EKSKLUZIVE/ “UEFA njihte Tomorin në short si klub kampion”, Kristaq Mile: Ju tregoj pse rregullorja e FSHF-së ishte në favorin tonë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 1, 2020 | 0:33

EKSKLUZIVE/ “UEFA njihte Tomorin në short si klub kampion”, Kristaq Mile: Ju tregoj pse rregullorja e FSHF-së ishte në favorin tonë

I aq debatuari titull ka mpion i sezonit 1999- 2000, me beratasit që ndihen të vjedhur dhe bardheblutë që pretendojnë se kanë merituar gjithçka. Nga Tomori deklarojnë se është shkelur rregullorja e fillimsezonit, ndërsa sot flet trajneri i asaj kohe për beratasit, Kristaq Mile (vazhdon të drejtojë të njëjtin ekip edhe sot).

Traineri i ekipit te Teutes, gjate ndeshjes se futbollit, Dinamo-Teuta e Durresit, e vlefshme per Kampionatin Kombetar, e luajtur ne stadiumin Selman Stermasi.

Me vështirësi ai u bind të flasë enkas për “Panorama Sport” edhe përtej faktit të atij titulli. Mile tregon se UEFA njihte si klub kampion të Shqipërisë në vitin 2000 Tomorin në shortin e hedhur në Zvicër.

Mile, shëndeti mbi të gjitha. Si jeni?

Shumë mirë, faleminderit! Mbyllur në shtëpi, por me shëndet të plotë.

Pa futboll, të izoluar…  U ambientuat paksa me këtë situatë?

Jo, jo, përkundrazi. Jam çakorduar. Më mungon fusha, stërvitja, skuadra, ndeshjet…

Ju jeni një ndër ikonat e futbollit beratas. Tomori është “identiteti” juaj primar si futbollist dhe trajner. Si ndiheni sot, kur e shihni skuadrën e zemrës të rropatet në këto nivele inferiore?

Sigurisht që nuk ndihem mirë dhe jam i bindur se askush nuk ndihet mirë. Jo vetëm ne që na digjet shpirti për Tomorin, por gjithë futbolldashësit kudo që janë në Shqipëri, besoj, sepse tradita dhe emri i kësaj skuadre nuk mund të kufizohet vetëm brenda Beratit.

Sipas jush, jashtë “nepotizmit” me skuadrën, por me gjykim të ftohtë dhe sy specialisti, pse u katandis deri këtu Tomori?

Nuk do të doja ta bëja dhe nuk mund ta bëj unë këtë gjykim. Por, kini parasysh diçka: po pati pisllëk dhe pandershmëri, nuk bëhet asgjë. Sporti është kolektiv dhe, nëse nuk ka bashkëpunim harmonik, nuk arrihet kurrë qëllimi madhor.

E keni ndjekur debatin e titullit të vitit 2000 në “Panorama Sport”? Keni qenë trajner i Tomorit atë sezon, që e mbyllët me pikë të barabarta me Tiranën. Është me interes për publikun opinioni juaj, pasi kurrë më parë nuk keni folur për këtë çështje?

Po, e vërtetë, sot po flas për herë të parë për ju. Në fakt, nuk më pëlqen të merrem me gjëra të kaluara, por as nuk mund të hesht përpara një padrejtësie si ai kampionat i vitit 2000. Na e kanë marrë padrejtësisht, sepse rregullorja ka qenë në favorin tonë dhe flasin shifrat: 1 fitore dhe 1 barazim, 4 pikë ne e 1 Tirana në ndeshjet direkte. Ja pse kampionët duhet të ishim ne dhe jo Tirana, pa pasur fare nevojë për ndeshje shtesë. Para fillimit të çdo sezoni ka një rregullore të qartë që përcakton gjithçka.

Muxhaj

Atë sezon, sipas jush, nuk ka patur një rregullore që përcaktonte se nëse dy ekipe dilnin me pikë të barabarta, duhet të luanin një finale ekstra për titull?

Absolutisht që nuk ka patur një rregullore të tillë të deklaruar në fillim të atij kampionati. Le ta faktojë dikush tjetër të kundërtën. Ka qenë rregullorja mbi bazën e ndeshjeve direkte mes dy ekipeve me pikë të barabarta. Nuk di si u ndryshua kjo rregullore diku nga fundi i dhjetorit, fundi a fillimi i kampionatit, por gjithmonë pa u deklaruar dhe pa u bërë e ditur për opinionin sportiv dhe më gjerë. Mos harroni edhe këtë: në Lozanë, në short, UEFA llogariste Tomorin si ekip kampion.

Sot jeni sërish trajner i Tomorit, por në Kategori të Dytë. Publiku duhet të mësohet me një ekip të niveleve inferiore apo të besojë se kjo skuadër me emër do t’i rikthehet elitës?

Gjithçka do ta bëjmë dhe do ta sjellim gradualisht. Nuk e kemi objektiv sot për nesër, por një projekt shumë serioz. Faktorët, bashkëpunimi, serioziteti, bashkërendimi i ideve me pushtetin vendor dhe donatorët e tjerë, do të jenë përcaktues dhe jemi optimistë.

Kur mund të ngjitet skuadra beratase në Superiore?

Kur të gjithë t’i bëjmë mirë të gjitha. Që jo vetëm të ngjitemi në Superiore, por ta rikthejmë Tomorin drejt kohëve më të lavdishme. Ky objektiv nuk është i lehtë, por i arritshëm nëse jemi të gjithë bashkë dhe me një qëllim unik. Me dhimbje e them, por Superliga ka nevojë për ekipe të traditës, si Dinamo, Besa, Apolonia, Elbasani, Tomori etj., për një Flamurtar e Luftëtar, që po shkojnë drejt rrëzimit. Por kështu ardhkan kohët, investimet… Futbolli nuk luhet me bukë e djathë!

Në këtë pandemi mendoni se do të rifillojë futbolli?

Them se jo, do jetë shumë e vështirë. Në radhë të parë duhet të mendojmë ecurinë e njerëzimit dhe triumfin mbi këtë armik jete, sepse njeriu është mbi të gjitha.

 

ELBASAN, 28 maj 2000

TIRANA-TOMORI 1-1 (5-4 p)
GOLAT: Rizvanolli 59′ / K. Arbri 90′

PENALLTITË:
TIRANA: Alimehmeti +, Kenesei +, Memishi +, Driza +, Dede +
TOMORI: Hasa -, Lako +, Gega +, K. Arbri +, Muzhaj +.

TIRANA:
Nallbani, Sina, Dabulla, Dede, Alimehmeti, Tafaj, E. Bulku (Memishi 57′), Kenesei, Driza, Vito (Sulori 100′), Rizvanolli (Riza 62′). Trajner: Sh. Muça.
TOMORI: Muzhaj, Dino, Fani (Gega 76′), Deliu, Aliaj, Lako, K. Arbri, Maloku, Rustami, Jahja (Tabaku 60′), Gjata (Hasa 60′). Trajner: K. Mile.

GJYQTARË:
B.Pregja, E.Pjetrushi, A.Mali
KARTONË TË VERDHË:
Nallbani, Tafaj, Rizvanolli/ Fani, Aliaj (2).
KARTON I KUQ: Aliaj 75′.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"