EKSKLUZIVE/ “Kola, një hajdut ordiner”, Noka: Ku i gjejnë paratë gjyqtarët me nga dy shtëpi dhe makina luksoze?! (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 22, 2020 | 23:20

EKSKLUZIVE/ “Kola, një hajdut ordiner”, Noka: Ku i gjejnë paratë gjyqtarët me nga dy shtëpi dhe makina luksoze?! (E PLOTË)

Besëlidhja humbi 1-0 të shtunën në FushëKrujë, duke dalë përfundimisht nga pretendimet për kreun dhe ngjitjen direkt në Superiore. Tashmë lezhjanëve u duhet të luftojë fort në ndeshjet e mbetura për të mbajtur vendin e dytë, që u jep një shans për elitën me anë të dy ndeshjeve shtesë, edhe pse ato në fakt janë një filtër shumë i imët për t’u depërtuar.
gjok noka
NOKA – Humbja me Kastriotin i ka indinjuar së tepërmi drejtuesit e Besëlidhjes, sidomos presidentin Gjok Noka, i cili një ditë më pas ka dalë me një deklaratë të fortë për “Panorama Sport”, ku akuzon gjykimin. “Klajdi Kola nuk ishte asgjë tjetër, përveçse një hajdut ordiner nga çdo aspekt. Që nga nisja e ndeshjes gjithçka foli kundër nesh. Faullet nuk jepeshin, pozicionet jashtë loje të dyshimta për ata, ndërsa neve na ndalte çdo sulm të rrezikshëm, na mohohet një penallti, na jepet karton i kuq pa asnjë shkak etj. Nuk jam i prerë që gjithçka shkon si në vaj, bëhen gabime edhe në gjykim, si kudo, njerëz jemi, por kur gjithçka shkon nga njëra anë gjithë kohën, jo vetëm të bën të dyshosh, por të bind se gjithçka është e paragjykuar dhe ky përbën skandal të vërtetë. Falënderoj presidentin Armand Duka, i cili na mbështeti me dy paga lufte që ishin bonus financiar dhe psikologjik në një periudhë të vështirë. E financoj vetë skuadrën dhe një veprim i tillë që të fshin mundin me një të rënë të bilbilit, është absurd dhe i dënueshëm.
Klajdi Kola
Gjyqtari Kola është një hajdut, ka futur duart direkt ne xhepat e mi e jo të bashkisë. Të mendohet mirë për dëmin që më ka shkaktuar. Kam një pyetje për federatën: gjyqtarët a shkojnë privatisht nëpër ndeshje apo caktohen me rregullore? Mua ata më shkatërruan financiarisht. Nëse janë privatisht, atëherë po merrem privatisht me ta. Jam me parimin që rezultati të dalë nga loja e ndershme në fushë, jo nga bilbili. Nuk kam dhënë dhe as kam ndërmend t’u jap para gjyqtarëve, më duket absurde dhe e urrej, pasi është krim i pabesë dhe shumë i shëmtuar. Këta gjyqtarë, ku i morën paratë që kanë nga dy shtëpi në Tiranë, makina luksoze, dyqane etj? Me se i morën, me një rrogë federate? Vetëm ky fakt duhet të hetohet, është një provë që flet kundër tyre”, thekson Noka.

ERRËSIRA MEDIATIKE – Fakt tjetër dyshues për presidentin Noka është edhe lënia në errësirë mediatike e ndeshjes. “A nuk mund të zhvillohej të dielën një nga ndeshjet, në mënyrë që ta jepte TVSH-ja? Transmetohet ndeshja ndaj ErzeniT dhe lihet në errësirë kjo me Kastriotin. Gjyqtarët në sintoni të plotë njëri me tjetrin ishin dakord gjatë gjithë sfidës, rezultati ishte vulosur në letër e jo në fushën e blertë, ku maten burrat”, përfundon presidenti i Besëlidhjes.

PRENG GJIKOLA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"