EKSKLUZIVE/ Kriza te Elbasani, Hyshmeri ngre alarmin: Kemi marrë vetëm 100 mijë lekë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2019 | 14:39

EKSKLUZIVE/ Kriza te Elbasani, Hyshmeri ngre alarmin: Kemi marrë vetëm 100 mijë lekë

U bënë disa sezone që Elbasani është në krizë të thellë financiare dhe po lëngon në vendet e fundit. Ata që e pësojnë më shumë në të tilla raste janë futbollistët, të cilët thuajse asnjëherë nuk i kanë marrë pagat të gjitha, por gjithsesi kanë zbritur në fushë, duke i lënë mënjanë këto probleme. 

Hyshmeiri

Kur janë luajtur 9 javë nga ky kampionat, ekipi ka marrë vetëm një premio dhe asnjë rrogë. Përpos kësaj, lojtarët dhe stafi kanë vazhduar si çdo ditë punën sa u përket stërvitjeve.

RROGAT – Në një prononcim për “Panorama Sport” është mesfushori Renato Hyshmeri ai që ngre alarmin dhe kërkon më shumë mbështetje për verdheblutë, sepse nuk është e drejtë që gjithë këta muaj të kenë marrë vetëm 100 mijë lekë të vjetër. “Që kur pranuam të luanim me Elbasanin, e dinim që klubi është i kapur nga një krizë financiare, për shkak të problemeve që tanimë janë të njohura, sepse u bënë disa sezone radhazi me këto çështje.

U bënë kaq muaj që luajmë dhe kemi marrë vetëm 100 mijë lekë të vjetër. Bëjini vetë llogaritë tani. Nuk duam të vëmë gishtin tek asnjë dhe të gjejmë fajtorët, sepse kjo nuk është detyra jonë, pasi ne jemi futbollistë dhe luajmë në fushë”, u shpreh fillimisht 30-vjeçari, i cili kërkon pak më shumë respekt për punën e djemve dhe të mos u hahet haku.

Elbasani

ECURIA – Nuk kishte si të mos ndalej edhe te ndeshja e radhës me Apoloninë. Jo vetëm që beson te marrja e pikëve, por pohon se pavarësisht të gjithave do të shkojnë në Fier për të dhënë maksimumin. “Vijmë pas lojërave të mira dhe rezultateve të kënaqshme, ndaj do të kërkojmë të marrim më të mirën e mundshme.

hYSHMERI

Nuk do ta kemi të lehtë, por pavarësisht të gjitha problemeve që kemi, në fund të fundit jemi Elbasani dhe do ta tregojmë këtë gjë në fushë. Duam të largohemi sa më parë nga vendi i fundit dhe të mos e vëmë në rrezik qëndrimin në kategori. Do të donim të ishim në kushte të tjera, por nuk kemi çfarë t’i bëjmë”, përfundoi ish-mesfushori i Partizanit dhe Tiranës, i cili këtë sezon pranoi të rikthehej te skuadra e vendlindjes, edhe pse nuk jo në kushtet dhe pozitat që do të preferonte.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"