EKSKLUZIVE/ “Kush luan në mbrojtje e humb derbin”, kapiten i dy “botëve”, Batha: Halili e fuste ekipin nën presion pa dashje, ja çfarë na thoshte Demi (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2021 | 23:30

EKSKLUZIVE/ “Kush luan në mbrojtje e humb derbin”, kapiten i dy “botëve”, Batha: Halili e fuste ekipin nën presion pa dashje, ja çfarë na thoshte Demi (E PLOTË)

Tirana dhe Partizani kanë luajtur bashkë 161 ndeshje. Janë dy nga klubet më të suksesshme në historinë e futbollit shqiptar dhe kanë shkëmbyer lojtarë pa fund mes tyre. “Urrehen” sa herë afrohet derbi ose ndoshta edhe pak më gjatë, por ia ndiejnë mungesën njëra-tjetrës dhe e kanë provuar sa herë që kanë rënë nga kategoria. Por kanë diferenca, si në traditë, në organizim dhe filozofi loje. Dy “botë” të ndryshme brenda të njëjtit qytet. Rivalitet pa hesap, por ndodh edhe që kanë pasur të njëjtin kapiten. E kemi fjalën për Idriz Bathën, mesfushorin që ka luajtur 148 ndeshje me Partizanin dhe 63 me Tiranën. Me këta të fundit u shpall edhe kampion dy sezone më parë. Tani luan në Rumani me UTA Arad dhe po shijon pak “qetësi”, siç ai vetë e përcakton ambientin që e rrethon në klubin e ri. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, 29-vjeçari thotë se Tirana e bind më shumë këtë sezon, por në derbi nuk ka favoritë.

Batha

Idi, si shkojnë gjërat në Rumani?

Këtu është qetësi dhe mendoj se erdha në momentin e duhur, kjo në aspektin e jetës familjare më shumë. Kisha nevojë për këtë qetësi. Këtu është qytet i vogël, shumë i qetë dhe sportdashës. Por, më mungon pak presioni, nëse mund ta them kështu, sepse këtu nuk është se ka shumë presion. Por familjarisht jemi të kënaqur. Kalojmë kohë me njëri-tjetrin. Unë tani po e shijoj vërtetë vajzën, se në Shqipëri kisha vetëm një ose dy orë në dispozicion gjatë ditës për të ndenjur me të. Tani më duket sikur kam bërë një fëmijë tjetër… (qesh).

Jemi në prag të derbit dhe ju keni qenë kapiten i të dyja ekipeve. Si është ta shohësh nga larg?

Të them të drejtën më mungon jo vetëm derbi, por më mungon futbolli shqiptar. Më mungon presioni, sepse në Shqipëri kam luajtur gjithmonë në ekipe që kanë qenë pretendente dhe kanë pasur ambicie për të fituar çdo ndeshje. Ndërsa këtu është një qytet sportdashës, një qytet që e do futbollin dhe duan të ngjiten më lart, por gjithsesi nuk ka presionin e një ekipi që do të dalë kampion. Më mungon ajo trysnia e rezultatit, që duhet të fitosh patjetër çdo ndeshje. Por, derbi është tjetër gjë.

Po aty, si janë ndeshjet derbi?

Janë shumë më ndryshe. Madje, nëse këtyre të ekipit tim do t’u tregoja atmosferën që krijohet në Tiranë për derbin, të gjithë do të donin ta provonin. Derbi aty është special. Këtu ka stadiume të mëdha, ka ekipe me shumë tifozë, por siç është derbi në Shqipëri nuk është këtu.

batha

Vërtet?

Po, po. Këtu p.sh. mund të luajë Steaua me Rapidin, por gjithsesi nuk kanë lidhje fare me derbin tonë.

Në ç’kuptim, mund të jeni pak më konkret?

E kam fjalën për atmosferën apo trysninë që kanë skuadrat. Për mënyrën se si e përjetojnë njerëzit. Aty ka edhe një lloj ankthi “të këndshëm” në kuptimin që të mban të lidhur me atë ndeshje shumë ditë para se të luhet.

Po në Rumani nuk ka emocione si këto?

Shikoni, këtu mund të jetë një stadium më i madh, mund të jenë prezent 40 mijë shikues dhe tifozët e “urrejnë” njëri-tjetrin, por në Shqipëri atmosfera është më elektrizuese, shikuesit e presin me padurim atë ndeshje. Këtu, pasi mbaron ndeshja, fiton ai që ka për të fituar dhe harrohet. Në Shqipëri vazhdon derbi 1 javë ose edhe 10 ditë pas…

Ju keni luajtur shumë derbe. A keni pasur ndonjë moment që mund të jeni ndier “i lodhur” aq sa për të thënë: “Mjaft më, ka një kufi edhe tensioni i kësaj ndeshjeje…”?

Dua të jem i sinqertë, unë e kam pritur me padurim që të largohem nga Shqipëria për të provuar veten në një kampionat jashtë. Ndoshta do të doja shumë të largohesha edhe nga Rumania një ditë, pse jo, dhe të luaj në një kampionat më të fortë, por po flas për momentin e ndjenjave dhe të përjetimit të një derbi në Shqipëri. Aty nuk mund të thuash kurrë mjaft për ndeshje të tilla.

Si lojtar keni dalë nga akademia e Tiranës dhe më pas mbërritët deri kapiten i Partizanit, por u kthyet dhe u bëtë kapiten edhe te bardheblutë…

Ndihem me fat që kam mundur të luaj në dy klube kaq të mëdha dhe jo më kot më janë besuar gjithnjë edhe përgjegjësi të mëdha.

Tifozët e Partizanit, flas për masën e madhe, nuk ju kanë konsideruar tradhtar. Kjo ndodh edhe sepse kaluat te Tirana pasi luajtët me Flamurtarin apo ka arsye tjetër?

Më vjen mirë që është ky perceptim nga ju, ndonëse ngacmimet nuk kanë munguar. Por, nuk di që dikush tjetër para meje të jetë kritikuar më shumë ose të jetë cilësuar tradhtar…

Bakaj dhe Muzaka e kanë pasur më të vështirë se ju kur luanin me fanellën e Tiranës kundër Partizanit. Ju nuk e mendoni kështu?

Nuk e di. Të them të drejtën, unë nuk merrem shumë me pjesën e tifozëve, por mendoj se kam qenë i lidhur edhe me tifozët e Partizanit dhe ndoshta e kanë mirëkuptuar. Nuk e di… I kam respektuar dhe i respektoj ende, sepse nuk mund t’i hedh poshtë katër vitet e mia aty. Madje, jo katër, por gjashtë se kam luajtur edhe në Kategorinë e Dytë me Partizanin dhe kemi kaluar shumë gjëra bashkë, të mira dhe të këqija. Sido që të jetë, ato janë vite të karrierës sime dhe unë ato mbaj mend nga futbolli. Janë pjesë e rëndësishme e jetës sime. Nuk e di, por unë personalisht kam dëgjuar edhe ofendime, por nuk kanë ndikuar tek unë sepse e di që kjo është në natyrë të tifozëve. Ndërsa sa i përket Bakajt, ndoshta kanë qenë më agresivë sepse ai ka reaguar. Nuk jam i sigurt, por kështu mendoj.

Ku ndryshon përjetimi i një derbi me fanellën e Partizanit si lojtar, por edhe si kapiten nga një derbi te Tirana?

Unë nuk e kam ndier trysninë me asnjë nga të dyja fanellat, qoftë me Partizanin, qoftë me Tiranën. Jo sepse jam lojtar i madh ose lojtar i mirë, por ky është tipi im. Nuk jam shumë emocional. E kam fjalën për emocione të këqija që të bllokojnë. Kështu kam qenë që 20 vjeç. Por, mendoj se tani ka filluar të ndryshojë edhe Tirana.

idriz batha

Pse?

Sepse, me sa duket, presidenti Halili na ka dëgjuar qoftë ne futbollistëve me eksperiencë, qoftë të tjerët që i kanë folur. Ai pa dashur e vinte ekipin në presion me ato takimet para ndeshjes. Çdo gjë e bën për mirë, vendos shpërblime, por gjithsesi krijohet një atmosferë që disa futbollistë nuk e kuptojnë dhe i mbyt ajo atmosferë. Nisin të bluajnë në kokën e tyre: “O bobo, duhet të fitojmë patjetër…”.

Po te Partizani çfarë ndodhte?

Te Partizani, presidenti Demi ka qenë më i kujdesshëm për këtë pjesë. Gjithmonë, një ditë para ndeshjes, ai, me sa mbaj mend unë, takonte ekipin dhe i thoshte: “Luani siç dini të luani ju. Jam i sigurt që do fitoni”. Kjo sigurisht që u jep pak më shumë lirshmëri lojtarëve dhe mund të shprehen më mirë. Kështu mendoj unë. Por tani, edhe presidenti Halili e ka ndryshuar këtë pjesë dhe nuk ka më presion te Tirana si vite më parë, por ka pasur edhe elemente të tjera…

Që ishin?

Mendoj se ndonjëherë ndikonte edhe presioni që kishin disa vjet pa fitore. Kjo nuk i ndihmonte. Ndërsa tani mendoj se është thyer akulli dhe ata te Tirana e kanë kuptuar se kështu do të shkojnë derbet.

Si shkojnë derbet, meqë ra fjala?

Një herë do të fitojë njëri ekip dhe një herë do të fitojë tjetri.

Si ju janë dukur skuadrat këtë sezon, me aq sa i keni ndjekur nga larg?

E kam ndjekur shumë futbollin shqiptar. Thuajse i kam parë të gjitha ekipet duke luajtur dhe më duket pak a shumë e njëjta situatë si këtu në Rumani.

Çfarë situate është aty?

Nuk ka ekipe pretendente që mund të fitojnë 3-4 ndeshje rresht. Kampionati kështu do të shkojë, një ekip do të fitojë një ndeshje, tjetrën do të barazojë ose do të humbë. Kështu ka për të shkuar. Nuk do të ketë ekipe që do të krijojnë diferenca të mëdha.

Pyetja ishte për Partizanin dhe për Tiranën. A prisnit diçka më ndryshe?

Kush ju ka lënë më shumë mbresa për mirë, por qoftë edhe për keq, në kuptimin që ju ka zhgënjyer disi? Të them të drejtën, kam pasur shpesh kontakte me lojtarët dhe drejtuesit e Tiranës, sepse i kam shokë dhe janë shprehur shumë optimistë për ekipin. “Kemi bërë merkato të mirë, kemi lojtarë të mirë”, më thonë. Edhe pse, të them të drejtën, kam qenë pak dyshues. Megjithatë, rezultatet flasin dhe ndeshja e fundit me Teutën është e vetmja ndeshje e Tiranës që e pashë të gjithën 90 minuta. Ekipi më pëlqeu shumë dhe vërtet ka potencial për të dalë kampion.

Po Partizani?

Partizani ka luajtur mirë. E kam parë në dy ndeshje, por Partizani ka shumë lojtarë të rinj brenda dhe tani që fillon edhe presioni i tifozëve, i mediave, i shtypit, i drejtuesve, do të duket se çfarë force kanë lojtarët që ka sot Partizani. Që të veshësh fanellën e Partizanit dhe të Tiranës, duhet të mbash edhe presionin sipër.

A e mbajnë dot këta lojtarë presionin?

Nuk e di, do ta shohim në derbi. Të ndalemi pak te Tirana.

A është e lehtë që brenda një sezoni të zëvendësosh si duhet Bathën, Çelhakën, Muçin, Vangjelin, Kalenë, Torasën? A është e lehtë që të përgatitet ekipi për një sezon titulli?

Që të jem i sinqertë, nuk mendoj se është e lehtë t’i zëvendësosh të gjithë këta lojtarë me të tjerë dhe të krijosh sërish një ekip pretendent për të fituar titullin. Por, kanë një avantazh: nuk është vetëm Tirana që i janë larguar lojtarët. Edhe Partizanit i janë larguar shumë lojtarë, Vllaznia ka bërë disa ndryshime, Kukësi gjithashtu. Të gjitha ekipet, mendoj unë, e kanë nisur nga fillimi. Kështu që, Tirana nuk është në disavantazh me ekipet e tjera.

Po përfitojmë nga rasti meqë jeni më i çliruar nga pjesa e përgjegjësisë e të qenit lojtar i njërit prej klubeve: Si do ta luante Idi Batha derbin po të ishte te Tirana dhe si do ta luante po të ishte te Partizani?

Po të isha futbollist i secilit nga këto dy ekipe, do të doja që ekipi të luante në sulm dhe të luante për të fituar. Të bënte presion lart secili ekip me të cilin mund të luaja. Shpresoj shumë dhe besoj që me këtë ide të futen të dyja ekipet në fushë, që edhe ne të shohim një ndeshje të bukur si dhe të shohim se cili nga ekipet është më i aftë për ta luajtur derbin në sulm.

Cili nga ekipet është më shumë në presion për këtë ndeshje, Tirana që është e para apo Partizani që nuk ka marrë asnjë fitore?

Sigurisht, rezultatet janë ato që të futin në presion. Partizani është më tepër nën presion, por historikisht kemi parë që derbi nuk ndikohet fare nga kjo pjesë. Kur vjen dita e derbit, nuk ka më presione të rezultatit. Derbi shijohet fillimisht, pastaj varet nga lojtarët, nëse ata janë gati për ta përballuar derbin. Mendoj se te Partizani këtë vit ka shumë lojtarë që e provojnë për herë të parë.

Kjo është mirë apo keq?

Keq, sigurisht.

Ju thoni se do të donit që të dyja ekipet të luanin në sulm. A mund të luajë në sulm Partizani, që në krahasim me Tiranën deri tani ka shënuar vetëm katër gola nga të cilët dy me penallti, ndërsa Tirana ndërkohë ka shënuar 11 të tillë?

Thashë që të fillojnë duke bërë presing lart. Por, të mos harrojmë që Partizani ka shumë kualitet brenda. Ka shumë ekipe që e vuajnë fillimin e kampionatit, madje çdo ekip e kalon këtë ngërç, disa e kalojnë në mes të kampionatit dhe disa e kalojnë në fund. Mendoj se Partizani do të ngrihet një ditë dhe do të jetë sërish aty pretendent me Tiranën, Vllazninë dhe Dinamon.

Cila është një gjë që ju pëlqen sot te Tirana e te Partizani dhe një gjë që nuk ju pëlqen te të dyja ekipet?

Te Tirana më pëlqen që tani nuk ka më trysni aq të madhe, si dikur. Para se unë të shkoja te Tirana, nga shumë njerëz të sportit dëgjoja të thoshin se aty ka shumë bërryla, ka shumë llafe, ka shumë klane, gjë të cilën nuk e pashë në asnjë moment. Tirana ishte një grup shumë i bashkuar, me harmoni, saqë e patë edhe vetë se ku shkuam. Gjithashtu, e kam ndier këtë ngrohtësi te Partizani, por tani nuk jam në brendësi, sidomos te Partizani nuk e di se çfarë bëhet fare. Me aq sa kam parë, ka shumë lojtarë të rinj, që janë të talentuar, por nuk mund të presësh që t’ua japësh atyre ekipin e t’u thuash: “Tani merreni skuadrën dhe nxirreni kampion!”

Pse jo?

Që të mos keqkuptohemi, ata sigurisht që mund ta bëjnë këtë, por për mendimin tim duan pak kohë. Ndërsa te Tirana është krijuar një grup që ka harmoni. Shehi ka dhënë kontributin e tij, sepse duke qenë një lojtar me eksperiencë e një kapiten i madh te Skënderbeu e ka përjetuar futbollin tani vonë dhe e di se çfarë duan e çfarë nuk duan lojtarët. Mendoj se te Tirana gjërat po shkojnë mirë. Sigurisht derisa ka rezultate, se në momentin që nuk ke rezultate, gjithandej gjërat fillojnë e lëkunden. Por, edhe te Partizani mendoj që gjërat funksionojnë, sepse presidenti Demi është një njeri që ka parë shumë në këtë jetë dhe di t’i menaxhojë situatat.

Supozojmë se në janar ose në qershor, të tria klubet e kryeqytetit, Partizani, Tirana dhe Dinamo, të bëjnë të njëjtën ofertë financiare dhe kohore. Cilin ekip do të zgjidhte Batha?

Duhet ta zgjedh se nuk bën një?

Po një, se me një do të luash…

Domethënë ma takse që do të vij në Shqipëri… (qesh)?

Jo, thjesht po supozojmë…

Nuk është kollaj të firmosësh një kontratë, sidomos në këtë moshë që jam unë tani. Po shkoj 30 vjeç dhe nuk kam kohë që të bëj aventura. Duhet të ulem dhe të diskutoj me këdo që do ta kem mundësinë dhe duhet të gjejmë rrugën e përbashkët për të firmosur. Është e vështirë për të dhënë një përgjigje tani. Ka shumë rrethana, sepse ata mund të të bëjnë një ofertë identike të tre, por njëri është për titull, tjetri është për mbijetesë ose për mesin e tabelës. Sigurisht që do t’i marrësh në konsideratë të gjitha elementet.

A keni ndonjë peng në derbet që keni luajtur me Partizanin dhe Tiranën?

Kam luajtur shumë derbe dhe tani nuk më kujtohen. I vetmi peng i karrierës sime është që nuk kam fituar titull me Partizanin. Unë kam fituar 90 për qind të derbeve që kam luajtur, pastaj pjesa tjetër nuk më ka mbetur pishman. Sigurisht që do t’i provoja edhe humbjet, jo vetëm unë, por të gjithë. Edhe humbja ka bukurinë e vet në këtë sport.

Kush është lojtari më i talentuar që keni pasur shok skuadre? Mund ta zgjidhni një midis të dyja ekipeve…

Mazrekaj dhe Muçi. Jam në dilemë mes këtyre të dyve. Por, sigurisht që këta të dy janë më të talentuarit pa asnjë diskutim. Nëse Mazrekaj do të kishte një tip tjetër si njeri, tjetër mentalitet, nuk do të bënte karrierën e Muçit, por do të bënte sigurisht më mirë.

Kush ka qenë lojtari më i fortë ose më i ashpër kur përballeshit me të? Ai që jua vështirësonte lojën, që ju bezdiste?

Më i ashpri kundërshtar? Për këtë duhet të pyesësh ndonjë që ka luajtur kundër meje… (qesh). Në fillim mendoj që mund të kem pasur vështirësi vitin e parë kur shkova te Partizani. Po them Bulku. Atë vit luante edhe Bulku te Tirana. Ai ishte i zoti.

Ju keni qenë kapiten. Cili ka qenë shoku i skuadrës me të cilin ju duhet të punonit shumë ose t’i ngrinit zërin, sepse me vështirësi ju dëgjonte?

Jo vetëm kapiten, por edhe kur nuk kam qenë i tillë, e kam në natyrë që t’u flas të gjithë lojtarëve dhe asnjëri nuk ma merr për ters. Nuk është se kam edhe tonin e zërit të ulët, gjithmonë bërtas, por më njohin të gjithë dhe nuk ma marrin për ters. Madje, i kam bërtitur dhe Ilion Likës, që ishte 40 vjeç, i ngrija zërin kur doja t’i kërkoja më shumë. Unë këtë natyrë kam. Jam shumë kërkues. Sikurse mërzitem me veten kur humbas një top. Nuk e keni idenë se çfarë i them vetes, por që ky jam unë. Ky është tipi im.

Kush është trajneri që ju ka marrë më të mirën, ju ka vënë në pozitat e duhura dhe ju keni shprehur gjithë potencialin?

Trajneri që më ka marrë maksimumin, ka qenë Ilir Daja. Por, jo me këto dy ekipe. Nuk e kam pasur asnjëherë trajner te Partizani dhe Tirana. Sa u përket trajnerëve me të cilët kam punuar në këto dy ekipe, mendoj se ai që më ka marrë maksimumin ka qenë Shpëtim Duro.

Pse Duro?

Ndoshta sepse ma shprehte hapur besimin që kishte tek unë. Dhe kur njerëzit ma shprehin mua besimin, unë mundohem me mish e me shpirt që t’i nxjerr me kokën lart nga ajo sfidë që ata zgjedhin për mua.

Kush është arbitri që, sapo e shihnit që hynte në fushë ose sapo e merrnit vesh që ai do të arbitronte ndeshjen, ju pështjellonte pak? Ju fuste një lloj mendimi në kokë…

Në fillim kam pasur një histori me Hamitin, që më nxori një karton të kuq në një ndeshje me Bylisin. Dhe fillimisht nuk e kishim për zemër njëri-tjetrin, por me kalimin e viteve i rregulluam marrëdhëniet dhe krijuam respekt për njëri-tjetrin. Më pas arbitër që të kem pasur ndonjë inat, nuk kam pasur. Të preferuar kam pasur Jeminin.

Pse e fiton Partizani derbin dhe pse e fiton Tirana?

Të dyja ekipet e fitojnë derbin, por varet si do të luajnë.

Po ta kishit ju në dorë, si duhet të luajnë?

Nëse njëri nga ekipet zgjedh që të presë, pra të mbrohet, qofsha i gabuar, por mendoj se do ta humbë derbin.

Pse mendoni kështu?

Kampionati shqiptar gjithmonë ka pasur probleme në cilësi, përjashto Skënderbeun e disa viteve, ekipet e tjera kanë pasur vështirë për të organizuar lojën nga mbrapa, pra ta nisë me portierët, mbrojtësit e për të shkuar gradualisht në sulm. Asnjë ekip nuk e bën dot më këtë sot. Në 99 për qind të rasteve në Shqipëri, kur një ekip bën presing lart, kundërshtari e humb topin. Prandaj kush rri në mbrojtje, është më i rrezikuar. Kur u bën presing afër zonës ekipeve tona, ato e humbin topin dhe i kap në gabim shpesh.

Mendoni se mund të ketë pasoja dhe ta rëndojë situatën, të ketë pasoja për Partizanin nëse e humb derbin dhe kjo për shkak të mënyrës se si e ka filluar kampionatin?

Partizani e ka filluar keq kampionatin dhe një humbje në derbi do t’i përkeqësonte gjërat. Gjakrat do të nxeheshin, tifozët e Partizanit do të fillonin t’u kundërviheshin drejtuesve, lojtarëve, gjë që është normale kur humbet një derbi. Por, mendoj se drejtuesit e Partizanit kanë eksperiencën e duhur, do t’i shmangin këto që sapo thashë dhe do të bëjnë zgjedhjen e duhur. Nuk e di si janë gjërat aty brenda, sepse nuk kam folur me asnjë, por kështu mendoj.

Bëni dot një parashikim për këtë derbi? Ç’ju thotë intuita? Si del kjo ndeshje?

E di që do të zhgënjej shumë njerëz, por mendoj se do të përfundojë 1-1.

 

JETMIR HALILAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"