EKSKLUZIVE/ Kukësi hap “thesin” për dy liderët e Partizanit, gati firma me ish-sulmuesin e Kombëtares (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 6, 2020 | 23:41

EKSKLUZIVE/ Kukësi hap “thesin” për dy liderët e Partizanit, gati firma me ish-sulmuesin e Kombëtares (E PLOTË)

Kukësi futet fuqishëm në merkato dhe diferencën kërkon ta bëjë me ata që trajneri i ri, Skënder Gega, u shpall kampion te Partizani në sezonin 2018- 2019. Alban Hoxha dhe Bruno Telushi kanë marrë tashmë një ofertë konkrete nga Kukësi dhe duhet të zgjedhin të ardhmen, në një kohë që zyrtarisht nuk kanë rinovuar marrëveshjen me Partizanin.

hoxha telushi

“Panorama Sport” ka zbuluar nga burime të sigurta në klubin verilindor se në ditët e fundit janë intensifikuar bisedimet mes palëve. Për momentin nuk ka një garanci nëse Hoxha dhe Telushi do t’i thonë “po” Kukësit, pasi në mes është Partizani dhe hapi konkret që drejtuesit e kuq do të bëjnë për zgjatjen e bashkëpunimit me dy titullarët. Kontrata e tyre me klubin e kuq ka skaduar tashmë dhe janë pikërisht ata që duhet të vendosin për të ardhmen, por lidhja e tyre e ngushtë me ekipin ku u shpallën kampion dy sezone më parë, e bën situatë delikate.

Prej një muaji lojtarët kanë pritur hapin konkret të presidencës së kuqe, ndërsa kur është pyetur për Hoxhën, publikisht drejtori i klubit, Olsi Rama, ka thënë se do të qëndrojë te Partizani. Gjithçka mbetet për t’u parë, por Kukësi po punon në fshehtësi për të bërë dy goditje “big”. Gega kërkon kampionë në skuadër për të arritur objektivin dhe goditjet mund të jenë pikërisht Hoxha dhe Telushi.

Llullaku

SULMUESI – Nëse me titullarët e Partizanit nuk ka asgjë të sigurt, ndryshon puna kur bëhet fjalë për Azdren Llullakun. Sulmuesi kosovar që ka qenë pjesë e Kombëtares shqiptare deri një vit më parë, ka rënë dakord me Kukësin dhe në orët e ardhshme pritet të firmosë. Prej disa ditësh palët po negociojnë detaje të marrëveshjes, teksa sulmuesi ka kërkuar kontratë 2-vjeçare. Burime në klub i thanë gazetës se tashmë gjithçka mund të quhet e mbyllur. Megjithatë, çdo gjë do të shihet kur kontrata të zyrtarizohet.

SKERDILAID SULOZEQI 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"