EKSKLUZIVE/ Krijimi i “Ligës Epirote”, reagojnë klubet e Jugut: Do mbusheshin stadiumet, por për këtë nismë duhen…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 20, 2022 | 19:01

EKSKLUZIVE/ Krijimi i “Ligës Epirote”, reagojnë klubet e Jugut: Do mbusheshin stadiumet, por për këtë nismë duhen…

Ideja e Sinan Idrizit për krijimin e “Ligës Epirote” ka pasur jo pak impakt. Njihet ndjeshmëria e shqiptarëve kur vjen puna te Greqia, ndonëse qëllimi i administratorit të Flamurtarit ishte i qartë. Ai nuk i përmendte fort rastësisht Janinën dhe Igumenicën, të cilat dikur kanë qenë troje shqiptare. Marrë shkas nga ky propozim, gazeta “Panorama Sport” mori reagime nga disa prej klubeve të Jugut të vendit tonë dhe duhet thënë që ka “pro” dhe “kundër”. Ka nga ata që janë gati, por edhe nga ata që e quajnë marrëzi…

flamurtari - luftetari

AF LUFTËTARI – Në Gjirokastër e mbështesin këtë ide. Administratori Fotis Kristidhi pohon se AF Luftëtari do të ishte gati të bashkohej: “Pa dyshim që është një ide e mirë dhe si të tillë, AF Luftëtari mund ta marrë në konsideratë. Problemi është se duhen parë edhe emrat e ekipeve të tjera që do mund t’i bashkohen kësaj nisme. Ne jemi për zhvillimin e futbollit, ndaj nëse bëhet ftesë, s’ka arsye pse ta refuzojmë”.

ORIKU – Administratori i Orikut ka paqartësi për rrugën se si mund të arrihet, por dakord është ama. “E lexova atë se çfarë kishte thënë Idrizi në gazetën tuaj. Për pjesën sportive besoj se është pozitive, por nuk e di si mund të arrihet. Mendoj se nuk është e lehtë që nga një dëshirë e tillë të bëhet realitet. Por po pati gjëra pozitive, pse të mos bëhet kur flasim për lëvizjen e lirë dhe tregtinë e lirë gjithashtu. Nuk e di si do të jetë vendimi i institucioneve. Pra, jemi të paqartë për këtë, se si mund të bëhet dhe arrihet”, tha Muharren Jazaj.

LABËRIA – Nga Labëria flet trajneri Arlind Rustemi. Ai evidenton se duhet një organizim më gjithëpërfshirës, por që duhet të nisë nga federata. “Sipas opinionit tim, duhet një organizim më gjithëpërfshirës duke filluar nga institucionet shtetërore, si dhe FSHF dhe klubet e futbollit. Tri janë pikat kryesore: përmirësimi i infrastrukturës, organizimi i akademive të futbollit që sot kanë thjeshtë emrin akademi. T’i japim prioritet prodhimit vendas duke ulur numrin e lojtarëve të huaj në mënyrë që të ketë hapësira për futbollistët që formohen në klubet shqiptare”, deklaron tekniku i labëve.

GRAMOZI – Edhe në Ersekë janë më shumë se dakord. Ilir Qirjako mendon që vetëm financat janë pengesa e vetme. “Nuk më duket ide e keqe, pasi vërtet do mbushte stadiumet. Do fuste një klimë europiane dhe do të kishte më ‘Fair Play’ në lojë. Pengesa e vetme mbetet financa, pasi ideja e Idrizit më duket e shkëlqyer. Sipas mendimit tim, në këtë moment, organizimi i Kategorisë së Dytë do të ishte mirë të bëhej me tri grupe me nga 10 ekipe dhe tri faza. Kjo, pasi udhëtimet do të jenë të gjata, hotelet dhe stadiumet do të mbusheshin më shumë. Vërtet zhvillohet Kategoria e Tretë, por nuk jep entuziazëm. Misioni i FSHF-së është që ta zgjerojë lojën e futbollit në skajin më të largët të Shqipërisë dhe jo duke bërë kampionate të Kategorisë së Tretë në Tiranë”, tha trajneri dhe njëherësh zyrtari i klubit të Gramozit.

TEPELENA – Ilir Selimi nuk e gjykon idenë që vjen nga Vlora, por as dëshiron ta komentojë. Trajneri i Tepelenës shprehimisht tha: “Nuk e kam lexuar idenë e Idrizit dhe nuk mund ta komentoj. Është e drejta e tij të bëjë çfarë mendon”.

MEMALIAJ – Në Memaliaj e quajnë marrëzi këtë ide. Trajneri Altin Zhupa mendon se ky është vetëm një “gur” që hidhet në lumë. “Nuk kam koment për atë çka ka deklaruar Idrizi dhe as për atë që propozon ai. Kjo është si të hedhë një gur një budalla në lumë dhe të tjerët të hidhen ta gjejnë gurin që ka hedhur ky i marrë. A mund të gjendet guri?”, përfundoi Zhupa.

BASHKËPUNUAN: Ermal Sika/ Tomor Shehu/ Ronald Suli – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"