EKSKLUZIVE/ La PAOK-un për minutat, rrëfehet Enea Mihaj: Silvinjo ndryshe, ju tregoj ligën portugeze (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 3, 2023 | 21:19

EKSKLUZIVE/ La PAOK-un për minutat, rrëfehet Enea Mihaj: Silvinjo ndryshe, ju tregoj ligën portugeze (E PLOTË)

Enea Mihaj u transfer ua nga PAOK-u në ligën portugeze te skuadra e Famalikaos, ku është kthyer në liderin e mbrojtjes. Në një qytet pa trafik dhe me shumë shi, futbollisti i Kombëtares shqiptare flet në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”.

Mihaj

Mihaj, nga PAOK-u kaluat te Famalikao, si po shkon kjo aventurë në Portugali?

Është e vërtetë që jam bashkuar me skuadrën e Famalikaos në verë. Jam i kënaqur me atë që kam gjetur këtu, organizimin, njerëzit dhe sigurisht anën konkurruese.

Jeni mësuar me qytetin, çfarë ka ndryshe nga Selaniku ku ju jetonit?

Përshtatja ishte e lehtë për mua dhe kjo ka të bëjë me ndihmën e njerëzve në ekip. Dallimet nuk janë shumë të mëdha, unë jetoj në qytetin e Famalikaos, që të mos më duhet të udhëtoj shumë, nuk ka shumë trafik, është një qytet i qetë, i cili të ndihmon të fokusohesh 100 për qind te futbolli. Është 20 minuta larg nga qyteti i Portos, ku mund të kaloj ditët që jam pushim. Bie shi pak më shumë sesa në Selanik, por tashmë jam mësuar me këtë pjesë.

Përveç futbollit, si e kaloni pjesën e mbetur të kohës së lirë?

Shumicën e orëve i kaloj në shtëpi duke parë filma, duke lexuar libra, duke shëtitur qenin tim. Programi i stërvitjes kërkon që të jesh shumë i angazhuar dhe është kërkues, kështu që nuk kam shumë kohë të lirë.

Keni luajtur në të gjitha ndeshjet këtë sezon, a jeni në rrugën e duhur dhe në ekipin e duhur?

Po kënaqem këtë vit, pasi jam duke i luajtur të gjitha ndeshjet në një ligë më të mirë se ajo greke. Unë jam duke u paraqitur mirë në fushë deri tani, dua të vazhdoj me të njëjtin ritëm deri në verë dhe nga atëherë do të shohim se çfarë do të ndodhë. Për mua ishte zgjedhja e duhur të vija këtu dhe jam shumë i lumtur.

Si është të luash në kampionatin portugez?

Është një ligë e shpejtë dhe me futbollistë cilësorë, ka terrene të mira loje që të ndihmojnë për të luajtur një futboll edhe më të mirë. Nuk ka shumë vonesë në lojë. Janë 3-4 skuadra që bien në sy dhe të gjitha të tjerat janë shumë konkurruese.

Shqipëria, luajtët 90 minuta në dy miqësoret e fundit me Italinë dhe Armeninë. Si e shihni ecurinë tuaj tek ekipi kombëtar?

Po, në dy miqësoret e fundit luajta të gjithë takimin. U ndjeva shumë mirë me Italinë, edhe pse nuk ishte rezultati që donim, bëmë një lojë të shkëlqyer dhe kjo është arsyeja pse bota na duartrokiti për atë paraqitje. Në ndeshjen e dytë fituam dhe ishte e rëndësishme për ne pasi kishim kohë pa fituar. Për mua personalisht, mendoj se jam në rrugën e duhur dhe besoj se do të ketë edhe më shumë minuta në Kombëtare.

Tani jemi në situatë tjetër, është larguar Edi Reja dhe ka ardhur një trajner i ri si Silvinjo, çfarë përshtypje ju jep?

Fillimisht dua t’i shpreh një falënderim publik z.Reja për bashkëpunimin tonë. Prej atëherë, Silvinjo është trajneri ynë i ri dhe besoj se do të sjellë një entuziazëm të ri në Kombëtare, çka do të ndihmojë në objektivat tanë, para së gjithash kualifikimin në “Euro 2024”.

Ju shqetëson rivaliteti në mbrojtje, duke qenë se tani mund të luhet me katër mbrojtës apo kjo ju bën edhe më të motivuar?

Nuk është çështje rivaliteti, të gjithë duam të mirën e Kombëtares. Ajo që unë personalisht mendoj është të vazhdojmë të luftojmë për të qenë në gjendje të mirë dhe të gatshëm për të ndihmuar ekipin kombëtar për qëllimet që kemi.

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"