EKSKLUZIVE/ Kukësi-Kastrioti e merr në dorëzim prokuroria, Komisioni i Etikës nuk…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 1, 2019 | 9:09

EKSKLUZIVE/ Kukësi-Kastrioti e merr në dorëzim prokuroria, Komisioni i Etikës nuk…

Ndeshjet e dyshua ra për parregullsi të rezultatit janë një nga plagët e futbollit në ditët e sotme në mbarë botën. Shqipëria nuk përbën dallim në këtë aspekt. Gazeta “Panorama Sport”, nga burime zyrtare pranë Federatës Shqiptare të Futbollit që kërkojnë të ruajnë anonimatin, ka mësuar se indiciet e mbërritura nga UEFA i janë dërguar për hetim prokurorisë në javën e parë të muajit qershor.

kukesi-kastrioti

Në bazë të të dhënave që ka pasur raporti i UEFA-s drejtuar FSHF-së, është sanksionuar ndeshja mes Kukësit dhe Kastriotit më 30 maj 2019 e zhvilluar në stadiumin “Kamza” në kryeqytet, si e dyshuar për parregullsi në rezultat. Materiali i ardhur në FSHF nga UEFA, e cila me anë të sistemit BFDS sinjalizon parregullsi, është përcjellë prej më se dy muajsh në organin e akuzës. Në bazë të nenit 197/ a të Kodit Penal, “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive” parashikon veprën penale në ngjarje të tilla: “Kryerja e veprimeve ose mosveprimeve për paracaktimin e rezultateve në garat sportive, kombëtare dhe ndërkombëtare, në kundërshtim me parimet e lojës së ndershme, përbën kundërvajtje penale. Po kjo vepër, e kryer për qëllime të fitimit pasuror, dënohet me burgim nga dy deri në shtatë vjet”.

KOMISIONI I ETIKËS

Pranë FSHF-së ka një komision që shqyrton ndeshjet të cilat kanë dyshime për parregullsi të rezultatit. Gazeta kontaktoi me Fatmir Brakën, kryetarin e Komisionit të Etikës, lidhur me raportin e mbërritur nga UEFA nëse ka dijeni dhe nëse është ndërmarrë ndonjë hetim. “Nuk kam asnjë dijeni. Tani që po më pyesni ju e mësova. Komisioni nuk është mbledhur së fundmi, thuajse prej një muaji dhe nuk kam informacione për sa po më pyesni. Ngjarje të ngjashme? Jam me pushime, flasim në shtator”, u shpreh Braka për “Panorama Sport”.

 

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"