EKSKLUZIVE/ Kukësi “pazar” në Shkodër, zbulohen dy lojtarët që janë në bisedime me verilindorët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 18, 2021 | 8:40

EKSKLUZIVE/ Kukësi “pazar” në Shkodër, zbulohen dy lojtarët që janë në bisedime me verilindorët

Kukësi kërkon të bëjë “pazar” në Shkodër, pasi synon shërbimet e dy futbollistëve, Aleksandër Isaevski dhe Fjoart Jonuzi. Burime të besueshme të “Panorama Sport” pohojnë se verilindorët kanë shfaqur interes për këta futbollistë dhe shpresojnë t’i afrojnë në skuadër.

isaevski

Burimet pohojnë se drejtori Pero Pejiç ka pasur një takim ditën e djeshme me maqedonasin dhe ka bindur futbollistin që për këtë sezon të firmosë në Kukës. Palët duket sikur janë shumë afër marrëveshjes, ndonëse në lojë për 26- vjeçarin ka hyrë më parë edhe Dinamoja, e cila këtë sezon sapo u ngjit në Superiore. Gjithsesi, me zhvillimet e orëve të fundit duket se janë verilindorët në avantazh për të marrë shërbimet e ish- mbrojtësit të Vllaznisë, edhe pse nuk pritet një operacion i lehtë për t’u finalizuar. Maqedonasi ka qenë titullar në ekipin e trajnerit Brdariç përgjatë sezonit që lamë pas, ku u aktivizua në 29 ndeshje në kampionat dhe zhvilloi në total 2553 minuta.

jonuzi

Sa i përket Jonuzit, edhe në këtë rast verilindorët kanë rivale Dinamon, por edhe vetë Vllazninë që e konsideron si një lojtar të rëndësishëm. Gazeta mëson se me futbollistin janë bërë biseda paraprake që me nisjen e merkatos dhe mbetet për t’u parë nëse do të arrijnë në një marrëveshje. Duket se tani gjërat janë pjekur dhe shumë shpejt mund të arrihet në një zyrtarizim.

24- vjeçari ka një lidhje të veçantë me Kukësin, pasi është nga ky qytet dhe e ka nisur karrierën pikërisht aty, ndaj rikthimi i tij shihet edhe si një “shenjë” që klubi kërkon t’u japë tifozëve për të pasur në stadiumin e ri edhe një lojtar nga ky qytet. Përgjatë kësaj merkatoje Kukësi ka pasur kontakte me shumë lojtarë, por ka gjetur gjuhën e përbashkët vetëm me elbasanasin Ardit Hila, i cili firmosi pak ditë më parë një kontratë dy vjeçare.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"