EKSKLUZIVE/ Kontratë si e Ibrës dhe ofertë marramendëse nga Vllaznia, sulmuesi maqedonas merr vendimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 10, 2020 | 17:30

EKSKLUZIVE/ Kontratë si e Ibrës dhe ofertë marramendëse nga Vllaznia, sulmuesi maqedonas merr vendimin

Marko Simonovski refuzon Vllazninë. Kur pritej që maqedonasi të prezantohej si përforcimi i radhës në skuadrën e Tomas Brdariç, situata ka marrë tjetër kthesë. Sulmuesi pas disa orësh bisedimesh me drejtuesit e klubit, ka thënë “jo”.

Marko_Simonovski

Ai ishte të martën në Shkodër i shoqëruar nga menaxheri i tij për t’u takuar me sponsorin Alban Xhaferi dhe drejtorin Matko Djarmati. Këta të fundit i kanë bërë një ofertë realisht marramendëse, që mund ta kthente 28-vjeçarin në më të paguarin jo vetëm të shkodranëve, por edhe të kampionatit shqiptar.

KONTRATA PROGRESIVE

Gazeta “Panorama Sport” mëson se klubi ka qenë gati që të jepte plot 12 mijë euro rrogë në muaj për shërbimet e qendërsulmuesit. Një shifër në dukje e ekzagjeruar, por që nuk do të “fitoheshin” aq lehtë prej futbollistit nga Maqedonia e Veriut. Kontrata e tij do të ishte progresive (ashtu si për të gjithë lojtarët e tjerë që janë pjesë e organikës për sezonin 2020-2021), e thënë ndryshe do të bazohej te paraqitja.

Që do të thotë paga e tij do të përllogaritej në varësi të minutazhit, formës, golave, asisteve apo edhe objektivave të klubit.

VLLAZNIAAA

REFUZIMI I OFERTËS

Lojtarit nuk i kanë pëlqyer këto kushte, ndaj ka refuzuar që t’i bashkohet Vllaznisë. Kontrata i përngjan asaj që Milani i ofroi për rinovim Zlatan Ibrahimoviçit (që ky i fundit e refuzoi në fakt, derisa iu plotësuan kërkesat që kishte). Suedezit i ofronin 7 milionë euro, por në të përfshiheshin një sërë bonusesh të lidhura me paraqitjet individuale dhe ekipore. 38-vjeçari duhet të luante një numër të caktuar ndeshjesh dhe të realizonte një shifër të paracaktuar golash për të përfituar më shumë.

RREZIKU I KLUBIT

Edhe pse rroga do të matej prej paraqitjes, klubi ka rrezikuar jo pak me këtë ofertë. Të japësh 12 mijë euro për një lojtar që sezonin e shkuar nuk ka shënuar më shumë se 4 gola, duket paksa paradoksale. Gjithsesi, palët tani u kanë dhënë fund bisedimeve mes tyre dhe zyrtarisht mund të thuhet që Marko Simonovski nuk do të jetë më pjesë e Vllaznisë.

RINISIN KËRKIMET

Klubi kthehet në pikën “zero”. Pasi ra pista e maqedonasit (që e preferonin më së shumti prej faktit që nuk llogaritet si ekstrakomunitar), kanë nisur sërish kërkimet për sulmuesit. Drejtuesit nuk do të ndalen deri në mbyllje të merkatos për të plotësuar nevojat që ka trajneri gjerman për një lojtar goli. Ato janë ende në kontakte me boshnjakun Haris Dilaver, por në të njëjtën kohë po kërkojnë edhe për alternativa të tjera.

ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"