EKSKLUZIVE/ “Kukësi s’ka unitet në lojë, gabuan në merkato”, Shameti: Hallaçi të vendosë…veton (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 14, 2021 | 23:19

EKSKLUZIVE/ “Kukësi s’ka unitet në lojë, gabuan në merkato”, Shameti: Hallaçi të vendosë…veton (E PLOTË)

Kukësi ka pasur një ecuri me shumë ulje-ngritje gjatë këtyre 13 javëve, teksa tri humbjet e fundit radhazi situata është bërë kritike. Kjo ecuri i ka befasuar jo pak mbështetësit e Kukësit dhe veçanërisht ish-lojtarët. Një prej tyre është edhe kapiteni kampion me Kukësin, Ylli Shameti. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport” ish-qendërmbrojtësi gjirokastrit që fitoi gjithçka me fanellën e verilindorëve, analizon situatën që po kalojnë aktualisht nënkampionët. Shameti është i befasuar nga kjo ecuri dhe e konsideron në bazë të statistikave si gjysmësezonin më të keq të Kukësit që kur klubi militon në Superiore.
ylli shameti
Ndërsa fakti që Gega është larguar pasi ka ndërtuar ekipin, duhet të ketë një arsye mjaft të fortë. Ish-lideri i Kukësit mendon se skuadra aktuale nuk ka ende një lider. Sakaq, ish-shokut të tij të skuadrës, Rrahman Hallaçi, i sugjeron që të ndërmarrë hapa konkret dhe të vendos veton për ndryshime të rëndësishme në ekip. Sa iu përket golave të pësuar, Shameti mendon se nuk është faji vetëm i mbrojtjes, por i gjithë skuadrës në tërësi në këtë fazë të lojës.
Kukesi Horic
Ylli, si e keni parë ecurinë e Kukësit deri më tani?Jeni i befasuar për mënyrën si kanë shkuar gjërat?
Besoj që të gjithë janë të befasuar nga paraqitja e Kukësit këtë sezon dhe shifrat negative të japin të drejtë. Për mua është gjysmësezoni më i keq që kur Kukësi është futur në Kategorinë Superiore si klub.
skender gegaaa
Fakti që trajneri Skënder Gega u largua shumë shpejt, mos ndoshta ishte një sinjal që gjërat nuk do të shkonin mirë?
Të konturosh një skuadër dhe të japësh dorëheqjen pas vetëm 10 javësh kampionat duhet të kesh një arsye shumë të fortë që ta bësh, duke përjashtuar këtu shëndetin. Se ku qëndron problemi, mendoj se brenda klubit janë përgjigjet.

Ku mendoni se ka gabuar më shumë klubi këtë sezon?
Unë mendoj se në merkato dhe në mënyrën se si lojtaret duhet të sillen në fushë. Edhe pas 13 javësh kampionat nuk shikoj një unitet në lojë, përtej deklaratave.
Hallaçi
Presidenti Gjici i ka besuar drejtimin Rrahman Hallaçit. Çfarë mund të bëjë ai në këtë situatë?
Kur je i dytë dhe kalon trajner i parë në këtë situatë ke avantazhin që i njeh të dyja anët e medaljes, pra situatat e mira dhe ato të vështira nga brenda. Duke qenë edhe se e njeh filozofinë e klubit si ishlojtar, mendoj se Hallaçi duhet të vendosi veton për ndryshime të rëndësishme për të mirën e punës. Kam besim se do ta bëj.

Kukësi ka pësuar 18 gola, si e keni parë mbrojtjen dhe çfarë mund të rregullohet për vazhdimësinë?

Kur pësohen kaq shumë gola nuk mund të them që vetëm mbrojtja ka shkuar keq apo lojtarët individualë. Me atë që kam parë, mendoj se i gjithë ekipi në fazën mbrojtëse ka shkuar keq. Gjithashtu, mendoj se merkato në këtë aspekt ka qenë deficente. Pra, afrimi i lojtarëve në role të veçanta nuk ka sjellë stabilitet konkret.

Sipas jush, i gjithë ekipi ka mangësi në aspektin mbrojtës…

Që të gjithë duhet të bëjnë individualisht punën në fushën e lojës, pastaj në tërësi vjen edhe rezultati. Nëse lojtarët çedojnë dhe repartet s’janë të ndërthurura me njëri-tjetrin, s’ke si të kërkosh rezultate pozitive. Nuk e ka fajin vetëm mbrojtja si repart.

Çfarë i duhet Kukësit nga merkatoja për të qenë në garë për vendet e kreut?

Kukësi s’ka liderë në fushë dhe kjo është mangësia më e madhe për momentin. Nuk ka rëndësi çfarë lojtarësh merr tani sepse është vështirë të afrosh futbollistë shumë të mirë. Duhet të gjesh lojtarë që t’i integrosh sa më shpejt me ekipin dhe gjithë grupi të ndryshojë filozofinë e lojës. Të gjithë mund të sulmojmë, por ama edhe të gjithë bëhemi një grusht në mbrojtje për të mos pësuar.

Cila nga skuadrat e Superiores ju ka bërë më tepër përshtypje dhe si e shikoni luftën për titull?

Vllaznia ka bërë një kampionat të kujdesshëm, duke i marrë më shumë se maksimumin lojtarëve që ka. Kjo do të thotë se ka perspektive për të qenë një konkurrente e fortë në garën për titull, pavarësisht se rruga është e gjatë. Mendoj se Kukësi, Vllaznia, Tirana, Partizani, Teuta dhe Laçi do të shkojnë pa shumë diferenca deri në fund.

SKERDILAID SULOZEQI 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"