EKSKLUZIVE/ Kontrata drejt skadencës, Dita merr ofertë nga Tirana. Në lojë futet dhe Partizani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 17, 2020 | 23:20

EKSKLUZIVE/ Kontrata drejt skadencës, Dita merr ofertë nga Tirana. Në lojë futet dhe Partizani

Bruno Dita dhe Skënderbeu duket se po shkojnë drejt fundit të bashkëpunimit mes tyre. Kjo, si pasojë e përfundimit të kontratës së kapitenit të bardhekuqve. Marrëveshja mes palëve përfundoi në fund të muajit maj, por u vijua si pasojë e situatës në vend me kampionatin dhe kontratat që përfundojnë në fund të korrikut.
bruno dita
Nga njëra anë pasiguria e Skënderbeut nëse do të jetë ose jo në Europë këtë sezon dhe nga ana tjetër insistimet e forta të ekipeve të tjera që kërkojnë shërbimet e Ditës e tundojnë lojtarin. Për këtë arsye numri 22 i korçarëve duket se e ka vendosur të ardhmen. Momentalisht, teza të forta për të janë dy të tilla.
Skenderbeu festa e golit
Skënderbeu – Pavarësisht përfundimit të kontratës, mesfushori kryeqytetas mund të vendosë për zgjatjen e qëndrimit të tij në Korçë vetëm në rast se Skënderbeu siguron të drejtën për të qenë pjesë e Kupave të Europës në sezonin pasardhës. Një gjë të tillë Skënderbeu nuk e arrin dot vetëm sportivisht, por duhet që më parë ta fitojë çështjen në Gjykatën e Lozanës. Një gjë të tillë e ka pranuar edhe vetë mesfushori. “Europa, pa dyshim, që është një pikë kthese jo vetëm për mua, por për të gjithë te Skënderbeu. Kontrata ime te korçarët ka përfunduar në muajin maj dhe për sezonin e ardhshëm unë do të jem një lojtar i lirë. Por, për vijimin e karrierës sime, zgjedhja e parë mbetet Skënderbeu. Kjo, për shkak se ambienti dhe kushtet që të ofron ky ekip nuk i gjen askund tjetër. Nëse korçarët sigurojnë pjesëmarrjen në Europë, e ardhmja ime është këtu”, theksoi vetë mesfushori kryeqytetas disa ditë më parë rreth të ardhmes së tij.
LUFTETARI TIRANA
Tirana – Ndër destinacionet e mundshme se ku mund të vijojë karrierën mesfushori janë edhe dy klubet e kryeqytetit. Tirana më herët ka shprehur interesin për shërbimet e Ditës. Madje, mes palëve ka pasur edhe negociata dhe duhet thënë se bisedimet kanë qenë në një fazë të avancuar. Por, së fundi në drejtim të lojtarit ka shfaqur interes edhe klubi i Partizanit. Dy ekipet kryeqytetase po zhvillojnë një tjetër derbi në distancë për shërbimet e mesfushorit i cili nga ana e tij duket se është më i prirur që të zgjedhë Tiranën si destinacion të mundshëm, nëse largohet nga Skënderbeu.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"