EKSKLUZIVE/ Kukësi zgjedh pasardhësin e Musollit, por mbeten pezull dy lojtarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2020 | 8:43

EKSKLUZIVE/ Kukësi zgjedh pasardhësin e Musollit, por mbeten pezull dy lojtarë

Kukësi nuk humbi vetëm një lider në mesfushë me largimin e Besar Musollit, por edhe kapitenin. Verilindorët pasi shpallën “divorcin” zyrtar me kosovarin, kanë zgjedhur pasardhësin e tij dhe ai është Vesel Limaj. Gazeta mëson ekskluzivisht se është “graduar” 23-vjeçari me këtë rol dhe do të jetë ai që do ta udhëheqë tashmë ekipin në fushë.

limaj

Kosovari me pasaportë gjermane do të marrë të gjitha atributet dhe përgjegjësitë për mesfushën, së bashku me Bruno Telushin. Drejtuesit kanë marrë mendim nga futbollistët e tjerë të skuadrës dhe ata kanë votëbesuar Limajn me këtë detyrë. Në fakt kjo lëvizje ishte menduar e parashikuar më parë nga klubi, pasi largimi i Musollit ishte i pashmangshëm. Një ditë para ndeshjes me Volfsburgun më 16 shtator ishte pikërisht Vesel Limaj ai që shoqëronte trajnerin Skënder Gega në konferencën për shtyp, dhe kjo nuk ishte rastësi.

Lojtari u pyet nga gazeta gjatë konferencës nëse ishte gati për t’u bërë kapiteni i ri i skuadrës kur Musolli të largohej dhe përgjigjja ishte: “Musolli është shoku im, është kapiteni i ekipit dhe nuk e di se çfarë do të bëjë ai. Por unë mund të them se jam i gatshëm për të marrë përgjegjësi”. Limaj luan sezonin e tretë me Kukësin dhe ka pasur gjithmonë besimin e ish-trajnerëve të Kukësit apo drejtueseve e presidentit.

Limaj45

Ai ka firmosur me Kukësin në janar deri në përfundim të këtij sezoni. Ndërsa janë zgjidhur mes tij dhe klubit mosmarrëveshjet e krijuara për kontratën, për të cilën bëri dhe ankesë në federatë.

RINOVON LULAJ

Kukësi vazhdon të ketë deficite në organikë. Largimet e fundit përveçse e kanë dobësuar ekipin, kanë krijuar dhe hendek në mbrojtje. Deri dje ishin tre futbollistë të këtij sektori të lirë, konkretisht Edis Maliqi, Erhun Obanor dhe Bruno Lulaj. E megjithatë, ky i fundit zyrtarisht do të mbetet te verilindorët.

Futbollisti 25-vjeçar e rinovoi kontratën me nënkampionët e Shqipërisë edhe për dy sezone të tjera. Futbollistit i kishte skaduar kontrata me Kukësin dhe mund të largohej, por palët arritën marrëveshjen e re dhe e konkretizuan atë. Korçari vlerësohet nga drejtuesit, por do i duhet të luftojë për të qenë titullar, ashtu siç do i duhet shumicës dërrmuese të ekipit.

 


bruno lulaj

Ishte vetë klubi i Kukësit që njoftoi marrëveshjen me mbrojtësin. “Futboll Klub Kukësi njofton se ka arritur marrëveshjen me mbrojtësin Bruno Lulaj për rinovimin e kontratës edhe për dy sezone të tjera! Mbrojtësit 25-vjeçar i përfundoi kontrata këtë verë dhe pas një diskutimi me drejtuesit e klubit, u vendos për rinovimin e saj edhe për 2 sezone të tjera! Lulaj u afrua te Kukësi verën e shkuar ku zhvilloi 31 ndeshje në Kategorinë Superiore, nga të cilat 15 prej tyre si titullar. Në Kupën e Shqipërisë, Lulaj gjeti dy herë rrugën e rrjetës! Suksese Bruno!”, shkruante klubi.

Tashmë mbetet për t’u parë se si do të zgjidhet e ardhmja për dy lojtarët e tjerë, Edis Maliqi dhe Erhun Obanor. Marrëveshja me ta duket e largët, sidomos me mesfushorin, i cili ka bërë kërkesën në Federatën Shqiptare të Futbollit dhe ka lajmëruar në klub se do të largohet nga radhët e nënkampionëve.

SKERDILAID SULOZEQI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"