EKSKLUZIVE/ Kotobelli pa doreza: Partizani më masakroi, më sulmojnë edhe kur luaj mirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 16, 2018 | 23:36

EKSKLUZIVE/ Kotobelli pa doreza: Partizani më masakroi, më sulmojnë edhe kur luaj mirë

Blerim Kotobelli nuk është më futbollist i Partizanit, pasi palët nuk kanë rënë dakord për kushtet e rinovimit. Mbrojtësi ishte blerja e parë në sezonin e shkuar dhe bëhet i pari, që largohet nga Partizani në prag të nisjes së edicionit të ri. Në intervistën e dhënë enkas për “Panorama Sport”, Kotobelli tregon shkaqet e largimit, ku denoncon se është masakruar, keqtrajtuar dhe ngrënë haku te Partizani.

Mbrojtësi nuk ka dashur të përmendë emra, por “inatin” e ka me trajtimin që i është bërë, ku pa dyshim ndikim ka pasur edhe ndërrimi që trajneri Dalipi i bëri në Kukës, në minutën e 41- të të pjesës së parë. 25- vjeçari nuk i ka pranuar kushtet e drejtuesve të kuq, ndaj ka vendosur të largohet që të mos e thellojë më shumë keqtrajtimin ndaj tij.

Kotobelliiii

Blerim, cila është situata juaj te Partizani dhe a do të nisni përgatitjet me ekipin për Ligën e Europës?

Pata një takim me drejtuesit dhe ata nuk donin rinovimin tim me rritjen e pagës, por me të njëjtat kushte. Unë nuk pranova kushtet e tyre dhe vendosa ta mbyll me Partizanin.

A ka arsye tjetër përveç rrogës që ju detyruan të largoheshit?

Sigurisht, pasi gjithë vitin më kanë masakruar duke më trajtuar shumë keq, si dhe duke më ngrënë hakun. Të gjithë e dinë si më sulmonin dhe nuk më lanë të punoj. Nuk më kanë aktivizuar dhe ka pasur raste që trajneri më ka nxjerrë nga fusha në mënyrë të pakuptimtë. Nuk u lejoj që të më trajtojnë kështu edhe në vijim dhe të më ulin në këtë mënyrë.

Kush ju ka sulmuar te Partizani, keni ndonjë emër konkret?

Emrat konkretë nuk dua t’i nxjerr tani, por koha do t’i zbulojë vetë.

kotobelli

Thatë që trajneri ju ka nxjerrë nga fusha me të padrejtë, kujt i referoheni, pasi ekipin e drejtuan 3 të tillë në sezonin e fundit?

E thashë se nuk dua të përmend emra për momentin. Kaq mund të them tani për tani.

Mos ndoshta e keni fjalën për trajnerin Dalipi, i cili në Kukës ju nxori nga fusha në minutën e 41-të të pjesës së parë?

Besoj se gjërat kuptohen shumë mirë, ndaj them se nuk ia vlen të përmend emra. Më mirë me kaq.

Si shpjegohet që nga një sezon mbresëlënës te Teuta nuk arritët të përshtateshit te Partizani?

Që ditën e parë kur kam mbërritur dhe deri më tani që po largohem, asnjëherë nuk më lanë të punoj i qetë, veç sulmime. Në fillim nuk më jepnin mundësi, edhe pse ekipi pësonte tri humbje rresht, vetëm për të mos luajtur. Në pjesën e dytë të sezonit fillova të luaja disa ndeshje shumë të mira dhe më thoshin: kështu vazhdo, derisa filluan nga mënyrat e tyre, duke bërë formacionin siç e duan ata. Edhe duke luajtur mirë aty të sulmojnë, imagjino kur luan dobët ose nuk luan nga fillimi se çfarë ndodh.

Të kthehemi edhe njëherë te kushti që ju vendosi klubi, që ju detyroi të largoheshit nga Partizani…

Është për të ardhur keq që një klub si Partizani të më vejë ashtu kushtet. Ndaj, nuk pranova dhe thashë se është më mirë me u larguar. Ata nuk pranuan rritjen e rrogës, por edhe pagesa do të bëhej në bazë të minutave që do të luaja. Duke ditur se si isha trajtuar në sezonin e parë, vendosa që të përshëndetem me Partizanin.

Cili do të jetë destinacioni juaj i ri?

Fillimisht po prisja Partizanin, por duke ditur se u mbyll ky kapitull tani do të shqyrtoj ofertat që kam, pasi ka interes nga disa klube. Kam kohë në dispozicion dhe me qetësi do të zgjedh më të mirën e mundshme.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"