EKSKLUZIVE/ Kukësi nuk dorëzohet në merkato, synon mesfushorin e Kosovës. Pritet edhe një lojtar nga… Kongo (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 28, 2020 | 21:44

EKSKLUZIVE/ Kukësi nuk dorëzohet në merkato, synon mesfushorin e Kosovës. Pritet edhe një lojtar nga… Kongo (E PLOTË)

Kukësi nuk ka në plan të dorëzohet në këtë merkato për të afruar lojtarë. “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se Gjelbrim Taipi është synimi më i ri i verilindorëve në këtë merkato dimri. Burime të sigurta konfirmojnë për gazetën se drejtues të Kukësit kanë hyrë në biseda konkrete për ta afruar në skuadër mesfushorin kosovar.

gjelbrim taipi

27-vjeçari shikohet si afrim i rëndësishëm te nënkampionët, pasi ai mund të bëjë shumë mirë në mesin e fushës. Për momentin mësohet se bisedat e para janë kryer midis palëve, por mbetet për t’u parë nëse do të arrihet marrëveshja apo jo. Gjelbrim Taipi është lojtar i lirë, pasi sapo është “divorcuar” me zviceranët e Uinterthur. Kështu që Kukësit i mbetet të përmbushë vetëm aspektin financiar të lojtarit duke qenë se nuk nevojitet të bisedohet në nivel klubesh.

skeda

Në pjesën e parë të këtij sezoni Taipi ishte pjesë e Uinterthur në Ligën e Parë në Zvicër. Pas aktivizimit me Shkëndijën e Tetovës karriera e Taipit është zhvilluar në Zvicër, ku ka luajtur Vil, Shafhauzen, St.Gallen, dhe Grasshporers. Taipi ka luajtur për Shqipëri U-21 për t’u bërë më vonë pjesë e përfaqësueses së Kosovës, ku ka zhvilluar edhe dy ndeshje.

kukesii

KONGOLEZI- Përveç Taipit, gazeta mëson se Kukësi ka arritur marrëveshjen me një mesfushor me tipare sulmuese nga Kongo, të cilin ia kanë sugjeruar dhe e ka pëlqyer trajneri Shpëtim Duro.

Klubi po bën të pamundurën për ta pajisur me vizë kongolezin. Mbetet për t’u parë nëse do të mbyllet në kohë kjo procedurë. Gjithsesi, ishte vetë trajneri Duro që në konferencën për shtyp të ditës së shtunë konfirmoi se klubi ishte në negociata me dy lojtarë me qëllim që të përforcohej ekipi.

“Skuadra është e plotë, por pas largimeve të Kitanovskit dhe Dakut, kam kërkuar dy lojtarë. Njërin e pres këto ditë dhe klubi po punon për çështjen e vizës. Është lojtar që e njoh dhe vjen nga Afrika. Kam kërkuar edhe një futbollist nga Shqipëria dhe do të ishte afrim me vlera, që do të shtonte konkurrencën në skuadër”, u shpreh Duro.

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"