EKSKLUZIVE/ Kukësi në hall, trajnerit Gega i prishen planet. Dy futbollistët nuk pranojnë ofertën (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2020 | 20:08

EKSKLUZIVE/ Kukësi në hall, trajnerit Gega i prishen planet. Dy futbollistët nuk pranojnë ofertën (E PLOTË)

Kukësit i duhet kohë për t’u riformatuar plotësisht, pasi ndryshimet pas eliminimit nga Liga e Europës pritet të jenë të konsiderueshme në numër dhe thelbësore sa i përket rëndësisë. I larguari i parë ishte fantazisti Eduart Rroca, i cili u ble nga klubi turk i Istanbulsporit, teksa këta të fundit paguan 100 mijë euro, ndërsa Kukësi ka ruajtur 20 për qind të pronësisë së kartonit. Një largim i pamenduar nga klubi, pasi Rroca ishte llogaritur nga stafi që të ishte pjesë e ekipit për sezonin e ri. Gjithsesi, në këtë rast klubi përfitoi dhe lojtarit iu plotësua dëshira dhe në këto kushte largimi mund të quhet i justifikuar. E kundërta po ndodh me mbrojtësit Edis Maliqi dhe Erhun Obanor.
Obanor Gega
Të dy lojtarë nuk kanë dalë në stërvitje me ekipin gjatë dy ditëve të fundit, atyre u ka skaduar kontrata dhe është në dorën e tyre nëse do të qëndrojnë apo do të largohen përfundimisht nga Kukësi. Gazeta mëson se klubi u ka ofruar rinovimin e kontratës të 2 mbrojtësve.
edis maliqi
Ndërkohë, Maliqi po trajtohet ndryshe nga pjesa tjetër, pasi mbrojtësi i djathtë është në planet kryesore të klubit. Ai ka luajtur për dy sezone me Kukësin dhe shihet i rëndësishëm për skuadrën. Lojtari nga Shkupi u zbulua specifikisht nga drejtori Nexhipi. 24- vjeçari ka luajtur 57 ndeshje me Kukësin në kampionat, nga të cilat 56 si titullarë. Palët kanë negociuar, por lojtari me shumë gjasa do të largohet për çështje personale nga kampionati shqiptar, jo për efekt financiar. “Panorama Sport” zbulon se Maliqi ka oferta nga klube të rëndësishme të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovë, por gjithashtu nga kampionati bullgar dhe rumun.

Pra, palët akoma nuk kanë asnjë akord mes tyre dhe lojtari ka kërkuar lejen e kalimit nga klubi i Kukësit. Këta të fundit kanë ngurruar ta lëshojnë lojtarin, ndaj po bëjnë përpjekjet e fundit nëpërmjet negociatave për ta bindur atë që vazhdojë dhe për një vit me skuadrën.
obanor
Nuk është e njëjta situatë për Obanorin. Klubi ka dëgjuar pretendimet e tij, por ato kanë qenë mjaft të larta në aspektin financiar. Në këto kushte Kukësi i ka ofruar kontratën e re lojtarit, por palët nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët sa i përket aspektit financiar. Deri më tani asnjë prej palëve nuk tërhiqet nga pretendimet, ndaj do të jetë paksa e vështirë të arrihet te rinovimi. Sa i përket Obanorit, klubi është i zhgënjyer nga paraqitja e tij kundër Volfsburgut dhe nëse lojtari zgjedh që të mos pranojë ofertën, për drejtuesit nuk do të ishte “fundi i botës”. Nënkampionët e vendit kanë studiuar alternativa të tjera.

Pritet që brenda ditës së premte të mbyllen të gjitha çështjet e lëna pezull te Kukësi sa u përket largimeve apo rinovimeve. Nëse nuk do të gjendet akordi me secilin prej lojtarëve në fjalë, stafi teknik dhe ai menaxherial nuk do të rrinë duarkryq, por do të piketojnë afrime të reja. Do të tentohet një mbrojtës qendre me eksperiencë nëse do të largohet Obanor, e mandej sytë do të hidhen drejt elementëve të rinj që Kukësi ka në dispozicion. Ekipi i sezonit të ri ishte planifikuar me Rrocën, Musollin, Maliqin apo Obanorin në përbërje, por tashmë planet kanë ndryshuar shumë dhe drejtuesve do t’u duhet të punojnë për zëvendësimet e tyre, nëse gjithmonë këta dy të fundit nuk do të firmosin.

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"