EKSKLUZIVE/ Akuzat e Çanit, reagon presidenti Demi: Nuk më intereson asgjë për të

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 14, 2018 | 23:03

EKSKLUZIVE/ Akuzat e Çanit, reagon presidenti Demi: Nuk më intereson asgjë për të

Edgar Çani ka mbetur shumë i zhgënjyer nga Partizani, ndërsa në intervistën e dhënë ekskluzivisht për gazetën “Panorama Sport” një ditë më parë deklaroi hapur se në klubin e kuq nuk kishte gjetur profesionalizmin dhe seriozitetin që i ishte premtuar fillimisht. Ish-sulmuesi foli hapur duke mos kursyer asgjë në drejtim të menaxhimit dhe administrimit të klubit.

edgar cani

Edhe pse palët e prishën kontratën me marrëveshje, Çani nuk heshti. Ai vendosi të mos kursehet dhe të tregojë gjithçka nuk shkonte te Partizani sipas tij. Ish-lojtari i Kombëtares evidentoi se nuk mund të qëndronte më në një vend ku kishte humbur besimin te njerëzit.

gazmend demi

Gazeta kontaktoi dje presidentin e Partizanit, Gaz Demi, për ta pyetur me gjithçka tha 29-vjeçari, që ishte edhe lojtari më i paguar në historinë e kampionatit shqiptar.

DEMI

Numri një i “demave” nuk dëshiron të flasë gjatë, ndërsa duket qartë se ka mbetur shumë i zhgënjyer nga Edgar Çani.  Në përgjigjen e tij, ai e konsideron ish-sulmuesin si një njeri që flet pa vetëdije. “Nuk më intereson asgjë për njerëz që flasin pa vetëdije”, tha shkurtimisht presidentit i Partizanit për gazetën. Edgar Çani u afrua me shumë bujë në gushtin e 2017-ës në kryeqytet, duke nënshkruar një kontratë 2- vjeçare.

gazment demi

Ai do të përfitonte 240 mijë euro në një sezon, ndërsa paga mujore i shkonte në 20 mijë euro. Por, afrimi i tij rezultoi një dështim i plotë, pasi në 11 ndeshje që u aktivizua (vetëm 5 prej tyre si titullar) shënoi vetëm një gol. Përpara disa javësh, palët e prishën me konsensus kontratën, ndërsa Çani u la jashtë skuadrës në Kupat e Europës, duke mos u konsideruar si i vlefshëm për ekipin. Kriza u thellua kur e transferuan për t’u stërvitur te skuadra B e të kuqve, pasi drejtuesit dëshironin që ai të largohej.

Tashmë, sulmuesi shtatlartë është transferuar te Viboneze në Serinë C dhe duket se në Itali ka rigjetur qetësinë. Ai vetë e ka pranuar se ndihet shumë herë më mirë dhe ka gjetur një ambient ku punohet me profesionalizëm, ndryshe nga Partizani.

BESAR BOZGO

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"