EKSKLUZIVE/ Kukësi nuk kursehet në merkato, verilindorët në garë me zviceranët për lojtarin e Kosovës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 29, 2020 | 23:24

EKSKLUZIVE/ Kukësi nuk kursehet në merkato, verilindorët në garë me zviceranët për lojtarin e Kosovës

Kapiteni i Luftëtarit, Aurel Demo, pritet të jetë afrimi i parë zyrtar i Kukësit në merkaton e janarit. “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht nga burime pranë klubit verilindor dhe vetë lojtarit, se palët kanë gjetur marrëveshjen dhe brenda javës gjithçka do të marrë formë zyrtare. Në fakt, sot në orën 13:00, futbollisti që prej dy vitesh është pjesë e gjirokastritëve, pret të mësojë vendimin e Dhomës së Zgjidhjes së Konflikteve në FSHF. 

Aurel Demo

Mbrojtësi ka paditur klubin e Luftëtarit dhe pretendon se ka disa rroga të pamarra nga sezoni i kaluar, ndërsa kërkon të dalë lojtar i lirë dhe njëkohësisht t’i njihet borxhi që klubi duhet t’i shlyejë.

Në këto kushte, menjëherë pas vendimit të DHZK-së, 23- vjeçarit me origjinë nga Kuçova i hapet rruga e transferimit te Kukësi, aty ku do të gjente ish-shokët e skuadrës në vitet e kaluara te Luftëtari si Shkurtaj, Abazaj dhe Rroca.

Marrëveshja e lojtarit me klubin verilindor është arritur, kështu që është vetëm çështje orësh që Demo të jetë zyrtarisht një futbollist i ekipit verilindor. Gazeta mëson se ai është një kërkesë e vetë trajnerit Shpëtim Duro, pasi bëhet fjalë për një futbollist që bën disa role në repartin mbrojtës.

Luftetari56

Ai mund të luajë në të dyja krahët, por edhe në qendër, ndërsa në raste emergjente mund të përdoret edhe në mesfushë. Në sezonin e kaluar Demo luajti me Luftëtarin disa ndeshje edhe si sulmues krahu. Cilësitë e 23-vjeçarit, që për herë të fundit mbajti shiritin e kapitenit të Luftëtarit në ndeshjen ndaj Tiranës, e kanë bindur Duron për ta afruar në ekip.

Demo konsiderohet si xhol në repartin e prapavijës dhe në këtë mënyrë do të zëvendësonte largimin e maqedonasit Tome Kitanovski. Lojtari është formuar si futbollist në Greqi, ku për dy sezone luajti me Panegalios, ndërsa nga janar 2018 u bë pjesë e Luftëtarit, që në atë kohë drejtohej nga Hasan Lika. Me fanellën bluzi në Kategorinë Superiore mbrojtësi ka luajtur deri më tani 49 ndeshje, ndërsa ka arritur të shënojë edhe një gol gjatë sezonit të kaluar ndaj Skënderbeut.

Situata me Gjelbrim Taipin

gjelbrim taipi

Një objektiv konkret për Kukësin është 27-vjeçari Gjelbrim Taipi, i cili ka qenë pjesë e Kombëtares U-21 të Shqipërisë, ndërsa në sezonet e fundit është aktivizuar në Zvicër. Pas tentativës së dështuar për të afruar mesfushorin në verën e vitit të kaluar, te Kukësi besojnë se mund ta bindin në këtë limit të merkatos.

Mësohet se lojtari ka ofertë konkrete nga klubi zviceran, Shafhauzen, por te Kukësi nuk i kanë humbur shpresat.

Klubi po shfrytëzon njohjet personale të drejtorit Nexhipi me lojtarin dhe pjesëmarrja e Kukësit në Kupat e Europës, pa harruar garën për titullin kampion në Shqipëri, mund ta bindin Taipin. Gjithsesi, kjo do të qartësohet në ditët e ardhshme

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"