EKSKLUZIVE/ Kolapsi te Luftëtari, reagon kryebashkiaku: Me Halilajn shihemi në prokurori, ekipin do ta…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 23, 2020 | 23:46

EKSKLUZIVE/ Kolapsi te Luftëtari, reagon kryebashkiaku: Me Halilajn shihemi në prokurori, ekipin do ta…

Flamur Golemi, kreu i Bashkisë së Gjirokastrës, u akuzua në numrin e djeshëm të “Panorama Sport” nga presidenti i Luftëtarit, Bekim Halilaj, si armik i futbollit dhe si shkaktar kryesor i krizës aktuale.

halilaj luftetari

Sot gazeta sjell reagimin e kryebashkiakut Golemi, i cili me një letër të gjatë sqaron marrëdhënien e vështirë me presidentin dhe pohon me forcë se gjithçka do të zgjidhet nga gjykata dhe prokuroria, që sipas tij, do të tregojnë me forcën e ligjit se kush është abuzuesi i vërtetë. Ja dhe reagimi i plotë i kryebashkiakut Flamur Golemi:

PËRGJIGJE PËR BEKON (SE BEKIM PËR GJIROKASTRËN NUK NA REZULTOVE)

Gjuha e përdorur në artikullin “Kaosi tek Luftëtari, Halilaj: bashkia armiku kryesor” të gazetës ‘Panorama Sport’ të datës 22 tetor, aspak etike, aspak argumentuese, aspak ligjore dhe për më tepër me të pavërteta fund e krye, më imponon të reagoj publikisht nëpërmjet kësaj gazete me kontribut në zhvillimin e sportit shqiptar.

Flamur-Golemi-ok

Pa i lejuar vetes etiketime të natyrës “armiku” kryesor apo jo kryesor, mbështetur në fakte, dokumente dhe ligje, do të mundohen të sjell disa të vërteta që dëshmojnë pse është groposur kaq thellë Luftëtari, ekipi i dashur i sportdashësve gjirokastritë. Po e nis së pari me habinë që më në fund, zoti president i Luftëtarit u bë i gjallë dhe për këtë ka meritë “Panorama Sport” dhe gazetari Fatjon Rupi, të cilët janë të lutur që adresën e zotit president t’ia përcjellin gjykatës. Ka shumë kohë që ai nuk gjendet për të marrë fletëthirrjet për të marrë pjesë në seancat gjyqësore si i paditur nga Bashkia Gjirokastër për abuzime të mëdha lidhur me menaxhimin e kompanisë “ANAST” sh.p.k.

Dhënia e adresës së tij do të ishte një kontribut plus për këtë gazetë sportive, pasi do të ndihmonte në paraqitjen e tij në gjykatë dhe në zbardhjen e plotë ligjore të së vërtetave që qëndrojnë përtej tymit të shpifjeve dhe kaosit që ka përfshirë menaxhimin e Luftëtarit nga këta abuzues dhe shkelës flagrant të ligjeve të shtetit. Qysh në tetor 2019 i kemi kërkuar zyrtarisht zotit president informacion dhe dokumente ligjore për veprimtarinë financiare të klubit, por deri tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje, me përjashtim të deklarimit aspak ligjor që lexuam së fundi në “Panorama Sport” se ai nuk mban përgjegjësi për çfarë kanë kaluar.

I kujtojmë zotit president se ai nuk e themeloi, por mori në administrim një subjekt me veprimtari financiare në vijueshmëri. Ligjet e shtetit na detyrojnë që të kërkojmë “hesap” se si u shpenzuan dhe ku u përdorën 24 milionë lekë subvencion të paguara pa kushte nga Bashkia Gjirokastër? Nuk kemi asnjë përgjigje!

Nuk mund të pranojmë fatura të blerjes së 12 ton nektarina dhe dhjetëra fatura fiktive si këto. Nuk mund të pranojmë që borxhet që ju keni krijuar t’i adresohen Bashkisë. Për këto borxhe do jepni llogari deri në një përpara ligjit, gjykatës dhe prokurorisë. Kemi ardhur në krye të punëve të bashkisë për të menaxhuar çdo qindarkë të këtij taksapaguesi në interes të shërbimeve ndaj tij, jo për të justifikuar abuzimet tuaja flagrante, zoti president.

Në kompaninë menaxhuese “ANAST” sh.p.k. të ekipit, bashkia zotëron 25% të aksioneve në natyrë, ndërkohë që edhe 1% të kishte, ne jemi të vendosur që t’i shkojmë deri në fund zbardhjes të së vërtetës. Nuk dua të merrem me etikën e fjalëve të zotit president, në adresë të bashkisë dhe emrit tim, sepse është jashtë natyrës sime. Por, shpreh gatishmërinë time të plotë dhe e ftoj zotin president ditën e diel të dalim përballë opinionit të sportdashësve gjirokastritë për të ballafaquar akuzat dhe argumentet.

Ndërkohë, që të hënën, të jetë i sigurt, që bashkë do të takohemi në Prokurori, ku unë do të denoncoj me fakte dhe dokumente abuzimet e mëdha që janë bërë më fondet dhe asetet që Bashkia Gjirokastër ka vënë në dispozicion të ekipit të futbollit dhe kompanisë “ANAST” sh.p.k.. Vetëm atëherë, kur ju zoti president të ballafaqoheni me ligjin, faktet dhe dokumentet të gjithë do të mësojnë dhe besojnë se kush janë armiqtë e vërtetë. Bashkia nuk ka asnjë faj për rrënimin. bashkia dhe unë personalisht do të bëjmë të pamundurën për t’i kthyer Gjirokastrës futbollin. Shkaktarët do të mbajnë përgjegjësi ligjore.

PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE: 

EKSKLUZIVE/ Kaosi total te Luftëtari, presidenti Halilaj: Bashkia armiku kryesor, nuk më hapin as telefonin

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"