EKSKLUZIVE/ “Kopetenti” Vasil Ruci: Sulmuesit lindën për të mos pasur faj portierët, ja pse kampionati duhet vazhduar patjetër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 7, 2020 | 21:41

EKSKLUZIVE/ “Kopetenti” Vasil Ruci: Sulmuesit lindën për të mos pasur faj portierët, ja pse kampionati duhet vazhduar patjetër

“Kompetenti” zbret në fushë. Ngacmimi për një histori të vitit 1984 nuk e ka mërzitur Vasil Rucin, pasi sipas tij sulmuesit kanë lindur për të mos pasur faj… portierët.

Vasil Ruci4

Legjenda e futbollit vlonjat i është përgjigjur dje ish-portierit të Luftëtarit, Ahmet Çumaku, por gjithashtu ka bërë një propozim edhe për vazhdimin e kampionatit. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Ruci kujton golin ndaj polakëve të Leh Poznanit në vitin 1988, ndërsa i bën thirrje FSHF-së që ndeshjet të bëhen nga 80 minuta pas kësaj situate të pazakontë.

Profesor, si po e shtyni këtë periudhë?

Qetësi, si në karantinë. Mundohem të dal pak, sa për të pirë ndonjë kafe, edhe pse lokalet janë mbyllur. Nuk merrem fare me sport (qesh).

Gjithsesi, kjo periudhë karantine ka provokuar shumë ish-futbollistë të kohës suaj për të kujtuar momentet më pikante. Besoj i keni lexuar prononcimet e fundit…

I kam lexuar, por të jem i sinqertë, kanë kaluar shumë vite dhe nuk është se kam ndonjë kujtesë të madhe.

Ruci3

Si është historia me ish-portierin e Luftëtarit, Ahmet Çumaku, i cili ndihet i zhgënjyer me ju për një ndeshje të vitit 1984, që sipas tij ishte bërë një kompromis që të mbyllej me fitore të vlonjatëve vetëm me një gol diferencë?

Nuk më kujtohet si detaj, por kërkoj mirëkuptimin tuaj për këto histori.

Për çfarë?

Unë kam një parim në jetë: ai që merret me të kaluarën, nuk di të zgjedhë dhe as të besojë. Unë si Vasil zgjedh dhe besoj, duke shikuar përpara. Unë e kuptoj shumë mirë që këto histori kanë brenda edhe humorin, por e përsëris: unë di të zgjedh dhe të besoj. Ajo që mund të them është se të gjithë portierët më kanë patur inat.

Pse ju kanë patur inat apo se u shënonit shpesh?

Të gjithë portierët në Shqipëri nuk kanë patur asnjë faj kur kam bërë gol unë. Megjithatë, të gjithë më kanë patur inat. Nuk më harrohet ajo që më ka ndodhur me portierin e Polonisë.

Vasil Ruci2

Çfarë rasti ka qenë?

Ka qenë ndeshja Flamurtari-Leh Poznan për Kupën e Kupave në vitin 1988. Portieri polak më shikonte tërë inat, sepse ia hoqa topin nga sqetulla dhe e futa shpejt e shpejt gol të mos më shikonte gjyqtari për veprimin që bëra. Mbaj mend ka qenë portieri Ryzard Jankovski. Këtë punë kanë sulmuesit, kanë lindur që të mos kenë faj portierët asnjëherë.

Të flasim pak për aktualitetin. Çfarë prisni të ndodhë me kampionatin në këtë moment?

Për mendimin tim, kampionati duhet bërë patjetër. Megjithatë, gjëja e parë që duhet menduar është shëndeti i futbollistëve. Përveç të gjitha problemeve mjekësore, ku skuadrat duhet të futen në fushë me garanci të plotë, unë kam një ide timen për këtë situatë.

Vasil Ruci

Na e thoni?

Ndeshjet të bëhen 80 minuta dhe të lejohen katër zëvendësime. Arsyeja është e thjeshtë, sepse duke qenë lojtarët të pastërvitur në këtë periudhë, traumat do të shkaktohen në fund të pjesëve. Logjika është që FSHF duhet t’i mbrojë futbollistët në këtë moment delikat. Lojtarët janë të vetmit njerëz që në këtë moment mund të na heqin pak mërzinë, duke na dhënë shfaqje të bukura sportive. Dua të theksoj se gjëja e parë që duhet shikuar është shëndeti i tyre, duke filluar me tamponët, teste në çdo ekip dhe zbatuar me përpikmëri masat.

Nëse nuk rinis kampionati, FSHF ka paralajmëruar se do të ndjekë modelin francez. Ju si mendoni, është e drejtë që verdiktet si për kreun dhe fundin të jepen në tavolinë?

Shikoni, duan apo nuk duan këta, kampionati do të bëhet. Ky është një detyrim, sepse ne jemi një vend thashethemesh. Ju e shikoni shumë mirë se çfarë debatesh po lindin. Edhe pse kanë kaluar 20 apo 25 vite, ka polemika për tituj që nuk ka fituar dot Flamurtari dhe Tomori. Me këtë dua të them, se kështu siç po kujtojmë tani ato padrejtësi që mund të jenë bërë, do të kujtojmë në të ardhmen edhe atë që mund të bëhet aktualisht pas ndërprerjes së kampionatit.

Vasil Ruci

Me të drejtë mund të lindin dyshimet se pse duhet të dalë kampion Tirana apo pse të bjerë Vlora dhe Gjirokastra. Për të shmangur këto, duhet bërë ky kampionat. Jemi vend i vogël, prandaj duhet bërë kampionati në çdo lloj forme, qoftë edhe në muajin gusht. Duhet të evitohen patjetër paragjykimet.

OK, por qeveria nuk e ka dhënë ende miratimin për aktivitetet sportive. Si i bëhet?

Jo, nuk ka ndonjë gjë. Rinia e kalon virusin për tri ditë. Më duket sikur më shumë po bëhet politikë, sesa po ruhen njerëzit nga Koronavirusi. Për mua është e rëndë të mos luhet futboll aty ku ka mundësi, prandaj dhe them që kampionati ynë duhet vazhduar me ato kushte që kemi. Të bëhet një futboll, në mënyrë që të dilet edhe kampion përmes djersës së ballit, jo përmes tavolinës. Është gjynah që të jepen verdikte të tilla, se pastaj do themi pse ia dhanë.

Mbani mend në karrierën tuaj të keni patur ndonjë ndërprerje kaq të gjatë?

Ore tre muaj pushim rrinim edhe ne gjatë verës në atë kohë. Mbaronte kampionati në fillim të majit dhe pastaj prisnim shtatorin për të nisur sezonin tjetër. Pastaj, futbollistët janë mësuar me karantina.

Gjithsesi, janë mësuar në kushte të tjera…

Shikoni, ka patur grumbullime gjatë fazës përgatitore nga një muaj karantinë, shumë larg shtëpisë. Të mos e bëjmë dramë, edhe pse në ndryshim nga ajo kohë, karantina ishte duke u marrë me futboll. Ky është ndryshimi me kohën e sotme. Megjithatë, duhet të kuptojmë se futbollistët janë të mësuar me karantinën dhe janë shumë më të duruar sesa qytetarët e thjeshtë. Kjo situatë do të ketë efekte psikologjike patjetër, por ka edhe një gjë shumë të mirë.

Cila është gjëja e mirë në këtë situatë?

Mes shumë të këqijave, e mira në këtë situatë do të jetë momenti kur lojtarët do të takohen. Pra, do të kenë harruar të gjitha sherret që kanë bërë me njëri-tjetrin në të kaluarën. Do të bëhen më grup dhe më të ndjeshëm. Do të jenë më të afruar në kuptimin kolektiv. Ka edhe atë ndikimin e mirë kjo punë, do t’i shikojë lojtarët më kompaktë dhe më të përmalluar, duke harruar të gjitha episodet në fushë në të kaluarën.

Po për arbitrat e futbollit keni një mesazh?

Arbitrat kanë lindur nga të mirat e djallit dhe të këqijat e Perëndisë. Nëse flasim për arbitrat, ata janë platformë tjetër. Gjithsesi, unë mendoj se duhet të jenë të përgatitur që të mos lejojnë përplasje të forta.

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"