EKSKLUZIVE/ Kolapsi tek Erzeni, largohet zyrtari i klubit: Nuk bëhem pjesë e lojërave…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 24, 2022 | 14:47

EKSKLUZIVE/ Kolapsi tek Erzeni, largohet zyrtari i klubit: Nuk bëhem pjesë e lojërave…

“Nuk jam më pjesë e klubit të Erzenit, jam tërhequr nga detyra që kam pasur. Nuk dua të bëhem pjesë e lojërave bashki-shoqatë”. Është ky reagimi i Fundim Dollakut për “Panorama Sport”.

DOLLAKU

Një nga zyrtarët e lartë të klubit shijakas në sezonin që kulmoi me ngjitjen në Kategorinë Superiore, ka hequr dorë tashmë nga kompetencat që ka pasur tek Erzeni.

Në bisedën për gazetën, ai konfirmoi se është tërhequr dhe çdo reagim që e lidh atë me situatën aktuale në klub, nuk është i vërtetë. Kësisoj, një muaj pas rikthimit në elitë të skuadrës, krisjet në Shijak vazhdojnë të jenë të thella.

Shoqata e Klubit të Futbollit Erzeni, që ka në administrim skuadrën, ende nuk ka marrë një vendim për të ardhmen e saj. Nga ana tjetër, 25 lojtarët që mbyllën sezonin si pjesë e Erzenit, presin ndonjë sinjal nga drejtuesit e klubit për të mësuar se çfarë do të bëhet me detyrimet e prapambetura.

Ndërkohë, lidhur me të ardhmen e klubit, pak ditë më parë, kryebashkiaku Elton Arbana, deklaroi:

“Do të bëjmë çfarë është e mundur si bashki brenda kuadrit ligjor. Do t’i japim fushën në përdorim shoqatës, por duhet të mblidhemi dhe të vendosim disa piketa për të ardhmen, që të jemi dinjitozë në elitë, jo thjesht për mbijetesë”

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"