EKSKLUZIVE/ Kukësi gjen “sozinë” e Abazajt në Austri, prezantohet të hënën. Gati edhe një brazilian (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 31, 2020 | 23:12

EKSKLUZIVE/ Kukësi gjen “sozinë” e Abazajt në Austri, prezantohet të hënën. Gati edhe një brazilian (E PLOTË)

Te Kukësi kanë nisur edhe lëvizjet e para të merkatos. Me klubin nënkampion i kanë mbyllur llogaritë titullarë si Kristal Abazaj dhe Vasil Shkurtaj, duke hapur një gropë të madhe në pjesën ofensive. I pari erdhi në formë huazimi te Kukësi nga Anderlehti dhe bëri shumë mirë gjatë kësaj kohe, pasi shënoi 10 gola në 33 ndeshje. Ai u bë protagonist edhe me 14 asiste për gol. 24-vjeçari arriti një formë mjaft të mirë dhe zgjoi vëmendjen e shumë klubeve të huaja. Abazaj e mbylli kontratën me Kukësin dhe për këtë arsye nënkampionët nuk kanë ndenjur duarkryq, por direkt e kanë zëvendësuar atë me një futbollist mjaft cilësor që vjen nga Austria.

Albin Gashi of Austria

“Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se bëhet fjalë për mesfushorin e krahut, Albin Gashi. 23-vjeçari e mbylli sezonin në Ligën e Dytë austriake me Florisdorfer AC. Ai ka dalë lojtar i lirë dhe drejtuesit e Kukësit u hodhën menjëherë në sulm dhe e bindën t’i bashkohet ekipit. Gazeta mëson se lojtari me origjinë kosovare i lindur në Austri ka firmosur një kontratë 3-vjeçare me Kukësin. Të hënën ai mbërrin në Tiranë dhe prezantohet si lojtar i ri i Kukësit. Gashi është cilësuar si një talent në Austri, duke qenë pjesë e padiskutueshme e të gjitha kombëtareve të moshave në këtë vend. Mesfushori që më tepër luan në të majtë është rritur si futbollist në akademinë e Rapidit të Vjenës.

gashi

Në vitet e fundit Gashi ka qenë nën kontratë me klubin e madh austriak, por pa mundur të debutojë me ekipin e parë. Duke mos gjetur hapësira, ka qenë pjesë e ekipit të dytë të Rapidit të Vjenës, derisa në vitin 2018 e kaluar në klubin e elitës holandeze, Den Bosh. Pas vetëm 89 minutash aktivizim në Holandë, sulmuesi rikthehet te Horn në Ligën e Dytë austriake në sezonin 2018- 2019. Ndërsa kampionatin e fundit ai e mbylli te Floridsdorfer AC, duke luajtur 22 takime dhe shënuar 2 gola.besa

BRAZILIANI – Klubi verilindor “peshkon” edhe në Kategorinë e Parë. Si alternativë e sulmit në rolin e një fantazisti për t’u bërë pjesë e Kukësit është edhe braziliani i Besës së Kavajës, Iran Gonçalves. 24- vjeçari ka bërë kampionat të mirë me verdhezinjtë, ku ka shënuar 12 gola në 18 takime të luajtura.

Mesfushori me tipare sulmuese nga Brazili, është vëzhguar nga menaxherët e klubit dhe nëse do të nënshkruajë me Kukësin vjen si lojtar i lirë, pasi me përfundimin e kampionatit, i ka skaduar edhe kontrata. Klubi i Besës i ofroi sërish kontratë 1-vjeçare, por lojtari nuk ka pranuar të firmosë, së pari për të provuar veten në Superligë me Kukësin, por edhe për shkak të anës financiare. Burime pranë lojtarit kanë thënë për gazetën se ai nuk është shlyer plotësisht nga klubi kavajas. Gjasat janë që në ditët e ardhshme Gonçalves të zyrtarizohet si afrimi i radhës te Kukësi.

 

SKERDILAID SULOZEQI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"