EKSKLUZIVE/ Kukësi në prag të revolucionit veror, Diego Longon mund ta zëvendësojë trajneri që i shpalli kampion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 28, 2022 | 11:58

EKSKLUZIVE/ Kukësi në prag të revolucionit veror, Diego Longon mund ta zëvendësojë trajneri që i shpalli kampion

Pavarësisht se Kukësi ka ende shanse për të marrë pjesë në Europë, sezoni në kampin verilindor cilësohet si i dështuar.

ernest gjokaa

Në një situatë të tillë, i pari që pritet ta pësojë mund të jetë tekniku Diego Longo, i cili kohët e fundit ka pasur përplasje indirekte edhe me presidentin Gjici në prononcimet që janë dhënë nga të dyja palët në media.

Në këto kushte, burime të besueshme të “Panorama Sport” pranë kampit verilindor, pohojnë se rrugët e italianit me Kukësin pritet të ndahen pas mbylljes zyrtare të sezonit, ndërsa vendimi pritet të merret pas finales së Kupës së Shqipërisë, kur edhe mbyllet kontrata midis palëve.

Edhe nëse Kukësi arrin në Europë, ku duhet patjetër fitorja e Laçit ndaj Vllaznisë, shanset më të mëdha janë që italiani të mos e vijojë më aventurën në klub, ndonëse teorikisht është arritur objektivi minimal.

Në një situatë të tillë, kanë filluar menjëherë të qarkullojnë zërat për teknikun e ardhshëm të Kukësit dhe bëhet fjalë për një njohje të vjetër, Ernest Gjokën.

Ka rryma në ekip që kërkojnë rikthimin e tij, ndaj është një emër që po merret seriozisht, për më tepër që tekniku e njeh mirë ambientin dhe aktualisht është pa ekip.

LOJTARËT – Ndryshime pritet të ketë edhe sa i përket organikës së lojtarëve.

Emri i parë që lakohet si drejt largimit është ai i kapitenit Gjelbrim Taipi, i cili është gjithashtu në skandencë kontrate dhe përflitet për një interesim të Tiranës.

Edhe lojtarët e huaj të afruar nga trajneri Longo, si spanjolli De Lukas, është thuajse i larguar, ndaj edhe në ndeshjen e fundit në shenjë respekti iu la shiriti i kapitenin në krah.

Sakaq, gazeta mëson se ka sirena largimi edhe për brazilianin Vitor Feizhao, me këtë të fundit që kërkohet nga një ekip bjellorus, por për momentin mbetet “peng” i kontratës, pasi është i lidhur edhe për një sezon me Kukësin.

Nga ana e klubit verilindor, kurrsesi nuk do të lihet i lirë pa marrë diçka në këmbim, ndaj mbetet për t’u parë zgjidhja që do t’i japin.

Ndërkohë, ashtu siç pritej, dje në mbrëmje klubi ka konfirmuar largimet e dy elbasanasve, Ardit Hila dhe Emiliano Musta.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"