EKSKLUZIVE/ Kontratat te Tirana, Halili në “kundërsulm”. Dy lojtarë e mbyllin me bardheblutë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 7, 2021 | 14:14

EKSKLUZIVE/ Kontratat te Tirana, Halili në “kundërsulm”. Dy lojtarë e mbyllin me bardheblutë

Refik Halili dhe Tirana, në “kundërsulm” për të ndërtuar skuadrën e sezonit 2021-2022. Më saktë, bardheblutë saktësojnë planin e merkatos dhe se si do të funksionojnë këto ditë qershori, me Halilin që tani ka vendosur rregulla për marrëveshjet. Nga sa bëhet e ditur, si fillim punët do të nisin të hënën dhe të martën. Halili do të takojë të gjithë lojtarët pa kontratë të Tiranës, duke filluar nga Kale, Torasa e Vangjeli për të vazhduar me të tjerët.

hALILI

Presidenti gjatë ditës së hënë dhe të martë do t’i takojë të gjithë futbollistët dhe do t’u bëjë të qartë ofertën e tij financiare për të vazhduar bashkëpunimin. Ai që do të pranojë, mbetet në skuadër. Të tjerët do të vazhdojnë larg. Ky veprim bëhet që palët të mos mbeten peng i njëra-tjetrës dhe rrugët të jenë të qarta. Ndërkohë, kapitenin Idriz Batha e kërkon klubi rumun, UTA Arad, dhe nuk është çudi nëse firmos. Dy janë lojtarët që tani zyrtarisht mbeten jashtë projektit të Tiranës së re. Bëhet fjalë për Tim Vairinen dhe Ibraim Sulej. Të dy me shumë mundësi nuk luajnë me Tiranën e 2021- 2022. Janë burime pranë klubit që e bëjnë me dije një fakt të tillë. Dy lojtarët kanë zhgënjyer këtë sezon. Sakaq edhe lojtarë të tjerë të dorës së dytë mund të ikin nga ekipi.

AFRIMET – Tirana do të nisë zyrtarizimet ditën e mërkurë me ata që pranojnë kushtet e Tiranës. Një burim i tha “Panorama Sport” se presidenti Refik Halili është shumë i qartë. Për të gjithë lojtarët që duan të vinë te Tirana ka një plan të qartë. Kush vjen në bisedime duhet të paraqesë ofertën e tij dhe Tirana të vetën. Çdo kandidati do t’i lihet 24 orë kohë të mendohet, në të kundërt marrëveshja do të mbyllet dhe nuk ka firmë.

Nga ana tjetër, për momentin Tirana nuk ka firmosur me askënd, përjashtuar Seferin. Të njëjtat burime bëjnë me dije se ekziston një listë e gjatë lojtarësh që duan të vinë te Tirana, por ndryshe janë dëshirat. Tirana është duke menduar të afrojë disa të paktën dy mbrojtës, tre mesfushorë dhe dy sulmues të nivelit të lartë. Kujtojmë që Batha, Torasa, Kale, Vangjeli dhe Lika u ka skaduar kontrata.

OLSI AVDIAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"