EKSKLUZIVE/ Kontratë 1+1 me pagë më të lartë, Partizani firmos me mesfushorin. Të kuqtë duan 200 mijë euro për…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2020 | 23:20


EKSKLUZIVE/ Kontratë 1+1 me pagë më të lartë, Partizani firmos me mesfushorin. Të kuqtë duan 200 mijë euro për…

Partizani e ka të ndaluar të bëjë merkato pas dënimit të marrë nga FIFA për çështjen “Çinari”, por të kuqtë po ngushëllohen sadopak me rikthimin e lojtarëve që kanë pasur në huazim, si dhe me rinovimin e disa elementëve që mendohej se do të iknin me parametër zero.

esat mala

Nisur nga realiteti aktual, i bie që Partizani ta ketë fituar betejën që pati me një nga xhevahirët e sezonit të titullit kampion, Esat Mala, kontradiktë e cila nisi për mosdakordësinë për rinovimin e kontratës, që u bë edhe shkak për pezullimin tremujor të 21- vjeçarit.

Tashmë kjo pjesë i përket së shkuarës, pasi mesfushori ka rinovuar me “demat” dhe mbetet një armë e fortë në duart e trajnerit Daja për sezonin e ri. Me rinovimin e kontratës, Partizani ka fituar kryesisht në aspektin moral dhe sportiv, pasi tani ka edhe klauzola për shitjen e tij. Gjithsesi, edhe vetë Esat Mala ka dalë i fituar me marrëveshjen e re, pasi nuk është se ka humbur ndonjë mundësi “të artë” për të luajtur në ndonjë ligë të fortë, sepse do të vijojë të jetë pjesë e një klubi me emër si Partizani, që e promovoi edhe në arenën ndërkombëtare, si dhe do të përfitojë edhe disa herë më shumë në aspektin financiar.

“Panorama Sport” ka mësuar nga burime pranë të kuqve se me marrëveshjen e re mes palëve, Mala ka firmosur kontratë 1+1 me Partizanin. Me kontratën e re 21-vjeçari do të përfitojë më shumë se më parë, ku nga më pak të paguarit nga titullarët e tri sezoneve të fundit, tani parashikohet të marrë rreth 3 mijë euro rrogë mujore. Gazeta ka mësuar se klubi i ka vënë edhe një klauzolë në rast të ndonjë kërkese nga jashtë vendit për një largim të parakohshëm.

esat mala

Kështu, klubet që janë të interesuara për të bërë të tyrin Malën para përfundimit të kontratës me “demat” duhet të paguajnë 200 mijë euro dëmshpërblim për kartonin e lojtarët për sa kohë ai do të jetë nën kontratë. Largimi me parametër zero do të ishte një goditje e madhe për Partizanin, pasi në skenë mund të dilnin fantazmat e rastit “Amir Rrahmani” që i iku nga duart pa asnjë përfitim, i cili së fundmi është blerë nga Napoli për shifrën e 14 milionë eurove.

Duke lënë pas të shkuarën e hidhur, të kuqtë mbeten të kënaqur me të tashmen, pasi kanë evituar largimin falas të Esat Malës, i cili me rinovimin e kontratës shton cilësinë në ekip, pasi bëhet fjalë për një lojtar “xhol”, që mund të bëjë disa role në fushë. Sipas “transfermarkt” Esat Mala dhe Jurgen Bardhi janë lojtarët më të shtrenjtë të Partizanit, kartoni i të cilëve vlerësohet me 425 mijë euro.

ILIR CARA-PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/