EKSKLUZIVE/ Kushta: Hanim dru nga policët dhe titullin e mori Tirana më 97-ën, le të luajnë sot “plej of” si Flamurtari dikur…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 21, 2020 | 0:05

EKSKLUZIVE/ Kushta: Hanim dru nga policët dhe titullin e mori Tirana më 97-ën, le të luajnë sot “plej of” si Flamurtari dikur…

Sokol Kushta ishte lideri i Flamurtarit në sezonin 1996-1997, derisa kampionati u ndërpre në muajin mars 1997 dhe ish-sulmuesi u largua nga Vlora. Pas ndërprerjes aktuale të kampionatit prej përhapjes së koronavirusit, rasti i parë që të vjen ndërmend është ai i vitit 1997, kur në atë kohë gjithçka u pezullua prej trazirave në vendin tonë. Rreth atij sezoni kanë folur ekskluzivisht në “Panorama Sport” ish-trajneri i Partizanit të asaj kohe, Sulejman Starova, si dhe ish-kapiteni i Tiranës, Krenar Alimehmeti.SOKOL kUSHTA

Sot enkas për gazetën hedh dritë për atë sezon të çduitshëm vetë Kushta. “As sot nuk e di dhe nuk e kuptoj se përse Flamurtari nuk doli kampion atë sezon. Kishim një diferencë prej 9 pikësh nga vendi i dytë. Si u arrit që të barazoheshin pikët dhe me një të rënë të lapsit të fshihej një kampionat i tërë?!”, thotë ndër të tjera Kushta, ndërsa tregon edhe se si policia dhunonte ekipin e Flamurtarit që në nxehmje.

Sokol, si po e kalon ditën dhe a i respekton rregullat pas përhapjes së koronavirusit?

Patjetër që duhen zbatuar të gjitha urdhrat dhe këshillat e autoriteteve dhe mjekëve. Shyqyr Zotit kemi diell me bollëk në Vlorë. Në këto ditë qëndroj më shumë në shtëpi. Dalë nga shtëpia vetëm kur duhet dhe është e nevojshme.

Kampionati është ndërprerë dhe nuk dihet se kur do të rifillojë. Për herë të fundit një precedent i tillë ishte në vitin 1997, kur Flamurtari juaj kryesonte renditjen, e më pas u vendos për të vazhduar aktivitetin në Tiranë prej trazirave…

Nuk dua që t’i heq asnjë pikë dhe presje një postimi dhe një komenti që kam bërë pak ditë më parë në faqen time në “Facebook”. Në vitin 1997, ndeshja mes Flamurtarit dhe Tiranës përfundoi 1-0. As sot nuk e di dhe nuk e kuptoj se përse Flamurtari nuk doli kampion atë sezon. Në atë kohë u ndërtua një ekip me blerje. Ishte një Flamurtar që kishte organizim, por kishte edhe motive. Më shumë nga ai kampionat, më pëlqeu pasi kishte rivalitet mes të gjitha ekipeve. Në një moment ishte Shkumbini në vendin e dytë, pastaj në mbyllje ishte Partizani pas nesh. Në qershor doli papritur Tirana kampione dhe mori kampionatin. Nuk e kuptova se si mund të mbyllet kampionati në një mënyrë të tillë.sokol kushta

Ndiheni të vjedhur për mënyrën se si shkuan gjërat në atë periudhë dhe vendimi që mori FSHF për të bërë fazën “play-off” në Tiranë?

Janë dy standarte. Le të bëhen sot 4 ekipe të luajnë “play-off” të barabartë dhe të dali Partizani kampion, pasi Tirana fazën e parë ishte pas Partizanit dhe rreth 11 pikë nga ne…

Çfarë kujtoni më shumë nga ai vit i mbrapshtë?

Flamurtari hante dru nga policia edhe kur futej për nxehmje në një ndeshje. Të them të drejtën nuk është se mbaj mend shumë, por di dhe më kujtohet që ne ishim kampion dimri. Kishim një diferencë prej 9 pikësh nga vendi i dytë. Si u arrit që të barazoheshin pikët dhe me një të rënë të lapsit të fshihej një kampionat i tërë?! Jam shumë i çuditur, pasi nuk foli njeri për atë që ndodhi. Unë në mars të vitit 1997 ika nga Flamurtari. Po ashtu iku edhe një Brazilian, si dhe shumë lojtarë të tjerë.

Tani që jemi në kushte emergjence, si mendoni se duhet të vazhdojë kampionati pas pushimit të detyruar?

Këtu diskutohet jeta. Sot futbolli nuk është më temë dite. E kuptoni çfarë do të thotë? Ke të bësh me jetën e njerëzve.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

kushta

Ja çfarë ndodhi në sezonin 1996-1997

Ishte sezoni 1996-1997, teksa kampionati u ndërpre pas vetëm 17 javësh në mars, për të vazhduar më pas në muajin gusht 1997. Diçka e pazakontë, për më tepër që ishte një kampionat me 18 skuadra. FSHF bëri një “shpikje” në atë periudhë, duke e ndarë kampionatin në tri grupe me nga 6 ekipe. Praktikisht u zhvillua një fazë “play-off” dhe “play-out”, që shpalli Tiranën kampione. Pas 17 javësh kampionat i rregullt kryesonte Flamurtari, por që e humbi fronin pas penalizimit me 4 pikë nga FSHF dhe më tepër prej faktit se ndeshjet nuk u zhvilluan më në Vlorë, teksa skuadra thuajse u shpërbë. Ekipet luajtën nga vetëm pesë ndeshje. Gjashtë të parët që ishin për titull luajtën në Tiranë, ndërsa gjashtë të tjerat të mesit të artë në Durrës dhe Kavajë. Ato ekipet që luftonin për mbijetesë i zhvilluan takimet në Elbasan.

Luftëtari i Gjirokastrës (në vitin 1997 klubi kishte emrin Shqiponja), u tërhoq nga gara, edhe pse pozicionohej në vendin e 15-të me 19 pikë. Kësisoji, grupi i skuadrave që luftonin për mbijetesë vazhdoi me vetëm pesë klube. Në atë sezon bardheblutë u shpallën kampionë me 46 pikë, ndërsa në vend të dytë e mbylli Vllaznia (43 pikë). Përpara se të luhej faza “play-off” për titullin, në stadiumin “Qemal Stafa” u zhvillua finalja e Kupës së Shqipërisë, pikërisht në qershor të atij viti mes Partizanit dhe Flamurtarit. Trofeun e fituan “demat e kuq”, teksa 90 minutat u mbyllën 2-2, ndërsa nga pika e bardhë Partizani ia doli duke shënuar 4 gola ndaj 3 të vlonjatëve.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"