EKSKLUZIVE/ “Kombëtarja do kohë, ja pse e lashë futbollin”, Memushaj: Pioli ishte i përgatitur, kënaqësi të ndihmoj lojtarët shqiptarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 28, 2022 | 21:13

EKSKLUZIVE/ “Kombëtarja do kohë, ja pse e lashë futbollin”, Memushaj: Pioli ishte i përgatitur, kënaqësi të ndihmoj lojtarët shqiptarë

Ledian Memushaj është kthyer në një flamur te skuadra e Peskarës, pasi aty ka luajtur për shumë vite, duke numëruar 238 ndeshje në tri kategoritë kryesore të Italisë.

memushaj

Por jo vetëm, pasi mesfushori ka veshur edhe fanellën e Kievos, Beneventos, Leçes dhe Karpit, madje është trajnuar nga Stefano Pioli apo dy ish-trajnerët e Partizanit, Lerda dhe Agostineli. Një karrierë e gjatë, e cila përfundoi pak ditë më parë për të mos u shkëputur nga futbolli, pasi për të do të nisë një kapitull i ri, ai i trajnerit, ku klubi i Peskarës e ka konfirmuar tek ekipi Primavera.

Po pse mori këtë vendim Memushaj dhe pse zgjodhi pikërisht trajningun? Ai i zbulon të gjitha në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, por gjithashtu i ka edhe disa fjalë për Kombëtaren.

Ledian, në ditët e fundit po lexojmë që e keni mbyllur me futbollin e luajtur dhe tani do të kaloni në një tjetër rol, çfarë ju shtyu të shkonit drejt këtij vendimi?

Po, është e vërtetë. Më shtyu fakti që këto dy vitet e fundit kam vuajtur shumë dëmtime, sidomos te gjuri, dhe u binda që nuk mund të vazhdoja më kështu, edhe pse kisha akoma edhe një vit kontratë me klubin e Peskarës.

Në përgjithësi, në aspektin personal, a jeni i kënaqur me karrierën tuaj?

Po, mund të them se jam shumë i kënaqur, sepse ndonjëherë kur mendoj se nga e kam filluar karrierën dhe ku kam arritur, besoj se i kam realizuar të gjitha ëndrrat e mia.

Nëse do të ktheheshit prapa në kohë, ka diçka që do të bënit ndryshe?

Jo, asgjë nuk do të bëja ndryshe.

Jeni i lidhur më shumë se kushdo tjetër me klubin e Peskarës, pasi keni vite që luani atje, si e shikoni veten në një rol tjetër tani, atë si trajner i ekipit Primavera?

Po, kam shumë vite këtu dhe ndihem si te shtëpia ime. Besoj se edhe në të ardhmen do të jetoj këtu. Tani fillon një aventurë e re për mua dhe jam shumë entuziast për këtë rol të ri.

Memushaj konference

Pse zgjodhët pikërisht trajningun, pasi ka edhe shumë role të tjera pas lënies së futbollit, si drejtues, drejtor teknik, drejtor sportiv apo menaxher, mendoni se jeni më afër trajnerit?

Kam disa vite që mendoj se e ardhmja ime është në rolin e trajnerit, kjo edhe për faktin se më pëlqen shumë të rri në fushë dhe të ndihmoj të tjerët që të përmirësohen.

Mund të jetë pozicioni juaj një dritare më shumë për të rinjtë shqiptarë që luajnë në Itali?

Edhe mund të jetë, pse jo. Të ndihmoj lojtarë që vijnë nga Shqipëria do të ishte një kënaqësi tjetër për mua.

Kalojmë te Kombëtarja, i keni ndjekur ndeshjet e fundit, si ju janë dukur?

Po, i kam ndjekur dhe më vjen keq se si kanë shkuar rezultatet.

Çfarë mendoni se nuk shkon, pasi tashmë lojtarët e grumbulluar luajnë pothuajse të gjithë në nivel të lartë me skuadrat e tyre?

Nuk e di se çfarë nuk shkon, nuk më pëlqen të flas për një gjë që nuk jam brenda. I kam urryer ish-lojtarët që flisnin nga jashtë pa ditur se si janë gjërat nga brenda dhe këtë gabim nuk dua ta bëj edhe unë, prandaj nuk dua të flas shumë për këto gjëra. E vetmja gjë që mund të them është që më vjen keq për trajnerin, stafin dhe lojtarët, duke parë se si kanë shkuar gjërat, sepse shumicën e njoh dhe janë njerëz të mrekullueshëm.

Ju i keni shënuar Izraelit në fitoren 0-3, pasi në shtëpi ishim mposhtur. Mund të na tregoni pak më shumë rreth asaj ndeshjeje, si u arrit ai rezultat dhe sa shanse ka që të përsëritet e njëjta gjë në shtator, kur të luajmë në Izrael?

Po, këtë ndeshje e kujtoj me shumë gëzim sepse kam bërë dhe gol. Shqipëria ka një të ardhme të suksesshme përpara, sepse po krijohet një ekip me lojtarë të nivelit të lartë, por që kanë nevojë vetëm për kohë.

memushaj

Mendoni se në të ardhmen mund të drejtoni në Shqipëri?

Kjo është një nga ëndrrat e mia që kam si trajner.

Ju keni punuar me Stefano Piolin, që sot është kampion i Italisë, i keni çuar ndonjë SMS, dhe çfarë raportesh keni me të?

E kam pasur pak kohë dhe nuk kam kontakt, por dukej që atëherë që ishte një trajner i përgatitur.

KRISTI SEJATLLARI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"