të jetë më e fortë, por e njëjta gjë do të ishte edhe për ne nëse do ta kishim fituar ndeshjen e parë. Laçi gjithmonë do të luajë për të fituar ndeshjet, nuk ka rëndësi me kë përballemi.

Sa e njihni kundërshtarin e radhës dhe kujt i druheni te Dinamoja?

Ne e kemi parë ndeshjen e tyre të parë, ata kanë një skuadër shumë të mirë, të organizuar mirë, me disa lojtarë me shumë cilësi. Imami, Sofranak, si dhe Ibraimi, i cili ka ide të shkëlqyera duke kërkuar hapësirë midis linjave, duhen pasur kujdes. Plus kanë një sulmues shumë të fortë dhe të shpejtë. Dinamo vërtet ka një ekip të mirë.

A do të ndryshoni diçka në formacion për këtë takim?

Do të bëj shumë pak ndryshime, sepse nuk do ta prish ekipin. Pas një humbjeje, në futboll mund të ndodhin gjëra që nuk i prisni. Ne do të vazhdojmë të luftojmë me këtë grup që kemi.

Laci formacionet

Cili është opinioni juaj për futbollin shqiptar dhe Superioren?

Kam shumë pak kohë këtu, kështu që s’mund të them shumë për futbollin shqiptar. Ajo që pashë është se njerëzit e duan futbollin, Kombëtarja luan mirë, kampionati është shumë interesant, sepse 7 skuadra duan të luftojnë për të fituar titullin kampion.

A është Laçi kandidat për titullin kampion dhe cilin nga ekipet shikoni si kundërshtarin më të fortë?

Unë dua që si ekip të luftojmë. Mendoj se Laçi është i aftë ta bëjë këtë, por duhet thënë se edhe Vllaznia, Partizani, Tirana, Teuta, Kukësi dhe Dinamo gjithashtu mund të luftojnë. Më duket një ligë e ekuilibruar, pas disnivele të mëdha mes ekipeve, ndaj mendoj se do të jetë diçka shumë interesante.

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"