EKSKLUZIVE/ Kur Partizani ndalte Fejnord me fanella të verdha, rrëfimi i Starovës: Holandezët shpërndanë ndihma, trajneri i tyre mbaronte për supë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 19, 2022 | 18:26

EKSKLUZIVE/ Kur Partizani ndalte Fejnord me fanella të verdha, rrëfimi i Starovës: Holandezët shpërndanë ndihma, trajneri i tyre mbaronte për supë (E PLOTË)

E dinit që Partizani ka luajtur me fanella të verdha në një ndeshje? Po, ka ndodhur në Kupën e Kupave në vitin 1991 kundër Fejnordit, finalistes së Ligës së Konferencës që do të luajë ndaj Romës në Tiranë më 25 maj. Trajner i “demave” ka qenë Sulejman Starova. Ishte në hapat e parë të karrierës, por arriti një rezultat historik. “Të barazoje me Fejnordin, ndërkohë që ne ishim në varfëri ekstreme dhe nuk kishim as fanella, ishte diçka e jashtëzakonshme për kohën. Por ato dy ndeshje nuk kanë marrë asnjëherë vlerësimin e duhur. Pak e mbajnë mend se Fejnordi kishte gjashtë lojtarë në kombëtaren e Holandës…”, rrëfen “Bobi” ekskluzivisht për “Panorama Sport”.

partizani fejnord

Starova, mes Romës dhe Fejnordit, për kë do të bëni tifo në finale?

Mendoj se fiton Fejnordi. Më duket skuadër më e fortë, eliminoi edhe Marsejën.

Po Roma nuk ju bind?

Vetëm sulmuesin e kanë lojtar të rëndësishëm. Të tjerët janë lojtarë normalë. Nuk më duket edhe aq e fortë.

Nuk keni besim as te Murinjo?

E kam thënë disa herë: trajneri ka vetëm 30 për qind të peshës në një ndeshje. Dhe unë mendoj se edhe me 30 përqindëshin e Murinjos, Roma është më e dobët në krahasim me Fejnordin.

Ju jeni ndeshur dikur me Fejnordin…?

Po, në vitin 1991 si trajner i Partizanit. Në kushte ekstreme për ne, por u treguam dinjitozë. Më shumë se aq madje: morëm një rezultat fantastik për kohën.

Ju barazuat në Tiranë 0-0 dhe në ndeshjen e kthimit u mundët 1-0. Pse fantastik?

Po pra po, por harroni kush ishte Fejnordi në atë kohë dhe kush ishim ne…

Kush ishte Fejnordi në atë kohë?

Një skuadër e shkëlqyer me gjashtë lojtarë të kombëtares holandeze në përbërje.

Po ne, Partizani pra, kush ishte?

Ne ishim një vend në varfëri ekstreme. Diskutohej edhe buka. Aq të varfër ishim saqë dy lojtarët tanë kishin humbur fanellat pas finales së Kupës së Shqipërisë dhe nuk kishim si t’i zëvendësonim. U detyruam të luajmë me fanella të verdha. E kuptoni apo jo: Partizani luajti me fanella të verdha për herë të parë një ndeshje. Ja, këta ishim ne në atë periudhë.

Ku i gjetët fanellat e verdha?

I morëm në federatë. Ishte koha kur organizata ndërkombëtare kishin filluar të sillnin ndihma edhe në sport. Kishin ardhur disa fanella të verdha edhe ishin stok në FSHF. Asokohe, në mos gaboj, ka qenë drejtues Eduard Dervishi. Ai na ndihmoi, sepse nuk kishim zgjidhje.

 

WhatsApp Image 2022-05-18 at 8.38.44 PM (1)

Çfarë mbani mend nga ajo ndeshje?

Oh, ka shumë detaje që i mbaj mend. Një prej tyre ishte fakti që holandezët filluan të shpërndanin ndihma. Kishin ardhur me ndihma me vete dhe morën leje tek autoritetet tona për të shpërndarë vaj, oriz, makarona, etj.

 

WhatsApp Image 2022-05-18 at 8.38.44 PM

Ku i shpërndanin këto?

Në sheshin “Skënderbej”, afër 15- katëshit.

Pra, holandezët e Fejnordit kishin ardhur të luanin një ndeshje të vlefshme për Kupën e Kupave, por ndërkohë kishin marrë edhe ndihma me vete?

Po, saktësisht kështu. E dinin gjendjen që po kalonte Shqipëria dhe kishin ardhur me disa ndihma që i shpërndanë vetë në shesh.

Po ndeshja si shkoi?

Barazim 0-0 në “Qemal Stafa”. Surprizë e madhe. Mbaj mend që holandezët i masakruan pas barazimit në Tiranë. Kujtoj titujt e gazetave, të tipit: “Një vend në krizë të thellë ekonomike që diskuton ushqimin, ka një skuadër si Partizani që i merr barazimin Fejnordit…” Bëri shumë bujë, por në Shqipëri nuk e di pse nuk u trajtua me nota optimiste. Nuk bëri jehonë.

7878

Po në ndeshjen e kthimit?

Edhe atje kemi luajtur shumë mirë. Ishte një moment kur dy qendërmbrojtësit e tyre u përplasën me njëri-tjetrin dhe i doli topi Mokes (Edmond Dostit) në pozicion të mirë, por nuk shënoi dot. Po shkonim drejt shtesës, por ata shënuan gol në minutat e fundit pastaj. Ndoshta më mirë ashtu, sepse në shtesë, ëhë…

Në shtesë çfarë?

Do të na kishin copëtuar. Skuadra jonë nuk ishte e përgatitur për të luajtur aq gjatë. Me shpirt ndër dhëmbë luftuan për 90 minuta, por Fejnordi kishte ekip të fortë dhe të përgatitur. E ndieja që në shtesë do të na dërrmonin, sepse skuadra ra shumë.

Çfarë mbani mend tjetër nga ndeshja e kthimit?

Mbaj mend që media i kishte bërë jehonë të madhe gjendjes mjerane ku ndodhej Shqipëria dhe holandezët kishin nisur fushatë për mbledhjen e ndihmave dy ditë para ndeshjes. Më kujtohet që kur shkuam afër stadiumit në Roterdam, pamë një radhë prej afro 1 kilometër me njerëz që dhuronin ushqime, veshmbathje, topa, çorape, rroba të vjetra, rroba të reja. Gjithfarësoj gjërash.

Edhe çfarë ndodhi me ato ndihma?

U nisën me një avion drejt Shqipërisë. Kur erdhën këtu ua shpërndamë njerëzve dhe lojtarëve që nuk i morëm dot me vete. Pas 10 vitesh bëja humor me Hasan Likën që e kisha ndihmës…(qesh).

Pse?

Sepse i shikoja ndonjë çorape ndryshe, a ndonjë këmishë, apo më shihte ai mua ndonjë bluzë edhe direkt ishte pyetja: “Hë mo, holandeze i ke?…” Ishin disa gjëra që i kishim ruajtur.

Çfarë ndodhi pas humbjes 1-0 në Roterdam?

Pothuajse e gjithë skuadra u arratis.

Si u arratis?

Po mo, ikën 80 për qind. Madje na iku edhe masazhatori. Vetëm portieri erdhi, Artur Lekbello, bashkë me sulmuesin Edmond Dosti. Lekbellon e thirrëm gjatë kohës që praktikisht e kishte lënë futbollin, sepse na doli një problem me portierin titullar, por ai në fakt u paraqit shumë mirë. Por imagjinoni, klubi ishte: unë, Astrit Ziu (shefi i klubit), Hasan Lika dhe Taqo Stratobërdha (doktori)…

Po ku shkuan lojtarët?

Disa ikën që në Holandë, ndërsa pjesa më e madhe në Gjermani. Motoja në atë kohë ishte: “Po ikim për një jetë më të mirë…” Nuk kishim çfarë të bënim dhe unë e dija…

Si e dinit?

E dija që do të iknin dhe kisha bërë gati edhe skuadrën e dytë. Ishte koha. Sistemi nuk kishte rënë, ndonëse në grahmat e fundit dhe për pak muaj u rrëzua përfundimisht.

Në një dokumentar që ka bërë një televizion holandez në vitin 2016, pikërisht për atë ndeshje, ju përveçse shumë i ri si trajner, spikasni me një anglishte perfekte. Disi e rrallë për kohën…

Kisha bërë kurs anglishteje me Shefqet Tiranën, ish-drejtor i shkollës “Avni Rrustemi”. Kisha bërë kurse private në shtëpinë e tij. Kam mbaruar katër “Essential”. Madje, bëja ushtrime me Shpëtim Duron pas kursit.

mnmn

Çfarë ushtrimesh?

Ai merrte librin edhe më pyeste për fjalët, ndërsa unë i përktheja direkt në anglisht. Ndonjëherë e bënte me hile…(qesh).

Pse?

Sepse më pyeste, për shembull “si i thonë bulonit në anglisht…”? Edhe unë pastaj i thosha: ik ore dreq se nuk e ke askund fjalën “bulon” aty. Pastaj më pyeste si i thonë “harasanit”… Pak gallatë, por gjuhët e huaja i kam pasur pasion.

A e mbani mend kush ishte trajner i Fejnordit në atë ndeshje?

Po, sigurisht që po. Ishte Vim Jensen. Madje, në ndeshjen e parë, kur erdhën këtu në Tiranë, donim t’i ofronim një drekë, por nuk kishim ku ta çonim. Edhe hotel “Tirana” me hotel “Dajtin” ishin ku thërret kiameti. Të shkatërruara. Kishin filluar këto restorantet e para modeste nëpër Tiranë dhe ishte një diku afër Selvisë, te taverna “Tafaj”. U ulëm aty dhe për fat të mirë ai u kënaq shumë. Bëmë muhabet, hëngrëm ushqim dhe ai mbeti vërtetë i kënaqur.

12323

Mbani mend, çfarë porositi Jensen për të ngrënë?

Supë. Mbaronte për supë. Porositi dy pjata edhe tha që i pëlqeu…(qesh).

A jeni takuar më me të?

Po, në vitin 1992 ne luanim kundër islandezëve të Akranes dhe po të kualifikoheshim do të ndesheshim sërish me Fejnordin. Erdhi më takoi me shumë përzemërsi dhe unë e pyesja për Johan Krojfin.

Pse për Krojfin?

Sepse në Holandën e madhe, Jensen ishte i vetmi nga Fejnordi që iu përshtat “përbindëshave” të Ajaksit dhe luajti për një kohë të gjatë me ta në kombëtare.

Çfarë ju thoshte për Krojfin?

Më thoshte se i merrte vazhdimisht mendim për skuadrën dhe për pjesë taktike. Krojfi ka qenë pa dyshim i jashtëzakonshëm.

Sa telefonata keni marrë nga mediat holandeze së fundmi?

Jo edhe aq… Lekbellon e kishin telefonuar dhe i kishin kërkuar intervistë. Madje ai më ftoi edhe mua, por e pata të pamundur të shkoja.

JETMIR HALILAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"