EKSKLUZIVE/ Kukësi arrin të mbijetojë në Superiore, tetë titullarë kërkojnë largimin nga skuadra

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 31, 2023 | 8:50

EKSKLUZIVE/ Kukësi arrin të mbijetojë në Superiore, tetë titullarë kërkojnë largimin nga skuadra

Kukësi ka bërë një sezon për t’u harruar, duke e siguruar mbijetesën vetëm në javën e fundit ndaj Egnatias. Klubi verilindor bëri ndryshime të shumta në merkaton e verës dhe gjithashtu të janarit, duke e rindërtuar ekipin thuajse dy herë nga fillimi.

kukesi

Me fundin e kampionatit janë shumë futbollistë që do të dalin si lojtarë të lirë, duke qenë se kontrata e tyre me klubin e Kukësit ka përfunduar. Megjithatë, “Panorama Sport” zbulon nga burime të sigurta se shumë lojtarë kanë në kontratë një pikë që i detyron të kërkojnë mosrinovim një muaj para fundit të marrëveshjes, ose në të kundërt kontrata e tyre rinovohet automatikisht me kushtet e rëna dakord në fillim të sezonit.

Gazeta mëson se në drejtim të FSHF-së kanë shkuar disa shkresa nga futbollistët, të cilët kanë kërkuar që të mos rinovohet kontrata e tyre dhe bëhet fjalë për emra të cilët në fakt kanë qenë titullarë dhe protagonistë kryesorë te Kukësi i këtij sezoni. Bëhet fjalë për portierin Betim Halimi, mbrojtësit Redon Dragoshi dhe Altin Bytyçi, mesfushorët Ergys Peposhi dhe Shqiprim Taipi, si dhe sulmuesin Edi Basha, të cilët nuk do të jenë më pjesë e skuadrës së Kukësit për sezonin e ri. Këtyre futbollistëve ju përfundon kontrata në fund të muajit maj dhe duan të lojtarë të lirë, kështu që për t’u siguruar për diçka të tillë, në FSHF dhe në klub, ka mbërritur shkresa prej tyre, që nuk duan të ketë rinovimin automatik të kontratës me Kukësin. Kjo është një procedurë që duhet bërë nga lojtarët, pasi në të kundërt hyn në fuqi rinovimi i marrëveshjes.

Ndërkohë, mes lojtarëve të larguar është edhe sulmuesi brazilian, Gabriel Barbosa, i cili në ndryshim nga të tjerët, ka ardhur te Kukësi në formën e huazimit. Në këto kushte, për qëndrimin ose jo të tij nuk vendos Kukësi. Braziliani tjetër që është në ekip, mbrojtësi Ebert Kardozo, është në fund të kontratës, por është parashikuar opsioni i zgjatjes së saj edhe për një sezon. Tashmë, klubi është vënë para këtij fakti dhe duhet të vendosë se si do të zgjidhet situata për sezonin e ardhshëm me Ebert, edhe pse shanset për të qëndruar janë shumë të pakta. Mbrojtësi nuk ka bërë diferencën këtë sezon, prandaj dhe palët pritet të ndahen me mirëkuptim, edhe pse gjithçka është në dorë të klubit.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"