EKSKLUZIVE/ Kukësi tenton Sindrit Gurin, sulmuesi ka dilema për kthimin. Ja prapaskenat me 27-vjeçarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 1, 2021 | 20:00

EKSKLUZIVE/ Kukësi tenton Sindrit Gurin, sulmuesi ka dilema për kthimin. Ja prapaskenat me 27-vjeçarin

Kukësi tenton Sindrit Gurin. Burime të besueshme të “Panorama Sport” pohojnë se orët e fundit ka dalë në skenë emri i ish-sulmuesit të verilindorëve dhe Kombëtares, i cili aktualisht është një futbollist i lirë.

Guri1

27- vjeçari nuk është më pjesë e ekipit të Ostendes, aty ku Kukësi e shiti tri sezone më parë për shifrën rekord të 710 mijë eurove. Tani, mesa duket ka ardhur mundësia që të rikthehet sërish në futbollin shqiptar dhe për më tepër në Kukës, aty ku në sezonin e tij të fundit realizoi plot 20 gola.

Dhe, duke ditur se çfarë lojtari kërkon Pejiç dhe vetë Longo, shkodrani duket se është pikërisht ai që i përmbush të gjitha këto karakteristika: një “pykë” i mirëfilltë që të garanton 20 gola brenda një sezoni. Sakaq, Guri është edhe lojtari nga i cili Kukësi ka përfituar më shumë në të kaluarën, pasi rezulton lojtari që ka sjellë më shumë të ardhura në arkat e klubit.

PRAPASKENAT – Gazeta mëson se në lojë për të marrë shërbimet e tij ka hyrë edhe ekipi i Partizanit, edhe për faktin se sulmuesi i Apolonisë, Mario Gjata, zgjodhi të shkojë te rivalët e Dinamos. Por, gjithsesi, nëse shkodrani vendos të rikthehet në Shqipëri, gjasat më të mëdha janë që të përfundojë në Kukës.

Nga burime në klub mësohet se Guri ruan ende një marrëdhënie të mirë me presidencën dhe respekti është reciprok nga të dyja anët. Për më tepër, që do të bëhej fjalë për një rikthim aty ku bëri edhe hapin e madh në karrierë, edhe për shkodranin mund të ishte sërish një ristart.

Ardhja e tij në Kukës dhe në kampionatin shqiptar “favorizohet” edhe nga mbyllja e merkatos në Europë dhe në orët e fundit nuk është e lehtë për t’u sistemuar në ekip, ndaj zgjedhja më e mirë duket Superliga shqiptare dhe për më tepër Kukësi, i cili këtë sezon kërkon sërish rikthimin në majë. Burime pranë lojtarit tregojnë se ai nuk ka dëshirë të provojë në këtë moment një eksperiencë në Superiore, por në klubin verilindor duan që t’i mbushin mendjen shkodranit, të paktën për ta pasur deri në janar.

 via Getty Images)


via Getty Images)

KARRIERA – Tri sezonet e fundit, Sindrit Guri ishte pjesë e ekipit të Ostendes në Belgjikë, aty ku u ble pikërisht nga Kukësi. Mirëpo, karriera e tij në këtë skuadër nuk shkoi ashtu si duhej, ku në tri sezone arriti të shënojë vetëm 5 gola, njëri prej të cilëve në Ligën e Europës.

Sezonin e fundit ka pasur shumë pak hapësira në dispozicion, ku u aktivizua vetëm në 3 ndeshje dhe në total 26 minuta. Më herët, Guri luajti dy sezone me Kukësin dhe në total realizoi 20 gola, duke shkëlqyer. Lojtari, i cili doli nga moshat e Vllaznisë, provoi të luante edhe për ekipin e qytetit të tij, teksa më pas veshi fanellat e Besës, Kastriotit dhe Korabit, para se të shkonte te verilindorët. Guri arriti të zhvillonte edhe dy ndeshje me Kombëtaren e Shqipërisë.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"