EKSKLUZIVE/ Kushta: Klubet lëpihen për kocka, Duka bën mirë që i tall. Duro ka të drejtë për arbitrat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 12, 2018 | 23:05

EKSKLUZIVE/ Kushta: Klubet lëpihen për kocka, Duka bën mirë që i tall. Duro ka të drejtë për arbitrat

Kritikues kur punët nuk shkojnë mirë dhe vlerësues për arritjet. Kështu ka qenë Sokol Kushta në raport me FSHFnë dhe drejtues të saj. Ndër të paktët zëra kritikë nga ishlojtarët e njohur, Kushta mendon se fituesi nuk gjykohet, por respektohet.

Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, legjenda e futbollit vlonjat tha se ata që e votuan Dukën janë presidentët e klubeve që i lëpihen për shkak se nuk kanë kockë që t’i mbajnë vetë klubet. Kushta mendon se vota kundër e Idrizit nuk do të ndikojë aspak te Flamurtari për shkak se, sipas tij, presidenti i FSHFsë, Armand Duka, nuk është hakmarrës. Kushta i jep të drejtë trajnerit Duro për deklaratat që ka bërë për arbitrat, por thotë se nuk ka kush ta dëgjojë.

sinan idrizi sokol kushta

“Është një shprehje që fituesi nuk gjykohet, por respektohet. Unë nuk mund ta gjykoj Armand Dukën, por dëshiroj që ai të punojë për të mirën e sportit dhe ngritjen e Ligës Profesioniste, ligjin mbi sportin dhe kalimin e klubeve nga vartësia e bashkive te privati. E di që shumica e presidenteve nuk kanë kockë ta mbajnë vetë klubin. Kjo është e vërteta që këta i lëpihen Dukës dhe ky e di mirë këtë. Më pëlqente shikimi tallës i Armandos dhe për ata që e votuan dhe të drejt ka sepse që nga data 7 shkurt do fillojnë si hienat të sulmojnë njëri-tjetrin për 4 vjet dhe prapë Armand Duka do t’i tallë. Ajo që administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, votoi kundër nuk ka lidhje fare me Dukën. Ai si tip nuk është hakmarrës dhe nuk është as cinik. Duka e respekton njeriun prandaj nuk e besoj që të prishë garën. Duro ka të drejtë të bërtasë, por problemi është se kush e dëgjon”, tha fillimisht Kushta.

SKËNDERBEU-FLAMURTARI

Legjenda e futbollit vlonjat, Sokol Kushta, ndalet edhe te ndeshja e së premtes që u luajt në Korçë mes Skënderbeut dhe Flamurtarit. Për Kushtën, Flamurtari luajti mirë në Korçë dhe se ishte një ndeshje e bukur, por barazimi do të ishte rezultati më i drejtë. Kushta mendon se, për momentin, Skënderbeu dhe Flamurtari janë dy ekipet më stabël për dy vendet e para. “Flamurtari luajti mirë në Korçë me Skënderbeun dhe ishte një ndeshje e bukur. Ishte nga ato pak ndeshje që të jep emocione. Çdo rezultat pranohej. Për mua barazimi do ishte më i miri dhe më i drejti. Flamurtari dhe Skënderbeu janë për momentin dy ekipet më stabël për dy vendet e para”, u shpreh Kushta.

Kushta me Duken

KUPA E SHQIPËRISË

Flamurtari do të ndeshet të mërkurën në Tiranë me Partizanin në ndeshjen e kthimit të Kupës së Shqipërisë. Sokol Kushta thotë se i do të dyja ekipet, si Flamurtarin ashtu edhe Partizanin, pasi kanë ndikuar në karrierën e tij. “Asgjë nuk është e sigurt për këto ekipe, ndërsa ndeshja e kthimit do të jetë vendimtare”, tha Kushta. “Për sa i përket Kupës së Shqipërisë, rezultati i parë është në favorin tonë.

Por, Kupa ka specifikë tjetër. Mund të humbasësh edhe 2- 1 dhe kualifikohesh. Përpara ndeshjes së Kupës mes Partizanit dhe Flamurtarit nuk kam ndonjë emocion të veçantë. Unë respektoj dhe i dua të dyja ekipet, pasi si Flamurtari ashtu edhe Partizani kanë luajtur rol në jetën dhe karrierën time. Në këtë ndeshje fusha do të jetë ajo që do të tregojë çdo gjë”, përfundoi Kushta.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"