EKSKLUZIVE/ “Kush fiton derbin, ecën mirë dhe në kampionat”, Hasan Lika: Dëmtimi i Trashit prishi ekuilibrat (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 9, 2020 | 0:28

EKSKLUZIVE/ “Kush fiton derbin, ecën mirë dhe në kampionat”, Hasan Lika: Dëmtimi i Trashit prishi ekuilibrat (E PLOTË)

Gabim që në start me Skënder Gegën, më pas zgjedhje që lënë për të dëshiruar nga merkatoja, lojtarë që kanë vite në ekip dhe nuk po japin atë që duhet, shpërfytyrim në derbi dhe tashmë një Partizan në udhëkryq që rrezikon edhe pjesëmarrjen në Europë. Hasan Lika “skanon” kampionët në fuqi si një njeri i shtëpisë së kuqe, qoftë si ish-futbollist apo edhe ish-trajner për disa vite në krye të Partizanit.hasan lika

Ka disa muaj që jeton në Amerikë me familjen, por kjo nuk e ka penguar për të ndjekur zhvillimet e fundit. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Lika vendos gishtin në plagë për atë që e cilëson si një menaxhim jo të mirë që po i bëhet skuadrës. Ish-trajneri është i habitur për faktin se ekipi nuk funksionin në mbrojtje.

Profesor, prej muajsh jetoni në Amerikë. Sa e keni ndjekur kampionatin?

Pavarësisht angazhimeve, i kam ndjekur rregullisht javët e fundit. Derbin dhe Partizani-Teuta i kam parë me vëmendje.

Çfarë ka ndikuar te Partizani që ka arritur në këtë situatë?

Gjërat janë komplekse. Sigurisht që më e rëndësishmja ka qenë largimi i trajnerit Gega, i cili doli kampion me Partizanin në sezonin e shkuar. Në atë kohë duhej përmirësuar skuadra dhe trajneri që doli kampion e dinte më mirë se çfarë nevojash kishte ekipi. Duhej të ishte gjetur një bashkëpunim më i mirë në këtë drejtim, por siç duket, arsyet janë ato që Gega nuk vazhdoi.

E prisnit këtë paraqitje kaq zhgënjyese të “demave”, ndonëse deri nga mesi i fazës së dytë ishin mirë me pikë dhe kryesuan…?

Kur je kampion, duhet ta përmirësosh skuadrën, por siç duket afrimet që bënë nuk ishin goditjet e duhura. Sa i përket ecurisë, pas humbjes së derbit të fazës së dytë me Tiranën erdhi ndërrimi i trajnerit dhe i riu gjithashtu do kohën e duhur. Pastaj nuk është ndihmuar edhe nga ndonjë dëmtim apo mungesë e rëndësishme. Duhej një menaxhim më i mirë i lojtarëve brenda për brenda. Të gjitha këto gjëra, në kompleks sollën edhe këto shqetësime te Partizani.Hasan-Lika si struci

Në këto ndeshjet e fundit, çfarë ju ka bërë më tepër përshtypje në lojën e skuadrës?

Në njëfarë mënyre Partizanit nuk po i mungon loja, por ka gabime në aspektin mbrojtës, si dhe mosfunksionim të aspektit sulmues. Sulmuesit e Partizanit nuk janë ata që shënojnë dhe që marrin skuadrën për dore për ta nxjerrë nga vështirësia. Jam larg për të bërë vlerësime teknike, por po të shikojmë golat e ndeshjeve të fundit i pësojnë të gjithë në qendër, prapa shpine dhe me topa vertikalë. Këto janë gjëra teknike që nuk dua të shprehem.

Pra, nuk i ka funksionuar mirë mbrojtja, si dhe nuk i ka funksionuar mirë as sulmi. Këto janë arsyet. Marrin golin shumë lehtë dhe nuk shënojnë. Ndërsa vjet, Partizani ishte një skuadër më kompakte, kishte lojë, siguri, ishte shumë e organizuar, pësonte pak gola, ndonëse nuk shënonte shumë. Por, vjet Partizani ishte gjithnjë triumfues ndaj të tjerëve.

Po thoni që dikur mbrojtja e mirë mbulonte edhe ndonjë deficit në sulm…

Një skuadër e mirë sigurisht që pëson shumë pak. Pra, një skuadër e organizuar me lojtarë që krijojnë ekuilibrat e duhur, sigurisht që merr pak gola. Ky ka qenë Partizani gjithmonë dhe në bazë të saj bëhej më i fuqishëm dhe më i fortë dhe zgjidhte ndeshjet. Pastaj ndër dekada Partizani ka pasur historikisht edhe lojtarë nga më cilësorët në kampionatin shqiptar. Sot po vuan mungesat dhe një e tillë bëhet shumë e rëndësishme te Partizani. Dëmtimi i Trashit në këto ndeshjet e fundit ka ndikuar, pasi ka prishur ekuilibrat në skuadër.Hasan Lika, trajneri i Partizanit

Iku Lerda dhe drejtuesit insistuan sërish te një trajner italian si Sormani. E shikoni si një “kokëfortësi” të klubit apo italianët janë kthyer në fiksim?

Ne nuk e diskutojmë nivelin e tyre. Janë trajnerë të mirë, të kualifikuar dhe me eksperiencë. Këtë nuk e vë në dyshim. Sigurisht që kanë vështirësitë e tyre sa i përket ambientimit me futbollin shqiptar. Nuk është se drejtuesit kanë bërë zgjedhje të gabuar, por këto janë vështirësitë e këtyre trajnerëve. Mënyra e përshtatjes e këtyre trajnerëve, apo edhe disa të tjerëve të huaj, që sigurisht kanë qenë të mirë, kanë pasur gjithmonë vështirësi në Shqipëri. Pra, ata nuk përshtaten dhe nuk e njohin sa duhet mentalitetin tonë. Nëse marrim Lerdën, që ishte trajneri i parë, ai e krijoi skuadrën.

Ndërsa Sormani e gjeti skuadrën dhe mund të ketë ide të tjera dhe në heshtje mbase nuk është “i kënaqur” me këtë kontingjent lojtarësh që ka për të arritur diçka. Këto janë marrëdhënie, që gjithmonë kur nuk ecin punët, trajneri duhet t’i marrë përsipër edhe rezultatet. Por shpresoj të bëjnë diçka për mirë, pasi kanë kohën e duhur që të paktën të dalin në Kupat e Europës. Mundësitë janë, por me këtë shkëputje të Tiranës vështirësitë janë të mëdha për më shumë.

 Për herë të fundit që keni folur në “Panorama Sport” (në tetor 2019) keni besuar te një Tiranë pretendente dhe ju doli fjala…

tiranaa

E kam thënë theksuar që në fillim të sezonit se Tirana është një nga kandidatët kryesorë për titull, pasi ekipi e prodhonte lojën edhe kur ishte Mema trajner, por nuk arrinin rezultatet e duhura.

Çfarë shije ju la derbi i fundit, ku u duk sikur Partizani po bën Tiranën e sezoneve të shkuara në këto lloj përballjesh?

Historia e këtyre viteve të fundit ka qenë kjo, që kush ka triumfuar në derbi, ka qenë më i suksesshëm në kampionat. Derbi sigurisht që të jep forcë tjetër, i jep besim çdo individi, rritet forca e skuadrës në aspektin psikologjik. Ky është ndryshimi. Nëse do të kishte fituar Partizani, do të ishte në pozita të tjera tani.

Kaq shumë ndikon derbi, duke bërë që Partizani të mos ngrejë kokë që nga disfata e fazës së dytë deri te shpërfytyrimi i fundit?

Partizani-Teuta 1-0

Nuk e mendoj kështu. Ndoshta historikisht Tirana e ka vuajtur më shumë humbjen në derbi sesa Partizani. Por, te Partizani sigurisht që ndikojnë këto problemet e tjera. Ndoshta zgjedhjet s’kanë qenë si duhet, apo ndonjë futbollist duhet të japë akoma më shumë, pasi u bë vite në skuadër.

Si e shikoni kampionatin pas javës së 25-të, ku Tirana është e shkëputur me 6 pikë nga Kukësi i vendit të dytë. A janë bardheblutë favoritë kryesorë për titull apo mund të ketë edhe ndonjë surprizë?

Për atë që kanë dhënë skuadrat deri tani, që është shumë në një kampionat dhe përbën bazën për mbarimin e tij, sigurisht që Tirana ka një plus më tepër. Gjatë ecurisë së saj Tirana ka zhvilluar lojëra të mira, ka kthyer rezultat duke qenë gjithmonë kërkuese. Pastaj disa herë ka fituar edhe në minutat e fundit. Në historinë e futbollit skuadra që fiton në minutat e fundit, fiton edhe kampionatin. Tirana, si në lojë dhe rezultate ka pasur ecuri më të mirë dhe është momenti i duhur për të vazhduar përpara. Nga ana tjetër është Kukësi, i cili pati këto rezultatet e fundit jo të mira, për arsye nga më të ndryshmet. Këto dy ekipe i shikoj si rivalizuese deri në fund për titull, por Tirana me atë që ka arritur deri tani është më e favorizuar.

Praktikisht Flamurtari dhe Luftëtari kanë rënë nga Superiorja, ndërsa ka pikëpyetje të mëdha për të ardhmen e Skënderbeut prej dënimit që ka marrë. Sa humbet futbolli shqiptar kur sezonin e ardhshëm skuadrat e qyteteve me shumë traditë do të përfaqësohen në Kategorinë e Parë?

flamurtari-luftetari-fundi-i-pjeses-se-pare-750x430

Nuk është mirë që të humbasim futbollin nëpër këto qytete që kanë qenë historike për futbollin shqiptar. Këto janë zhvillimet e futbollit tonë dhe ka shumë për të folur për ato që po ndodhin. Nuk mund ta them me dy fjalë. Më vjen keq për këto ekipe që më përmendët, por edhe për të tjerat që u mungojnë dashamirësve të futbollit. Nga ana tjetër, bravo u qoftë atyre të tjerëve që nuk kanë qenë pjesë e historisë ndër vite, por janë bërë pjesë e historisë tani me meritë dhe të drejta të plota, si Kukësi, Laçi apo të tjerë.

Diçka edhe për Vllazninë, e cila edhe pse bëri një ecuri të mirë në pjesën e parë të sezonit, sërish ndodhet në zonën “play out”, por gjithashtu vazhdojnë problemet në Shkodër me kërcënime të drejtuesve…

lika-hasan-vllaznia-770x465

Mos na ngatërro me ato probleme të tjera. Nga ana teknike, Vllaznia më shumë problemet i ka pasur në fushën e saj sesa jashtë, ku ka qenë më e suksesshme. Problemet teknike u takojnë drejtuesve dhe futbollistëve që t’i zgjidhin. Vllaznia ka humbur shumë pikë në Shkodër dhe po të kishte marrë ato pikë në shtëpi do të ishte ndryshe. Them në shtëpi, pasi në teori ekipi kur luan brenda është më i favorizuar, por në praktikë vendos fusha e lojës. Vllaznia duhej të ishte treguar më e kujdesshme në “Loro Boriçi” për të pasur një pozicion më të mirë.

ILIR CARA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"