EKSKLUZIVE/ Kukësi i bën ofertë mesfushorit të Kombëtares, zbulohen prapaskenat
Kukësi është pranë arritjes së marrëveshjes me mesfushorin e Shkëndijës së Tetovës, Kamer Qaka.
Burime të besueshme të “Panorama Sport” pranë klubit verilindor kanë treguar dje se drejtuesit kanë pasur së fundmi kontakte me mesfushorin 26- vjeçar për ta afruar në skuadër dhe për ta pasur pjesë të tyre këtë sezon.
Qaka është ende në kontratë me tetovarët, madje është aktivizuar edhe në ndeshjet e këtij kampionati në Maqedoninë e Veriut, por duket se ky fakt nuk përbën një problem për të dhe ekipin, pasi paraprakisht kanë rënë dakord që palët mund të ndahen me marrëveshje.
Lojtari nga Peja ka qenë i grumbulluar më herët edhe me Kombëtaren shqiptare dhe cilësitë e tij nuk diskutohen, ndaj në Kukës duken se po e shfrytëzojnë këtë mundësi, edhe pse për momentin në skuadër reparti i mesit të fushës duket i mbipopulluar.
QËLLIMI
Edhe pse nevojat e skuadrës nuk janë imediate në repartin e mesfushës, mesa duket në Kukës e shohin Qakën si një “bonus” që nuk duan t’iu ikë nga duart meqë gjasat janë që lojtari të largohet nga kampionët e Maqedonisë së Veriut.
Nga ana tjetër, duke qenë se verilindorët po kërkojnë edhe një mbrojtës, Qaka është një mesfushor me tipare mbrojtëse dhe mund të përdoret në prapavijë nëse do të jetë e nevojshme.
Ndaj, mund të vijë në Kukës për të bërë pse jo edhe mbrojtësin e qendrës.
Megjithatë, nuk bëhet fjalë për një marrëveshje të lehtë për t’u konkretizuar, edhe për faktin se merkatoja është drejt mbylljes.
Kukësi ka më tepër nevojë për sulmues dhe qendërmbrojtës, prandaj dhe Qaka shihet më tepër si bonus, por më parë duhet të prishë kontratën me Shkëndijën e Tetovës.
SULMUESI
Megjithatë, përpos zërave të merkatos, dihet që synimi real i verilindorëve është afrimi i një sulmuesi “pykë” që mund të garantojë golat për këtë sezon.
Por, me orët që po kalojnë, po duket një mision i pamundur afrimi i tij, për vetë faktin se futbollistë të një niveli të mirë vështirë se mund t’i gjesh në qarkullim këtë periudhë ku kampionatet në Europë thuajse kanë filluar të gjitha.
Nga njëra anë Longo e kërkon me ngulm sulmuesin, ndërsa nga ana tjetër drejtuesit po hasin shumë vështirësi për ta sjellë në skuadër, por deri në orën e fundit të mbylljes së merkatos, në Kukës të gjithë po qëndrojnë në pritje.
Gjatë këtyre javëve qarkulluan disa pista me emra cilësorë, por ranë rrugës të gjitha, kryesisht për shkak të pretendimeve të larta që kishin lojtarët, të cilët kërkonin një pagë mujore deri në 10 mijë euro.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"