EKSKLUZIVE/ Kukësi kërcënon me pagat, zbulohet lojtari i parë i cili është me valixhe në duar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 25, 2021 | 14:50

EKSKLUZIVE/ Kukësi kërcënon me pagat, zbulohet lojtari i parë i cili është me valixhe në duar

Kukësi ka rinisur stërvitjen pas tri ditëve pushim të lëna prej drejtuesve. Humbja e fundit ka lënë një shije shumë të keqe te drejtuesit, por edhe te vetë skuadra. Trajneri Mirel Josa ka kërkuar angazhim maksimal nga ekipi, edhe pse situata është si kurrë më parë sa i përket renditjes. Rrëshqitja poshtë mesit të tabelës ka acaruar në maksimum presidentin Safet Gjici, për të cilin gazeta mëson nga burime të sigurta pranë klubit se nëpërmjet vartësve të tij ka kërcënuar ekipin se nuk do të ketë më pagesa nëse nuk do të ndryshojnë rezultatet. Investimi i kreut të klubit ka qenë i madh dhe kurrsesi ai nuk e mendon dështimin ndonëse rreziku është real.

KUKESIIII

Gjithsesi, mbetet për t’u parë ecuria. E sa u përket futbollistëve gjatë stërvitjes munguan plotë pesë prej tyre. Ibraimi dhe Baravikas janë të grumbulluar nga kombëtaret e tyre, ndërsa Bytyçi, Dragoshi dhe Tafa janë grumbulluar nga Kombëtarja jonë Shpresa. Sakaq, nga ekipi është larguar Matheus Leira e pritet që në fund të sezonit të ketë largime të tjera. Një ndër ta është dhe Vesel Limaj, i cili ka bërë kërkesën për të ikur nga Kukësi. Që prej janarit, ai nuk ka pranuar të firmosë kontratën e re e për këtë shkak ka humbur edhe besimin e drejtuesve, të cilët nuk e llogaritin më, jo për shkak të cilësive, pasi Limaj ka kualitet të lartë, por për shkaqe të politikave të klubit.

Gjithashtu, kontrata i skadon në fund të sezonit një pjese të mirë të skuadrës duke vijuar me kapitenin Agim Ibraimi etj. Sakaq, për Limajn, por edhe për lojtarë të tjerë të Kukësit, ka pasur oferta të shumta nga klube brenda dhe jashtë vendit. Për Limajn ka shfaqur interes Lokomotiva e Zagrebit në Kroaci, klube hungareze e turke.

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"