EKSKLUZIVE/ “Si më kërcënoi me burg Edmond Koseni”, ish-sulmuesi i Tomorit zbulon të pathënat duelit për titull me Tiranën: Nuk na mundën as me…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 25, 2020 | 22:55

EKSKLUZIVE/ “Si më kërcënoi me burg Edmond Koseni”, ish-sulmuesi i Tomorit zbulon të pathënat duelit për titull me Tiranën: Nuk na mundën as me…

Për humbjen e titullit të 2000-shit, në Berat nuk e kanë FSHF-në, por edhe me Policinë e Elbasanit. Një nga protagonistët e finales së 28 majit në stadiumin e Elbasanit, ish-sulmuesi Edmond Gjata, tregon për “Panorama Sport” se si e kërcënoi kryepolici Edmond Koseni në stol, duke i treguar burgun.
gjata|
Redi Jupi dhe Edmond Gjata gjatë një ndeshjeje të sezoneve të kaluara Dinamo-Tomori 
Mondi, si e kujtoi sezonin 1099-2000, kur i jeni afruar shumë titullit dhe e keni humbur në finale përballë Tiranës?
Kur kthehesh 20 vite pas dhe kujton atë sezon të madh që kemi bërë, detyrimisht që keqardhja shtohet më shumë dhe aq më shumë kur flasim ne protagonistët e vërtetë në fushë. Ai kampionat la pas shumë dritëhije dhe koha po tregon se Tomori e meritonte plotësisht atë titull të mohuar padrejtësisht.

Pse padrejtësisht? Ju e kishit mundësinë ta fitonit titullin në një ndeshje shtesë në Elbasan?
Nuk është plotësisht kështu dhe as kaq e thjeshtë sa shtrohet pyetja. Sot po dëgjojmë lloj-lloj broçkullash që po flasin njerëz të ndryshëm dhe të gjitha janë justifikime të atyre zyrtarëve dhe drejtuesve të kundërshtarëve tanë, të cilët kërkojnë të dezinformojnë opinionin. Është e qartë si drita e diellit, Tirana u ndihmua për ta fituar atë titull. Në tri ndeshje nuk fitoi dot me Tomorin dhe dy prej tyre janë luajtur jashtë Beratit. Po kështu, edhe pse dy herë mori me vete gjyqtarin e saj të besuar, Bujar
Pregjën, përsëri nuk ia doli. Për çfarë finaleje mund të flitet, kur ngarkesa emocionale bënte të vetën? Si mund të harrojmë presionin psikologjik në pistën e stadiumit para dhe gjatë ndeshjes dhe atë që u ndodhi tifozëve tanë? Po unë që u kërcënova nga Mond Koseni me burg? E paktë është kjo?
edmond-koseni-e1491336582836
Ish-komisari Edmond Koseni 

Çfarë ndodhi më konkretisht Mondi?
Ishte momenti i zëvendësimit tim në pjesën e dytë dhe kur u afrova te stoli ynë, më thirri nga tribuna qendrore tifozi ynë i njohur, Gori Mile. Unë i ktheva përshëndetjen dhe në atë moment, pranë stolit tonë, i shoqëruar nga truprojat e tij, ka ndërhyrë Mond Koseni, i cili më tha: “Kthehu para dhe futu brenda, s’ke punë të flasësh me tifozët në tribuna”. Unë iu përgjigja: “S’ka asgjë të keqe, ka ardhur nga Italia”. Po Koseni, me egërsinë e tij, vijoi: “Do futesh brenda apo të të marr dhe të plas në burg?”
Nuk e prisja dhe nisa t’i thosha: “Kemi ardhur për të luajtur futboll dhe jo për burg”. Ishte ndërhyrja e shefit të klubit, Ismet Ajazi, që për momentin i dha fund debatit, duke më urdhëruar të ulesha në stol, sepse Koseni për pak sa nuk më preku me
dorë. Kërcënimi i tij verbal ishte shumë i rëndë, një skandal i vërtetë.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"